Pacolli paralajmëron njohje të reja

Aktuale April 17, 2018 - 18:48
Lajmet

Pavarësisht raportimeve të shumta për tërheqjen e disa njohjeve të shtetit të Kosovës, zyrtarisht Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka marrë asnjë letër për diçka të tillë.

Zyrtarët e politikës serbe janë në fushatë për t’i bindur disa shtete që ta tërheqin njohjen  e shtetit të Kosovës, mirëpo për kreun e diplomacisë kosovare, kjo është vetëm një dëshirë e Beogradit që asnjëherë nuk do të realizohet.

Behgjet Pacolli në një prononcim për Indeksonline ka thënë se jo që do të ketë tërheqje të njohjeve, por shumë shpejt do të vijnë lajme të mira nga disa shtete që po shqyrtojnë njohjen e Republikës së Kosovës.

“Jemi duke punuar më shumë shtete. Procesi është i gjatë për njohje, por jemi duke punuar me intensitet. Do të kemi njohje të reja”, ka thënë Pacolli.

Ndër të tjerash ai ka thënë se deklaratat e ministrit serb, Ivica Daçiq janë vetëm dëshirë e tij.

“Deklarata e Daçiqit është më tepër shprehje dëshirash ku tregon shpirtin distruktiv të tij”, ka shtuar ai.

Pacolli thotë se lajmet që kanë qarkulluar fillimisht në mediat serbe për terhejqe të njohjeve janë vetëm spekulime.

“Nuk kemi me shkrim asnjë tërheqje të njohjeve deri më tani përpos deklaratave politike të individëve të lidhur për një apo tjetër arsye me Beogradin”, ka shtuar ai./Indeksonline/