Ministria e Shëndetësisë rrezikon të humbë miliona euro investime për SISH-in

Aktuale April 14, 2018 - 08:24
Detajet

Ministria e Shëndetësisë rrezikon të humbë miliona euro të investuara për Sistemin Informativ të Shëndetësisë, pasi që ky Sistem tashmë disa vite nuk është futur në funksion. Për më shumë, humbjet veçse kanë filluar me daljen jashtë përdorimit të aparaturave të blera vite më parë për SISH-in, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Derisa zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) nuk kanë pranuar të flasin për gazetën “Zëri” në lidhje me këtë çështje, ish-ministri Rrahmani ka treguar se me moszhvillimin e këtij sistemi rrezikohen 7 milionë euro investime nga Qeveria e Luksemburgut.

Sipas tij, e gjithë kjo shtyrje është bërë në mënyrë që personat e afërt të pushtetit të përfitojnë. Zyra e Auditorit muaj më parë kishte konstatuar se mijëra euro të ndara për këtë sistem kishin shkuar diku tjetër. Gjatë auditimit ishin konstatuar mangësi në kontrollin financiar dhe në menaxhimin e kontratave nga Ministria e Shëndetësisë gjatë realizimit të tyre. Me mangësitë në këtë sistem janë pajtuar edhe anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, të cilët kanë konsideruar se edhe pse SISH-it i janë ndarë miliona euro nuk është punuar asgjë në drejtim të funksionimit të tij. Sipas vlerësimeve të Zyrës së Auditorit, mungesa e të dhënave për pacientët, medikamentet, trajtimet, sëmundjet, menaxhimin e resurseve ka rezultuar në ofrimin e trajtimin shëndetësor joefikas dhe efektiv për pacientët.

Ish-ministri Rrahmani: Moszhvillimi i Sistemit rrezikon miliona euro

Ish-ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ka thënë për “Zërin” se nëse nuk do të zhvillohet SISH-i atëherë rrezikohen të humben miliona euro që janë investuar për këtë sistem. “MSH-ja ka paralajmërime se sistemi nuk duhet të zhvillohet kinse është i tejkaluar dhe duhet anuluar tenderin. Me këtë rrezikojmë investimet e deritanishme, rrezikojmë që reformimin e sistemit shëndetësor ta kthejmë nën pikën zero, rrezikojmë 7 milionë euro investime të tjera në formë donacioni nga qeveria e Luksemburgut”, ka thënë ai. Sipas tij, e gjithë kjo po bëhet për interesa të personave në pushtet. “Mosshtyrja përpara e këtij sistemi dhe këtij tenderit ka bërë që donatori të rishqyrtojë donacionin dhe t’i tërheqë mjetet në të ardhmen. Kjo ka për të pasur pasoja zinxhir edhe për donacione tjera. E gjithë kjo po bëhet vetëm që të orientohen tenderët dhe përfituesit të jenë njerëzit e afërt të pushtetit”, ka deklaruar ai. Rrahmani ka treguar se në implementimin e SISH-it ka pasur shumë investime dhe ndërhyrje. “SISH-i është njëri nga projektet e mëdha që garantojnë transformim rrënjësor të sistemit shëndetësor. Në implementimin e këtij projekti ka pasur shumë angazhim, investime, ndërhyrje dhe përfolje.

Deri tash janë investuar mbi 6 milionë euro edhe nga Qeveria e Kosovës edhe nga Luksemburgu. Investimet kryesisht janë bërë në krijimin e kapaciteteve në dataqendrën në Ministrinë e Administratës Publike, në shtrirjen e rrjetit në ‘Zonën pilot’, krijimin e softuerit dhe trajnimin e personelit”, ka thënë ai. Sipas tij, ka pasur raste kur është vlerësuar se mjetet e parapara në buxhetin e MSH-së nuk mund të shpenzohen dhe ato me procedura ligjore në rishikim të buxhetit janë transferuar në linqe tjerë buxhetore për nevoja të MSH-së. Rrahmani ka deklaruar se në mandatin kur ai ishte në krye të Ministrisë, tenderi ishte shpallur dhe ishte avancuar, por siç ka treguar ai, tani ka ngecje dhe pengesa.

