Deputetët kërkojnë komision hetimor për skandalin e mishit

Aktuale April 19, 2018 - 08:37
Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka mbajtur debatin parlamentar për skandalin e mishit në Kosovë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shprehur shqetësimet e tyre për skandalin e mishit që ka hyrë në Kosovë, me ç’rast ata kanë kërkuar edhe formimin e një komisioni i cili do t’i obligonte institucionet e Kosovës që të marrin masa në këtë drejtim, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka mbajtur debatin parlamentar për skandalin e mishit në Kosovë.

Deputetët opozitarë kërkuan formimin e një komisioni hetimor për skandalin me mishin e prishur, si dhe shkarkimin e shefit të Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë Valdet Gjinovcin, kërkesë kjo që nuk gjeti përkrahjen nga deputetët e koalicionit qeverisës, shkruan më tutje "Zëri".

I gjithë debati parlamentar u zhvillua përsëri pa praninë e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt dhe pa shumicën e ministrave të kabinetit qeveritar, duke përfshirë këtu edhe ministrin e Bujqësisë dhe atë të Shëndetësisë.

LEXO EDHE: Pas 10 ditësh procedohet Draftligji për Ushtrinë

Në mungesë të kryeministrit deputetët u detyruan që të shtyjnë edhe debatin parlamentar në lidhje me të gjeturat e raportit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Musliu: Mishi nga Belgjika nuk ka hyrë në Kosovë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, njëherësh edhe iniciuese e debatit parlamentar për skandalin me mish të prishur, ka thënë se në Kosovë nuk ka hyrë mishi nga Belgjika.

Sipas saj, ky mish është asgjësuar.

“Ky mish për herë të parë është tentuar të futet në Kosovë në shtator të vitit 2016, ndërsa tentativa e dytë ishte në gusht të vitit 2017. Në të dyja rastet është zbuluar dhe është asgjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë”, ka thënë Musliu. Musliu ka thënë edhe se “duhet ta themi zëshëm që është bërë asgjësimi i mishit nga Belgjika dhe nuk ka mundur të hyjë në Kosovë”.

Ajo po ashtu shtoi se ka marrë me shqetësim raportimet e medieve për skandalin e mishit të prishur dhe se vendi për një muaj po përballet me shumë informata dhe dezinformata.

Kësisoj, ajo propozoi që në fund të debatit parlamentar të votohen rekomandimet në lidhje me këtë temë.

Haliti: Mishi që hyri në Kosovë nuk është i Evropës, por rezervë e ndonjë ushtrie

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, foli për skandalin e mishit, me ç’rast ka thënë se mishi i vjetruar që ka hyrë në Kosovë mund të jetë mbetje e ndonjë ushtrie.

Haliti me këtë rast ka thënë që duhet të krijohen laboratorë të cilët e bëjnë kontrollimin e mallrave si ushqimorë, ashtu edhe të mallrave të tjera që hyjnë në Kosovë.

“Ka kilogramë mishi që prodhohet në Amerikë ose në Japoni që më së paku kushton 540 euro një kilogram, por fuqia jonë nuk është për të eksportuar këtë lloj mishi. Problemi është që e gjithë Evropa eksporton mish nga Amerika, Argjentina dhe Irlanda, por ky mish prodhohet enkas për shtete të veçanta. Mishi që ka ardhur në Kosovë nuk është i Evropës, po është mish i rezervave të ndonjë ushtrie që nuk i plotëson as kushtet elementare për konsumim”, ka thënë Haliti.

Haradinaj kërkon komision hetimor për skandalin e mishit

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, gjatë ditës së djeshme kërkoi që të mos kryqëzohet Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës për skandalin me mishin e prishur, meqë në 33 komuna janë vetëm 11 inspektorë.

Mirëpo, deputeti Haradinaj theksoi se për këtë çështje ka rrjet të kriminalizuar, që nis prej pikës kufitare deri të dyqanet.

“Është e vërtetë që sidomos këtë vit të bëjnë diçka, por gjendja nuk është hiç e kënaqshme. Pyetja është se çka nëse e ndërrojmë menaxhmentin, a mund ta arrijmë qëllimin që e kemi të përbashkët? Sipas informacioneve që posedojmë, vetëm 31 ditë Kosova ka kapacitet ta mbajë vetën me mish të kuq e i bie që 11 muaj tjera e marrim nga jashtë”, ka thënë Haradinaj.

Ai propozoi që në fund të debatit për skandalin me mish të prishur dhe me cilësinë e ushqimit në Kosovë deputetët të dalin me një rezolutë dhe t’i obligojnë institucionet që të marrin masa në këtë drejtim.

Vetëvendosja: Të shkarkohet shefi i AUVK-së

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, adresoi kritikat e saj kundrejt krerëve të shtetit lidhur me skandalin e mishit, duke kërkuar kështu edhe shkarkimin e shefit të AUVK-së, Valdet Gjinovci.

Haxhiu me këtë rast ka thënë se “as Lidhja Demokratike e Kosovës, as AAK-ja e as Memli Krasniqi si ministër i Bujqësisë atëherë nuk ka bërë asgjë për këtë punë”.

Deputetja Haxhiu ka kërkuar shkarkimin e Gjinovcit pas skandaleve që kanë përcjellë këtë Agjenci së fundmi, sidomos lidhur me mishin e prishur të ardhur nga Belgjika

“Ne këtu flasim kot nëse në fund nuk vendosim për ta shkarkuar Valdet Gjinovcin, i cili qe tetë vjet është në krye të AUVK-së. Këtu është e papranueshme qasja për ta amnistuar atë person, sepse Prokuroria do të duhej t’i niste menjëherë hetimet në raport me shefin e AUVK-së, Inspektoratin e Tregut dhe të Doganave. Pra ne duhet t’i kërkojmë Haradinajt që ta shkarkojë atë”, është shprehur Haxhiu.

Ndaj saj reagoi deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se është e habitshme si deputetja Haxhiu është deputete dy mandate e nuk merr vesh asgjë nga ligjet.

“Me një kompromis, që mendoj se ka qenë i gabueshëm, është vendosur nën Zyrën e Kryeministrit dhe për fat të keq Ministria e Bujqësisë as në mandatin tim, as tash nuk ka pasur kompetenca ndaj AUVK-së dhe e vetmja formë e bashkëpunimit ka qenë e vullnetit. Tendenca që gjithçka zgjidhet me shkarkimin e një njeriu është tendencë politike, asgjë me shumë, është tendencë për të linçuar persona më shumë”, theksoi Krasniqi.

Shtyhet debati për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministrat e kabinetit kanë vazhduar edhe dje që t’i neglizhojnë seancat parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Mungesën e Haradinajt e ka kritikuar edhe deputeti Arbër Rexhaj, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka thënë se është për keqardhje që në një debat të tillë të mungojë kryeministri dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Po ashtu deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shtynë për një seancë debatin parlamentar, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me të gjeturat e raportit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Kjo shtyrje erdhi pasi që propozuesit e këtij debati (Lëvizja Vetëvendosje) kërkuan që në mungesë të kryeministrit Haradinaj debati të shtyhet.