Aktuale

Opozita kërkon shkarkimin e ministrave me aktakuza

Opozita kërkon shkarkimin e ministrave me aktakuza
17 prill 2018 • 08 : 39 Foto: Laura Hasani

Opozita insiston se qeveria “Haradinaj” ka humbur legjitimitetin dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Doruntina Thaçi

Deputetët opozitarë kanë kërkuar që të shkarkohen tre ministrat ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Madje opozitarët thonë se qeveria “Haradinaj” ka humbur legjitimitetin dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse në seancën plenare të Kuvendit ishte paraparë që të mbaheshin pesë interpelanca, katër për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe një për ministrin e Shëndetësisë Uran Ismajli, seanca nisi me shqetësimin e opozitës për ministrat ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza.

Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në seancën e së hënës deklaruan se qeveria “Haradinaj” po e humb legjitimitetin dhe ata kanë kërkuar shkarkimin e këtyre ministrave dhe caktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Një kërkesë të tillë të LDK-së e ka mbështetur edhe Lëvizja Vetëvendosje, shkruan më tutje "Zëri".

Hoti: Ky koalicion ka humbur legjitimitetin

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se nuk pajtohen assesi që ministrat me aktakuzë të qëndrojnë në krye të detyrave.

LEXO EDHE: Serbët e duan Asociacionin me kompetenca ekzekutive

"Në këtë Qeveri janë tre ministra që kanë aktakuza të ngritura. Është edhe një ministër i cili ka shkelur Kodin Penal duke rrezikuar sigurinë publike, por që është mbajtur në Qeveri me votat e deputetëve të partive në këtë koalicion. Por ne nuk mund të pajtohemi që personat me aktakuzë të vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre zyrtare”, ka thënë Hoti.

Deputetët e kësaj partie kanë kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që t’i lirojnë nga detyra ministrat të cilëve u janë ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale.

Mirëpo kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, këto kërkesa të deputetëve të LDK-së i ka quajtur të ekzagjeruara.

"Do të përgjigjem në pjesën çka kanë të drejtë dhe në pjesën që mendoj se ishte paksa e shtuar, e ekzagjeruar. Në pjesën se sa është e drejtë do t'i qëndroj deri në fund", tha Veseli.

Në anën tjetër deputeti Avdullah Hoti sërish ka përmendur rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” duke insistuar në caktimin e datës për zgjedhje të parakohshme.

"Ne nuk mund t’ju ndihmojmë që t’i pastroni radhët tuaja nga njerëzit që po akuzohen çdo ditë për vepra të ndryshme. Është e qartë se ky koalicion ka humbur legjitimitetin në çdo aspekt për të qeverisur me vendin. Sa më parë që të mbështetet nisma e LDK-së për zgjedhje të parakohshme, por të organizuara mirë, është më mirë për qytetarët e vendit", tha Hoti.

Konjufca: Të largohet kjo Qeveri sa më parë!

Se kjo Qeveri duhet të largohet sa më parë është shprehur edhe partia tjetër opozitare Lëvizja Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se qeveria “Haradinaj” është krijuar vetëm për ta kaluar Demarkacionin dhe për ta formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, Qeveria aktuale duhet të largohet sa më parë.

"Pra kjo Qeveri nuk ka lidhje as me zhvillim ekonomik, as me zhvillim të arsimit, as me përmirësim të shëndetësisë. Kurse sa i përket kësaj që po thonë që është jopatriotike të rrëzohet kjo Qeveri me Listën Serbe, si është e mundshme të thuhet kështu kur Lista Serbe është në Qeveri? Pra, të thuash që është e pandershme të rrëzohesh me Listën Serbe, kurse qenka e ndershme të qeverisësh me Listën Serbe kjo me të vërtetë nuk do koment", tha Konjufca.

Deputetët nuk marrin pjesë në votim për turqit e dëbuar

Një pjesë e madhe e seancës së Kuvendit i është dedikuar procedurave të themelimit të komisionit hetimor parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

I gjithë debati u përqendrua se kush do ta kryesojë këtë komision. LDK-ja ishte iniciatorja për këtë komision, i cili do të përbëhej nga 11 anëtarë, derisa sot kërkoi që të hyjë në rend dite.

Deputetët diskutuan për disa orë se kush duhet ta drejtojë komisionin, por në fund nuk është arritur të hyjë si pikë e rendit të ditës pasi mori vetëm 58 vota për dhe një abstenim.

Deputetja Albulena Haxhiu ka deklaruar se kryesimin e komisionit hetimor për dëbimin e shtetasve turq mund ta kryesojnë vetëm LDK-ja ose LVV-ja dhe se nuk mund të kryesohet nga partitë në pushtet.

Kurse deputeti Hajdar Beqa tha se nuk është mirë që të krijohen që në fillim komisione të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe se për këtë çështje do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse e themi atë çka thotë komisioni, konsideroj që është shkelje ligjore dhe nuk është mirë të bëjmë një komision me shkelje mendore dhe unë po mendoj që këtë çështje ta dërgoj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

Kurse në emër të LDK-së, Armend Zemaj tha se derisa më herët janë pajtuar për një komision hetimor, tash po duket që ka ndonjë indikacion i cili nuk dëshiron të fillojë punën ky komision.

“Nuk ka ndonjë mandat fuqiplotë as kryesuesi, as zëvendëskryesuesi, të gjithë janë anëtarë të barabartë dhe materiali prapë do të vijë në seancë për votim apo për mosvotim. Kështu ne jemi që kjo pikë të renditet, të themelohet komisioni, të mos kemi këso neglizhence, ndoshta edhe të paqëllimshme, por sido që të jetë t’i hapim rrugë hetimit parlamentar për një ngjarje e cila është konsideruar si një ndër skandalet më të mëdha të këtij viti apo që ka ndodhur në institucionet e sigurisë në vendin tonë”, tha ai.

Kuvendi nuk ratifikon emrat për anëtarë të KSHC-së

Ndërkohë Kuvendi në mungesë kuorumi nuk ka arritur t’i ratifikojë emrat për anëtarë të Këshillit Shtetëror për Cilësi.

Para se të hidhej në votim ratifikimi i këtyre emrave, ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi ka arsyetuar vendimin e tij duke thënë se pas përfundimit të afatit të publikimit dhe të shpalljes publike për thirrje të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë gjithsej kanë aplikuar 35 kandidatë dhe Komisioni, i cili ishte formuar mbi bazën e këtij Udhëzimi Administrativ, kishte hartuar listën e ngushtë prej 16 anëtarëve.

Ai tha se lista e ngushtë është hartuar mbi kushtet të cilat janë përcaktuar në Udhëzimin Administrativ, duke pasur parasysh katër fushat profesionale të ndara sipas Udhëzimit Administrativ.

Ministri Bytyqi tha se në listën e ngushtë janë emëruar 6 anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke u bazuar në dy kriteret kryesore të Udhëzimit Administrativ.

 

© zëri.info