Në maj vijnë monitoruesit e BE-së për vizat

Aktuale April 20, 2018 - 07:35
Lexo detajet

Në fillim të muajit maj në Kosovë do të qëndrojë një delegacion i Bashkimit Evropian, i cili do ta vlerësojë punën që është bërë në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit si kriteri i fundit për liberalizimin e vizave, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Fillimi i muajit maj do ta bëjë të qartë rrugëtimin e Kosovës drejt finalizimit të procesit të liberalizimit sepse në atë kohë pritet që në Kosovë të vijë një delegacion vlerësues i Komisionit Evropian.

Me këtë rast do të bëhet e ditur se sa është përmbushur kriteri i fundit për heqjen e vizave, luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit.

Përderisa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është zotuar se konfirmimi për heqjen e vizave do të vijë brenda pak javësh, nga Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur të bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë fare këtë vit, shkruan tutje "Zëri". 

Ndërkaq, sipas ekspertëve të integrimit rekomandimi pozitiv mbetet pritje reale dhe fundi i këtij viti afat real për finalizimin e procesit të liberalizimit.

Por sipas tyre, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse institucionet e Kosovës tregohen të përgjegjshme dhe efikase në dy muajt e ardhshëm.

Haradinaj: Lajmi për vizat, çështje javësh

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se liberalizimi i vizave është çështje javësh. Me këtë rast ai ka bërë të ditur se në muajin që vjen do të ketë një vlerësim për kushtin e fundit të mbetur për liberalizim.

“Duke qenë kështu edhe nga bisedat që kam pasur, Kosova e ka kaluar atë mesataren e kërkuar për liberalizim, pra e ka të kaluar. Procesi nuk ndalet, do të kemi edhe një vlerësim tani në maj, edhe një herë do të testohet gjendja, por unë e kam të sigurt dhe të qartë se në javët që vijnë do t’i konfirmohet Kosovës vendimi për liberalizim nga nivelet e larta të BE-së”, ka deklaruar Haradinaj.

Edhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka deklaruar se janë përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, pasi ka vlerësime pozitive për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit (si kushti i fundit i mbetur për viza).

Pacolli: Luftimi i korrupsionit mbetet sfidë për Kosovën

Pavarësisht tyre, Fitore Pacolli, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane nga Lëvizja Vetëvendosje, ka konsideruar se liberalizim të vizave nuk do të ketë përgjatë këtij viti.

Duke komentuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, Pacolli ka thënë se luftimi i krimit e i korrupsionit (kriteri i mbetur për heqje vizash) mbetet ende shqetësuese për Kosovën. “Luftimi i korrupsionit është një sfidë për Kosovën, mbetet shqetësim se është shumë i përhapur në vendin tonë. Korrupsioni mbetet endemik, përkundër asaj çfarë është thënë”, ka deklaruar ajo.

Tutje, deputetja e Vetëvendosjes ka konsideruar se ministrja e Integrimit Dhurata Hoxha ka gënjyer kur ka thënë se janë plotësuar kriteret për heqjen e vizave, pasi Raporti i Progresit e dëshmon të kundërtën.

Deda: 99 për qind të kritereve janë plotësuar

Pavarësisht saj, Ilir Deda, anëtar i Komisionit për Integrime, po ashtu ka konsideruar se Raporti për Kosovën ka shpërfaqur rezultate pozitive sa i përket liberalizimit, pavarësisht se Raporti në tërësi nuk ka qenë i mirë për Kosovën.

“Shumica e kritereve është plotësuar për liberalizim të vizave. Faktikisht Raporti për Kosovën është i keq dhe s’e kemi pritur se do të jetë ndryshe. Por sa i përket kritereve të liberalizimit të vizave, evoluimi për Kosovën ka qenë pozitivisht”, ka deklaruar ai.

Pas kësaj sipas Dedës, duhet patjetër që këtë muaj të miratohet Ligji për Konfiskim të Pasurisë së Paligjshme, në mënyrë që të mos ikë edhe treni i fundit për viza.

