Tri ditë nga formimi i njëanshëm i Asociacionit

Aktuale April 17, 2018 - 07:48
Lista Serbe jep ultimatumin

Lista Serbe ka dhënë ultimatum se këtë të premte në mënyrë të njëanshme do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Por zyrtarët qeveritarë paralajmërojnë se një veprim i tillë është i papranueshëm, pasi brenda pak muajve Asociacioni do të themelohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri te përfundimi i ultimatumit të dhënë nga Lista Serbe (LS) për formimin e njëanshëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Menjëherë pas arrestimit të Marko Gjuriqit, shef i Zyrës Serbe për Kosovën, përfaqësuesit e Listës Serbe patën paralajmëruar se më 20 prill 2018 do të ndërmarrim veprim të njëanshëm për finalizimin e Asociacionit në rast se institucionet e Kosovës nuk e bëjnë një gjë të tillë, shkruan më tutje "Zëri".

Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri te skadimi i këtij ultimatumi, drejtues të Listës Serbe nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje, përderisa në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se një veprim i tillë është krejtësisht i papranueshëm.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, Asociacioni do të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe një gjë e tillë do të realizohet brenda pak muajsh.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve kushtetuese kanë konsideruar se mënyra se si LS-ja po planifikon ta bëjë Asociacionin është totalisht në mospërputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës.

Edhe Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Progresiste Demokratike (PPD), ka thënë për “Zërin” se formimi i Asociacionit në mënyrë të njëanshme nuk ka as peshë e as rezultate ligjore, përkundrazi një gjë e tillë po përdoret nga Lista Serbe vetëm për konsum të brendshëm politik.

Arifi: Asociacioni sipas Kushtetutës, është çështje muajsh

Avni Arifi, shef i negociatave me Serbinë, njëherësh shef i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se formimi i njëanshëm i Asociacionit nga Lista Serbe do të ishte një gabim i madh dhe një veprim i papranueshëm.

“Ky do të ishte një gabim shumë i madh. Është tërësisht e paakceptueshme dhe këtë Lista Serbe duhet ta dijë. E dyta, sa i përket veprimeve të Qeverisë, veprimet pastaj do të dihen nëse ndodh, por është shumë herët për të folur për mundësinë që kjo të ndodhë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Teksa ka bërë të ditur se tashmë është marrë vendimi për hartimin e një statuti të ri të Asociacionit, Arifi ka pohuar se kjo çështje do të përmbyllet brenda disa muajve.

“Marrëveshja e hartuar atëherë ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Tash duhet të bëhet një draftstatut. E kemi dhënë këtë vendim, është çështje e disa muajve, afatet janë të vendosura edhe nga Bashkimi Evropian. Besojmë që hapësira për formalizimin e një Asociacioni konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës është çështje muajsh”, ka potencuar Arifi.

Haliti: Asociacioni duhet të bëhet, por jo si po kërkon Lista Serbe

Edhe Xhavit Haliti, deputet i PDK-së, ka thënë për “Zërin” se Asociacioni nuk duhet të formohet ashtu siç po kërkon Lista Serbe.

“Së pari, integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm. Së dyti, Kushtetuesja ka nxjerrë vendim i cili përshkruan në detaje të metat e Marrëveshjes së Brukselit. Prandaj Asociacioni duhet të krijohet, por sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe jo sipas pretendimeve për ta bërë një shtet me kompetenca shtetërore siç po pretendojnë ata”, ka deklaruar ai.

E në rast se LS-ja vepron njëanshëm dhe e formon Asociacionin, sipas Halitit duhet të veprojnë organet kompetente për ta kontrolluar gjithë territorin e Kosovës.

Selimi: Nuk duhet t’i nënshtrohemi presionit të LS-së

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, ka konsideruar se prejse ka kaluar Demarkacioni është ditur se do të hapet rruga për formimin e Asociacionit.

“Këtë e ka ditur edhe vetë Haradinaj si kryeministër, këtë e kanë ditur edhe nënshkruesit dhe përkrahësit e saj. Ajo çfarë duhet që të ndodhë është të ndalet kjo ‘Zajednicë’, pavarësisht që në anën e saj po rreshtohen të gjitha institucionet e Kosovës. Po rreshtohen në anën e marrëveshjes, e kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë këtë marrëveshje”, është shprehur ai.

Selimi më tej ka thënë se kjo marrëveshje është e sponsorizuar nga Beogradi, e mbështetur nga BE-ja dhe e aprovuar nga Qeveria e Kosovës. Duke folur rreth paralajmërimit të LS-së për ta formuar njëanshëm Asociacionin, Selimi ka thënë se kjo nuk është hera e parë që kjo parti vepron njëanshëm.

“Lista Serbe po vazhdon të jetë kundër shtetit të Kosovës, vendimet e tyre të njëanshme nuk janë vetëm tani. Ata që nga shpallja e pavarësisë e kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, edhe nëse e shpallin njëanshëm ne nuk duhet t’i nënshtrohemi presionit të tyre”, ka theksuar ai.

Rashiq: Themelimi i njëanshëm i Asociacionit s’ka as peshë e as rezultate ligjore

Kurse Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Progresiste Demokratike (PPD), ka vlerësuar se formimi i Asociacionit në mënyrë të njëanshme nuk ka asnjë peshë. Një gjë e tillë, sipas tij, po përdoret nga Lista Serbe vetëm për konsum të brendshëm politik.

“E di që themelimi i njëanshëm nuk ka peshë, nuk mund të ketë rezultate ligjore. Ai duhet të aprovohet në Qeveri, pastaj në Parlament. Një gjë e tillë është përdorur vetëm për konsumim të arritjes së një elementi ‘të patriotizimit’”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithatë, Rashiq është shprehur optimist se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Aspak nuk besoj që do të shkojë përpara, në veçanti pas konfirmimit të BE-së që e ka një afat prej katër muajve sa i përket draftit për statutin e Asociacionit. Prandaj nuk pres që diçka të ndodhë më 20 prill”, është shprehur ai, duke thënë se çështja e Asociacionit do të duhej të përfundonte qysh para 3-4 vjetësh.

Baraliu: Nisma e Listës Serbe, komplet antiligjore

Njohësi i çështjeve juridike dhe kushtetuese Mazllum Baraliu ka vlerësuar se Qeveria do të duhej të parandalonte çfarëdo veprimi që është antikushtetues dhe antiligjor, duke përfshirë këtu edhe iniciativën e LS-së për themelimin e njëanshme të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

“Iniciativa e Listës Serbe është komplet antikushtetuese dhe antiligjore. Lista Serbe nuk e ka as të drejtën kushtetuese e as ligjore që të merret me të tilla veprime sepse ato bien ndesh me legjislacionin në fuqi. Prandaj Qeveria nuk do të duhej të ishte neglizhuese që të mos e kuptojë seriozitetin e këtij pretendimi dhe të parandalonte iniciativën e tillë, në mënyrë që të mos vijë deri te një akt i kryer, pasi mund të ketë pastaj pasoja”, ka theksuar ai.

Megjithatë Baraliu është shprehur i vendosur se pretendimi i Listës Serbe nuk mund të finalizohet.