Haradinaj priti në takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor

Aktuale April 20, 2018 - 10:15
Lexo detajet

Kryeministri, Ramush Haradinaj ka pritur sot në një takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Jashtme Britanike, Fiona Mcilwham, transmeton “Zëri.info”.

Në këtë takim Haradinaj tha se Britania e Madhe e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe se ndihma e këtij vendi mik është e nevojshme edhe për proceset e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova, veçmas në rrugën e saj integruese.

Gjatë këtij takimi Haradinaj e ka njoftuar drejtoreshën për Ballkanin Perendimor, Mcilwham me të arriturat dhe sfidat e shtetit të Kosovës, me theks të veçantë në angazhimet dhe përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e rendit dhe ligjit,  implementimet e marrëveshjeve të Brukselit dhe përkushtimin e Kosovës për rrugën evropiane.

Në takim po ashtu është biseduar edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, avancimet e raporteve mes vendeve të  Ballkanit Perëndimor dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Haradinaj theksoi se Kosova dhe institucionet e saj kanë punuar me përkushtim të shtuar për të plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Në anën tjetër, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor, Fiona Mcilwham përshëndeti progresin e arritur në Kosovë dhe rajon, duke ofruar mbështetjen e plotë për angazhimin e institucioneve të Kosovës në sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe perspektivës evropiane të Kosovës.

Mcilwham përshëndeti fillimin e punës së mekanizmit punues për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe siguroi që Britania e Madhe do të angazhohet aktivisht që të ofrojë përkrahjen që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të implementohen nga Kosova dhe Serbia.