Aktuale

Borissov: Kosova e Serbia pa marrëveshje nuk hyjnë në BE

Borissov: Kosova e Serbia pa marrëveshje nuk hyjnë në BE
17 prill 2018 • 08 : 05 Foto: Laura Hasani

Këto ishin porositë e kryeministrit bullgar, Boyko Borissov, për Kosovën e Serbinë

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, ka thënë se nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë një marrëveshje asnjëra nga këto dy shtete nuk mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Borissov ka thënë se Kosova ka bërë punë të mëdha në procesin e liberalizimit të vizave, por nuk ka thënë se kur do të mundë të merret vendimi për heqjen e vizave për Kosovën. Këto deklarata ai i ka dhënë gjatë një vizite në Prishtinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Nëse nuk nënshkruani marrëveshje me Serbinë, as Kosova e as Serbia nuk do të hyjnë në BE sepse BE-ja nuk dëshiron që problemet tuaja historike të transferohen brenda saj. Kështu që e keni si detyrë të gjeni kompromis të mundë të shkojmë përpara”, ka deklaruar Borissov në konferencën e përbashkët me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Borissov ka thënë edhe se Kosova është e detyruar t’i zgjidhë mosmarrëveshjet me Serbinë.

LEXO EDHE: Tri ditë nga formimi i njëanshëm i Asociacionit

“Nuk duhet të kthehemi në të kaluarën. Ju jeni të detyruar bashkë me serbët t’i zgjidhni mosmarrëveshjet sepse vetëm atëherë Bashkimi Evropian do ta shohë me sy tjetër pjesën tonë”, ka theksuar Borissov, shkruan më tutje "Zëri".

Borissov: Në Samitin e Sofjes Kosova merr pjesë si shtet

Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën kryeministri bullgar Borissov ka thënë se arritjet e Kosovës deri më tani janë të mëdha, por nuk ka thënë se kur të merret vendimi për heqjen e vizave.

“Një pjesë e madhe e shteteve të Ballkanit tashmë e kanë liberalizimin e vizave. Arritjet e Kosovës në këtë fushë janë të mëdha dhe sa më afër që Beogradi e Kosova janë drejt BE-së edhe këto procese do të zgjidhen shumë shpejt. Unë e di shumë mirë që në Ballkan këshilla nuk mund të japim, por mund të ndajmë me ju përvojën tonë se çfarë kemi bërë me Maqedoninë”, ka thënë Borissov.

Në fund të konferencës kryeministri bullgar Boyko Borissov i ka thënë presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se është i ftuar të marrë pjesë në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, që mbahet në Sofje më 16 dhe 17 maj.

“Kosova do të përfaqësohet ashtu siç e kanë njohur mbi 100 shtete. Kurse për ato që nuk e kanë njohur, do të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Borissovi.

Thaçi: Liberalizimi i vizave është në dorë të BE-së

Kurse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se me kryeministrin e Bullgarisë ka folur mes tjerash për dialogun me Serbinë dhe për stabilitetin rajonal.

Presidenti i Kosovës Thaçi i pyetur nga gazetarët e delegacionit bullgar se deri ku ka mbërritur Kosova në procesin e liberalizimit të vizave, ka thënë se të gjitha kushtet për liberalizim janë plotësuar nga ana e Kosovës dhe se tani i mbetet në dorë BE-së ky proces.

“Jemi në procesin e liberalizimit të vizave. Nga 95 kritere, Kosova në tërësi i ka realizuar. Në veçanti, pas kalimit të Demarkacionit, pas takimeve me komisionarët dhe me Mogherinin shoh se gjërat për Kosovën po lëvizin në drejtim të duhur dhe tani është në dorën e BE-së që liberalizmi i vizave për Kosovën të ndodhë”, ka theksuar Thaçi.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri bullgar Boyko Borissov u takua edhe me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn, me të cilin biseduan për rrugët e Kosovës drejt BE-së.

Që të dy kryeministrat në këtë takim u pajtuan që mes Kosovës dhe Bullgarisë nuk ka tema të hapura, por vetëm miqësi e mbështetje të vazhdueshme për njëra-tjetrën.

 

© zëri.info