Gucati ka një porosi për mashtruesit e listave të veteranëve

Aktuale April 18, 2018 - 19:32
Kjo është deklarata e tij për mashtruesit e listave të veteranëve dhe Prokurorinë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka komentuar aktakuzën e ngritur nga misioni i EULEX-it ndaj gjashtë personave të cilët akuzohen për veprat penale “Posedim i paautorizuar i armëve”, “Mundësim ose detyrim në prostitucion”, “Ushtrim i ndikimit, Mashtrim dhe Falsifikim të dokumenteve”.

Në një prononcim për Telegrafin, Gucati ka thënë se është mirë që të gjithë ata që kanë shkelur ligjin të përgjigjen para drejtësisë.

“Unë kam pritur që këto aktakuza do të ngritën nga Prokuroria e Kosovës e jo nga EULEX-i, por nuk prish punë edhe pse i ka ngritë EULEX-i. Këta njerëz kushdo qofshin nëse kanë bërë gabime dhe kanë shkel ligjin duhet të përgjigjen para drejtësisë”, ka thënë Gucati.

Ai i ka bërë apel Prokurorisë së Kosovës që sa më parë t’i kapë keqpërdoruesit e listave të veteranëve, pa marrë parasysh kush janë ata.

LEXO EDHE: Ngrihet aktakuzë për veteranët mashtrues

“E kam thënë shumë herë që është mirë që Prokuroria vendore t’i marrë të gjitha masat, dhe ti hulumtoj të gjitha rastet se ku është problemi dhe te kush. Është një proces i vonuar por unë i bëjë apel Prokurorisë së Kosovës që ti merr të gjitha masat që t’i kap keqpërdoruesit kushdo qofshin ata”, u shpreh Gucati.

Nga gjashtë të akuzuarit nga ana e EULEX-it, prej tyre tre të pandehur janë akuzuar për veprat penale të falsifikimit të statusit të veteranit të luftës së UÇK-së.

Dy ishin falsifikuesit e këtij statusi me anë të mashtrimit, ndërsa njëri ishte përfitues i statusit të falsifikuar të veteranit të luftës.