Haliti i kërkon falje djalit të Sali Çekajt: Reagimi im në Kuvend ishte pak i nxitur

Aktuale April 19, 2018 - 18:30
Lajmet

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka kërkuar falje publike për deklaratën e tij në Kuvend ku kishte thënë se strukturat politike të UÇK-së nuk janë marrë me kalamaj që kanë qëndruar nëpër thera.

Me një status në Facebook, Haliti i ka kërkuar falje djalit të dëshmorit, Sali Çekaj i cili sot ka reaguar ndaj deklaratës së tij.

Haliti ka thënë se këtë e ka thënë në afekt.

“Dëshmori i kombit Sali Çekaj ishte ndër të rrallët luftëtarë, që ishte mbështetës i vendosur i Presidentit Ibrahim Rugovës. Këtë vijë, pra atë të Rugovës, Çekaj e mbrojti deri në fund, duke luftuar së bashku me ushtarët e tjerë të UÇK-së.

Djalin e Sali Çekajt e kuptoj, se mund të jetë prekur. Reagimi im në Kuvend ishte pak i nxitur dhe nëse jeni lënduar, ju kërkoj falje publikisht, jo vetëm juve, por të gjithë atyre që mund të jenë lënduar nga kjo shprehje e bërë pak a shumë në afekt.

Përndryshe, përkulem me respekt para veprës sublime të çdo dëshmori të kombit shqiptar” shkruan Haliti.