Haradinaj: Ultimatumi i Listës Serbe për Asociacionin ka rënë poshtë

Aktuale April 19, 2018 - 11:45
Flet kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka folur për mënyrën e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, si dhe ultimatumin e Listës Serbe për këtë proces.

Ai deklaroi se Asociacioni do të formohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se ultimatumi i dhënë nga Lista Serbe, se nëse nuk bëhen hapa konkretë nga Qeveria e Kosovës, ata do ta formojnë atë njëanshëm, nuk do të ketë ndonjë efekt.

LEXO EDHE: Lista Serbe bën hapin e radhën në lidhje me Asociacionin

“Ka ndryshuar gjendja. Kosova është në rrugën e hartimit të Statutit të Asociacionit. Ultimatumi bie poshtë”, tha Haradinaj të enjten në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë.

Institucionet e Kosovës kanë themeluar një grup punues, i cili do të merret me hartimin e Statutit të Asociacionit, ndërsa dje në Beograd, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia do ta presë këtë ekip që ta kryejë punën e vet brenda afatit prej 3 muaj e gjysmë.

Nga ana tjetër, sot në Zveçan përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës do të mbajnë një takim me anëtarët e ekipit drejtues për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Sipas një njoftimi për media, takimi do të mbahet nesër në ora 13:00, në sallën e Kuvendit të Zveçanit.

Në këtë takim pritet të vijë edhe një zyrtar i lartë i Qeverisë së Serbisë.
Bëhet fjalë për ndihmës-drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.