Reagon SKV pas vendimit të gjykatës ndaj aktivistëve, kërkon lirimin e tyre

Aktuale April 14, 2018 - 21:45
Lexo detajet

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar paraburgimin prej një muaji gjashtë të arrestuarve të Organizatës Studentore për Barazi  “Studim, Veprim, Kritikë”.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar organizata SKV, duke thënë se është i padrejtë vendimi, duke kërkuar që studentët të lirohen menjëherë.

LEXO EDHE: Gjykata merr vendim për gjashtë të arrestuarit e SKV-së

SKV  i bën thirrje Gjykatës të dënojë policët të cilët sipas tyree keqpërdorën detyrën zyrtare, ndërsa prokurorisë të fillojë hetimet për tejkalimet e të gjitha kompetencave dhe torturimit të studentëve nga ana e pjesëtareve të porositur të policisë.

Gjashtë anëtarët e SKV-së ishin arrestuar në natën mes të enjtes dhe të premtes në parkun e qytetit në Prishtinë ku organizata po festonte tetëvjetorin e themelimit.

Anëtarë të SKV-së protestuan dje para Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.

Policia njoftoi dje se ka intervenuar në park pas ankesave të qytetarëcve se të tubuarit atje po prishin rendin e qetësinë publike dhe po përdorin narkotikë e alkool.

Reagimi i plotë:

Gjykata vazhdon dhunën e policisë ndaj aktivistëve

Gjykata Themelore e Prishtinës, sot u ka caktuar padrejtësisht gjashtë aktivistëve tonë, nga 1 muaj paraburgim. Të gjashtë aktivistët Korab Muhadri, Pajtim Demaj, Hajredin Krasniqi, Kreshnik Gega, Januz Shatri dhe Endrit Shatri, u dënuan së bashku gjithsej me gjysmë viti paraburgim, vetëm për të arsyetuar dhunën brutale të përdorur nga policia e porositur.

Kjo masë e paraburgimit vjen pas dhunës dhe arrestimeve, të studentëve aktivistë natën e 12 prillit, gjatë shënimit të 8 vjetorit të themelimit të STUDIM KRITIKË VEPRIM. Në Parkun e Qytetit, rreth orës 22:00, gjatë video prezantimit të dokumentarit në aktivitetin tonë u paraqitën dy pjestëar të policisë të cilët kërkuan lejen dhe të ulej zëri për muzikën që po luhej. Studentët i paraqitën policisë dokumentacionin si dhe e ulën zërin duke vazhduar aktivitetin të qetë. Vetëm pak kohë më pas u paraqitën dy policë të tjerë të cilët filluan të provokonin duke ofenduar, ngritur zërin edhe duke shfaqur arbitraritetin dhe arrogancën e tyre edhe pse studentët kishin rënë tashmë dakord të grumbullonin sendet dhe të lëviznin nga parku. Edhe pse situata u qetësua disa herë, njëri prej policëve me numrin 9986, vazhdonte provokimet dhe sharjet, duke kërkuar të arrestoheshin studentët organizatorë të aktivitetit, pa kurrfarë sqarimi prapa kërkesës së tij.

Mediat e pushtetit, siç duket qysh nga ajo natë filluan përgatitjen e skenës me shpifje, në mënyrë që vendimi nga Gjykata, pas dhunës brutale të Policisë, të ishte kaq i ekzagjeruar, për një aktivitet të thjeshtë të studentëve. Natën e 12 prillit, vetë njëri nga policët ishte deklaruar për Kohën Ditore, që nuk ishte gjetur asgjë në vendin e ngjarjes, ndërsa në anën tjetër mediat tendencioze publikonin lajme në të cilat rrejshëm përmendeshin narkotikët.

Aktiviteti para ndërhyrjes së qëllimshme të policisë, ishte i qetë. Ishte represioni policor ai që ndryshoi anasjelltas rrjedhën e aktivitetit.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), nga intervistimi, shikimi i dosjeve policore, i evidencave mjekësore dhe observimi, ka deklaruar se gjatë fazës së arrestimit të aktivistëve, transportimit të tyre me makina të policisë madje edhe gjatë qëndrimit në Stacionin Policor në Prishtinë, është përdorur dhunë fizike dhe ofendime si fyerje, sharje e kërcënime. Ky vendim i Gjykatës është vetëm një tentativë e ulët, për të mbuluar lëndimet të cilat i janë shkaktuar aktivistëve tanë.

STUDIM KRITIKË VEPRIM, i bën thirrje Gjykatës të dënojë policët të cilët e keqpërdoren detyrën zyrtare, ndërsa prokurorisë të fillojë hetimet për tejkalimet e të gjitha kompetencave dhe torturimit të studentëve nga ana e pjesëtareve të porositur të policisë. Ne kërkojmë që studentët menjëherë të lirohen!