“Ne në mandatin tonë kemi arritur me shumë suksese ta fillojmë pilotimin e sistemit. Nga rezultatet që janë treguar qeveria e Luksemburgut, pra Lux-Dev, ka shprehur gatishmërinë që të investojë edhe me 7 milionë tjera në këtë projekt dhe në projekte tjera.

Gjithashtu në mandatin tonë në fillim të vitit 2017 ne kemi arritur që t’i koordinojmë të gjitha punët për shpalljen e tenderit për shtrirjen e rrjetit ( Harduerit) në 70%-shin e mbetur të institucioneve shëndetësore. Tenderi është shpallur, ka avancuar në procedura, tash ka ngecje e pengesa”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër ndonëse Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga “Zëri” në lidhje me këtë çështje, ministri Uran Ismaili ditë më parë para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi ka thënë se kanë pasur shumë pengesa në këtë projekt, ndonëse ata tashmë i kanë marrë rekomandimet. “Na janë paraqitur shumë pengesa në projektin e SISH-it. Edhe rekomandimet e shumta që na janë dhënë në një projekt i cili ka zgjatur qe 7 vjet tregon se sa kompleks është ky projekt. I kemi pranuar rekomandimet e dhëna nga Auditori, por ende na nevojitet më shumë qartësi rreth këtij projekti”, ka thënë ai.

Raporti i Auditimit: 417 mijë euro të SISH-it shkuan diku tjetër

Zyra e Auditorit muaj më parë ka evituar disa probleme në realizimin e Sistemit Informativ të Shëndetësisë, sipas së cilës mijëra euro të ndara për këtë sistem kanë shkuar diku tjetër. “24% të pagesave që në vlerë financiare është 417 mijë euro janë realizuar për projekte të tjera të cilat nuk ishin paraparë me projektin e SISH-it. Nga buxheti i SISH-it janë kryer pagesat për vendime gjyqësore në vlerë prej 201 mijë eurosh, 77 mijë euro për furnizim me rëntgen në QKUK, 59 mijë për furnizim me ‘Digital ultrasound imaging system’, 70 mijë për ‘Përpilimin e termave të referencës, projektit ideor dhe renovim, sanim i ashensorëve në QKUK’ dhe 9 mijë për ‘Integrimin e bazës së të dhënave në portalin e E-qeverisjes’”, shkruan në raportin e auditimit.

Sipas raportit, pajisjet e blera për shtrirjen e rrjetit kompjuterik nëpër institucione shëndetësore nuk janë shfrytëzuar për tre vjet dhe tashmë janë jashtë përdorimit dhe rezultojnë të amortizuara. Vlerësimet e bëra nga Zyra e Auditorit tregojnë se mungesa e të dhënave për pacientët, medikamentet, trajtimet, sëmundjet, menaxhimin e resurseve ka rezultuar në ofrimin dhe në trajtimin shëndetësor joefikas dhe efektiv për pacientët.

Komisioni për Shëndetësi: Miliona të ndara, por s’është punuar asgjë

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, ka thënë për “Zërin” se ndonëse janë ndarë miliona për këtë projekt nuk është punuar asgjë. “Sipas mendimit tim nuk është punuar tash e sa vite në këtë drejtim. Një projekt ku janë ndarë miliona siç është SISH-i ka 8 vjet që nuk është funksional e që është një ndër parakushtet për sigurime shëndetësore”, ka thënë ajo. Sipas saj, ka gjasa që para se të implementohet Sistemi Informativ Shëndetësor të fillojnë me sigurime shëndetësore. “Në mbledhjen e Komisionit ministri nuk dha datë se kur do të fillohet me sigurimet shëndetësore por që ka gjasa që para se të implementohet Sistemi Informativ Shëndetësor të fillojnë me sigurimet shëndetësore. Ashtu siç është deklaruar edhe më herët se sigurimet shëndetësore do të fillohen në fund të vitit 2018”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Fatmire Kollçaku në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë ka thënë se sistemi shëndetësor është para një kolapsi, i cili po pengon edhe implementimin e sigurimeve shëndetësore.