Pacolli vizitë zyrtare në Bullgari

Aktuale April 20, 2018 - 09:50
Lexo detajet

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherëshe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Sofje të Bullgarisë, transmeton “Zëri.info”.

Pacolli gjatë qëndrimit në Sofje do të zhvillojë disa takime me krerët e këtij vendi.

Takimi i parë do të jetë me homologen e tij, Ekaterina Zaharieva, njëherazi zëvendëskryeministre, në mjediset e ministrisë së jashtme, ku pas një bisede kokë më kokë, do të zhvillohet takimi i dy delegacioneve.

Më pas, vizita e kryediplomatit, Behgjet Pacolli, do të vijojë me takime të tjera në Parlamentin bullgar, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes, Krasimir Karachanov, si dhe adresimin e Forumit dypalësh të biznesit organizuar nga odat ekonomike të dy vendeve.

“Bullgaria dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe vizita ka synim nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.  Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Sofjes, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është gjithashtu temë e bisedës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Bullgaria ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën. Ajo është mbrojtëse e flaktë e integrimit të Kosovës në të gjithë organizmat ndërkombëtarë. /Zëri/