Partitë, pa qëndrim rreth hetimit të SHIK-ut

Aktuale April 14, 2018 - 08:05
Lajmet

Partitë politike edhe më tutje nuk kanë ndonjë qëndrim rreth iniciativës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për të mbledhur nënshkrime për krijimin e Komisionit Parlamentar për të hetuar veprimtarinë e SHIK-ut. Zyrtarë nga kjo Lëvizje besojnë në përkrahjen e grupeve të tjera parlamentare pasi kjo mbështetja është e rëndësishme në këtë drejtim. Kësaj radhe kjo parti së bashku me Grupi e Deputetëve të Pavarur i posedojnë 31 nënshkrime, por për krijimin e këtij komisioni i duhen 40 nënshkrime, të cilat LVV-ja shpreson t’i gjejë te grupet e tjera parlamentare, shkruan sot Gazeta "Zëri.

Por të pavendosur për kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas të cilëve ende nuk kanë marrë ndonjë vendim zyrtar. Krijimin e komisionit hetimor e shohin të nevojshëm edhe analistë të çështjeve politike.

Haxhiu: Nuk kemi marrë përgjigje zyrtare nga grupet parlamentare

Albulena Haxhiu, anëtare nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për “Zërin” se Vetëvendosja ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike që të mbështesin iniciativën e tyre për ta hetuar SHIK-un. “Përpjekja e tretë e Grupit Parlamentar për të mbledhur nënshkrime për të hetuar organizatën kriminale dhe ilegale që quhej SHIK. I kemi shkruar zyrtarisht edhe Grupit Parlamentar të LDK-së, por edhe Grupit Parlamentar të AAK-së e Nismës. Kemi kërkuar mbështetjen e tyre për këtë iniciativë, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigjeje zyrtare”, ka thënë ajo. Ajo ka përmendur edhe deklaratën e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së i cili ka thënë se ne nuk do ta mbështesim këtë iniciativë për faktin se kryetari i Kuvendit dhe komisionet parlamentare janë të mbivotuara nga mazhoranca. “Kjo është e paqëndrueshme për faktin se Hoti ka thënë që kur LDK-ja të jetë pjesë e Qeverisë ne do të ndërmarrim veprime për të hetuar SHIK-un, kjo është deklaratë e pabazuar. Pra kjo është një qasje hipokrite karshi qytetarëve dhe mashtruese në anën tjetër”, ka thënë ajo.

Haxhiu duke shpresuar që do të gjejë përkrahje kjo iniciativë te grupet parlamentare ka thënë edhe se nëse kjo nuk ndodh Vetëvendosja ka një alternative të dytë. “Do të provojmë edhe alternativën e dytë ku kërkesa jonë dërgohet në seancë plenare pavarësisht se nuk i kemi mbledhur 40 nënshkrime dhe nëse e njëjta i merr 61 vota të deputetëve konsiderohet që është formuar komisioni hetimor”, ka theksuar Haxhiu.

Kadrijaj: LDK-ja e ka obligim t’i përkrahë

Time Kadrijaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë që grupi parlamentar ende nuk ka marrë vendim, por partitë opozitare duhet ta përkrahin këtë kërkesë. “Ne nuk e dimë si grup parlamentar a do ta nënshkruajmë apo jo, megjithatë janë partitë opozitare që duhet ta përkrahin njëra-tjetrën. Iniciativa është për formimin e një komisioni hetimor, unë besoj që LDK-ja do t’i përkrahë pasi e ka si obligim” ka thënë Kadrijaj.

Sipas saj, është në duart e iniciuesve kërkesa e tyre për mbështetje nga partitë tjera.

“Mendoj që iniciuesit e krijimit të këtij komisioni hetimor e kanë menduar mirë kohën për këtë kërkesë. Është detyrë e tyre ta kërkojnë përkrahjen prej deputetëve, qoftë individualisht, qoftë përmes grupeve parlamentare kështu që nuk kam informacione se kush do t’i përkrahë. Ne si parti nuk e kemi diskutuar këtë çështje”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri

Haliti: PDK-ja nuk ka qëndrim për këtë iniciativë

Xhavit Haliti, shef i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, në prononcimin e tij dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë që është e drejtë e tyre një kërkesë e tillë, si dhe efekti i një hetimi të tillë është zero. “Është e drejtë e tyre që të kërkojnë, rregullat janë të përcaktuara si bëhet komisioni hetimor, pastaj ata e dinë, ata duhet të kërkojnë mbështetje te partitë. Le ta kërkojnë te PDK-ja ndoshta edhe ne e nënshkruajmë. Ne nuk kemi asnjë qëndrimi si PDK, ata përdorin zjarre dhe tym e në fund mbetet tym që nuk ka asnjë efekt. Efekti i një lloj hetimi në Parlament është zero” ka thënë Haliti. Ai po ashtu shprehet skeptik në atë se çfarë do të hetojë ky komision pasi ka qenë gjendje lufte.

“Nuk e di çfarë duan të hetojnë ata? Ajo ka qenë gjendje lufte, ka qenë gjendje pas lufte”, ka shtuar ai.

Tahiri: Duhet të krijohet një komision për shërbimet ilegale

Ramush Tahiri, njohës i çështjeve politike, për gazetën “Zëri” ka thënë që duhet të krijohet një komision parlamentar për hetimin e të gjitha shërbimeve që ka pasur secila parti. “Veprimtaria e SHIK-ut duhet të jetë e regjistruar sikur veprimtari e shërbimeve tjera që ka pasur secila parti, shërbimeve ilegale që ka pasur por edhe shërbimi serb që vepron sot, si dhe shërbimet e huaja. Për mendimin tim, Kuvendi mund të krijojë një komision që të bëjë një debat për veprimtarinë e të gjitha shërbimeve në periudhën e caktuar”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, LVV-ja duhet t’i ndjekë rrugët ligjore dhe t’i përmbushë procedurat administrative për procedimin e kësaj kërkese në Kuvend. “Pasi nuk e kam parë kërkesën e LVV-së nuk e di çfarë është koncentruar dhe nuk e di si ka marrë rrugë ligjore sepse për t’u prezantuar një kërkesë në Kuvend duhet t’i plotësojë kushtet formale juridike, ta ketë objektin e trajtimit dhe t’i ketë argumentet, të cilat i prezanton dhe duhet të hyjë në dokument së bashku me konkluzat”, ka thënë Tahiri./ZËRI