“Neve çka na duhet është që gjatë këtij muaji sa më shpejt ta aprovojmë Ligjin për Konfiskim të Pasurisë së Paligjshme. Ky është prioritet, domethënë këtë duhet ta bëjmë para 3-4 majit. Sepse ne jemi në trenin e fundit për liberalizim të vizave. Sa i përket kritereve teknike 99 për qind janë plotësuar dhe kjo është pozitive”, ka vazhduar ai.

Tutje, Deda ka bërë të ditur se “Alternativa” bashkë me LDK-në do ta ndihmojnë procesin e liberalizimit.

“Ne e dimë që Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvend, ne nuk duam ta rrëzojmë Qeverinë para se t’i përfundojmë prioritetet për liberalizim të vizave. Liberalizimi është përgjegjësi e të gjithë neve që jemi në institucione. Alternativa me LDK-në nuk do ta rrezikojnë këtë proces dhe do të vazhdojmë të lobojmë për vendim pozitiv të shteteve anëtare në gjysmën e dytë të këtij viti”, ka nënvizuar ai.  

Zeka: Vizat, në fund të këtij viti

Kurse Milaim Zeka, anëtar i Komisionit për Integrim nga Nisma, ka konsideruar se liberalizimi i vizave do të ndodhë në fund të vitit 2018, gjegjësisht në muajin dhjetor.

“Ka sinjale nga ambasadorët e diplomatët që liberalizimi i vizave do të ndodhë me rastin e krishtlindjeve, në dhjetorin e këtij viti. Liberalizimi i vizave është interes jetik kombëtar për qytetarët e Kosovës”, është shprehur ai. Sipas tij, vendimi për heqje vizash është politik, pasi po të kishte të bënte me plotësim kriteresh nuk do të ndodhte as te vendet e tjera.

“Ne e dimë që vendimi për liberalizim është vendim politik, sa për kritere Rumania edhe 2 mijë vjet nuk do të hynte në Bashkimin Evropian”, ka potencuar ai.

Fetoshi: Rekomandimi pozitiv për liberalizim, pritje reale

Në anën tjetër Arben Fetoshi, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka konsideruar se BE-ja mund të japë vlerësim pozitiv për viza, pasi është arritur progres në përmbushjen e kushtit të fundit për liberalizim.

“Kriteri i fundit për liberalizimin e vizave kërkon që Kosova ta forcojë luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Duke pasur parasysh vlerësimin se është bërë ‘ca progres’, rekomandimi pozitiv është pritje reale, ndërsa fundi i këtij viti është afat normal në qoftë se institucionet e Kosovës tregohen të përgjegjshme dhe efikase në dy muajt e ardhshëm”, ka deklaruar ai.

Fetoshi gjatë bisedës ka thënë se BE-ja nuk kërkon që Kosova ta fitojë luftën kundër korrupsionit, por të dëshmojë vullnet dhe kapacitete për ta luftuar atë. Kjo, pasi siç ai është shprehur, luftimi i këtyre dukurive është proces që vazhdon edhe në shtetet shumë më të zhvilluara.

Sidoqoftë, sipas tij, kjo s’duhet të merret si çështje e kryer. Përkundrazi, Fetoshi ka konsideruar se vlerësimi do të varet dukshëm nga përgjegjshmëria dhe dinamika e gjyqësorit në lidhje me rastet e zyrtarëve të profilit të lartë.

Kryeziu: Vlerësimi i detajuar, në qershor

Ndërkaq Taulant Kryeziu, njohës i procesit të integrimit, ka thënë se pas vizitës që delegacioni i BE-së do ta bëjë në Kosovë, më së largu në qershor mund të dalë një vlerësim i saktësuar për përmbushjen e kriterit të fundit për viza.

“Në fillim të muajit maj do të kemi një mision vlerësues nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme për Punë të Brendshme të KE-së, të cilët gjykoj deri në qershor do të dalim me një vlerësim të detajuar sa i përket kriterit të dytë dhe tek atëherë mund t’i dimë saktësisht hapat e radhës në kuptim të afateve kohore”, ka deklaruar ai.

Sipas Kryeziut, në kuadër të 39 rasteve të shënjestruara kohët e fundit ka pasur disa zhvillime pozitive, porse lufta kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit duhet të vazhdojë përtej procesit të liberalizimit të vizave.