Albulena Haxhiu replikon ashpër me Memli Krasniqin

Aktuale April 18, 2018 - 16:05
Debat i ashpër mes Albulena Haxhiut e Memli Krasniqit

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, adresoi kritikat e saj kundrejt krerëve të shtetit, duke përshirë kështu edhe ish Ministrin e Bujqësisë, tashmë deputet në Kuvendit e Kosovës, Memli Krasniqi, i cili sipas saj nuk ka bërë asgjë në këtë fushë, raporton "Zeri.info".

Haxhiu me këtë rast tha se “as Lidhja Demokratike e Kosovës as AAK, e as Memli Krasniqi si Ministër i Bujqësisë nuk ka bërë asgjë për këtë punë”.

Sipas saj deputetët e pozitës po përpiqen të amnistojnë përgjegjësit e skandalit të mishit.

“Është e vërtetë që çështja e mishit është e rëndësishme por ajo që ne nuk pajtohemi është që edhe në këtë seancë të amnistohet përgjegjësit. Këtë e bëri edhe thirrësja e kësaj seance, deputetja Musliu”, tha Haxhiu, raporton "Zeri.info".

Haxhiu gjatë fjalës së saj pati edhe një kërkesë, që Shefi i AVUK-ut, Veldet Gjinovci të shkarkohet.

“AVUK-u duhet të ishte krejt i pavarur dhe financiarisht i pavarur. Ne sot nuk kemi bërë asgjë nëse në fund nuk kërkojmë shkarkimin e shefit të AVUKU-t. Haradinaj duhet ta shkarkoj atë”, tha Haxhiu.

Duke iu kundërpërgjigjur Haxhiut, deputeti Memli Krasniqi tha se është e habitshme se si Haxhiu e udhëheq komisionin për legjislacion, dhe nuk merr vesh asgjë nga ligjet.

“Qysh mundet me udhëheq komisionin për legjislacion e mos me marr asgjë vesh nga ligjet. Tendenca për shkarkimin e një njeriu, është tendencë për me linçu persona të caktuar dhe jo tendencë për me krye punë”, tha Krasniqi duke iu adresuar kërkesës së deputetes Haxhiu për dorëheqje të shefit të AVUK-ut.

Pastaj Haxhiu përsëri mori fjalën duke thënë se vetëm atëherë kur Krasniqi të votoj shkarkimin e shefit të AVUK-ut, ajo do ta marr seriozisht./ZERI