Ngec përzgjedhja e kryeprokurorit të Gjykatës Speciale

Aktuale April 14, 2018 - 07:58
Detajet

Skadimi i mandatit të kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, David Schwediman, ka bërë që kjo Gjykatë të zvarrisë edhe më tej fillimin e ngritjes së aktakuzave për “Krime lufte në Kosovë”. Zyrtarë nga Prokuroria Speciale për “Zërin” thonë që Kwai Hong Ip është prokurori specialist i cili do të mbetet në këtë pozitë deri sa të zgjidhet një kryeprokuror i ri, shkruan sot Gazeta "Zëri".


Në fund të muajit mars ka skaduar mandati i kryeprokurorit të Gjykatës Speciale David Schwendiman, i cili qysh nga kjo datë po zëvendësohet nga prokurori specialist Kwai Hong Ip. Christopher Bennett, zëdhënës në Zyrën e Prokurorit Special, ka thënë për “Zërin” se Kwai Hong Ip është prokurori specialist i Veprimit dhe do të mbetet në këtë pozitë derisa të zgjidhet një kryeprokuror i ri, por deri sa kjo të ndodhë kompetencat e Hong Ipit do të jenë të njëjta siç ishin të Schwedimanit. Në anën tjetër organizuesit e këtij procesi, zyrtarë nga Zyra e Bashkimit Evropian i kanë thënë “Zërit” që procesi i rekrutimit për emërimin e një prokurori të ri specialist është në vazhdim dhe pritet që ditëve në vazhdim të propozohen kandidatët e denjë për këtë pozitë. Ndërsa zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes, ka thënë që nuk ka asnjë vonesë në punën e Dhomave të Specializuara porse për zhvillimet lidhur me aktakuzat mund të vendosë vetëm Zyra e Prokurorit të Specializuar.

 Bennett: Hong Ip ka të njëjtin autoritet sikur Schwendimani

Christopher Bennett, zëdhënës në Zyrën e Prokurorit Special, ka thënë se procesi i emërimit të kryeprokurorit të ri udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, por që deri atëherë zëvendësi i David Schwendimanit Kwai Hong Ip ka të njëjtat kompetenca sikurse ai. “Kwai Hong Ip është prokurori specialist i Veprimit dhe do të mbetet në këtë pozitë derisa të zgjidhet një kryeprokuror i ri. Ip është zëvendësi i Schwendimanit si prokuror specialist dhe si prokuror kryesor i Task Forcës Speciale të Hetimeve dhe ka të njëjtin autoritet si Schwendimani”, ka thënë Bennett. . Ip i është bashkëngjitur TFHS-së në qershor të 2012-s si zëvendëskryeprokuror dhe shërbeu si kryeprokuror në detyrë nga gushti i 2014-s deri në maj të 2015-s pas largimit të kryeprokurorit të parë ambasadorit Clint Williamson dhe para ardhjes së Schwendimanit.


Kojcijançiq: Përzgjedhja e kryeprokurorit në vazhdim e sipër

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, ka bërë të ditur për “Zërin” se procesi për emërimin e kryeprokurorit të ri është në vazhdim e sipër, duke lënë të nënkuptohet që ky proces është ende në hapat fillestarë, pasi pritet përzgjedhja e kandidatëve për këtë pozitë. “Procesi i rekrutimit për emërimin e një prokurori të ri specialist është në vazhdim. Ajo po zhvillohet në përputhje me Ligjin mbi Dhomat e Specialistëve, Prokurorinë e Specialistëve dhe legjislacionin e procedurat e tjera përkatëse”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kandidatët që do të kandidojnë do të zgjidhen nga një panel ekspertësh e që në krye të përzgjedhjes do të jetë shefi i misionit të BE-së. “Shtetet anëtare dhe EULEX-i në Kosovë janë ftuar të propozojnë kandidatë të kualifikuar me karakter të lartë moral dhe të kenë nivelin më të lartë të kompetencës dhe të përvojës në kryerjen e hetimeve e ndjekjeve penale.

Kandidatët e tillë do të konsiderohen nga një panel përzgjedhës, duke përfshirë juristë të rangut të lartë ndërkombëtar të kualifikuar në drejtësinë penale”, ka thënë Kojcijançiq. Sipas, saj, paneli do të ketë një shumicë të ekspertëve të jashtëm dhe një përfaqësim të balancuar gjinor. Autoriteti i emërimit për prokurorë në Zyrën e Prokurorit Special është shefi i misionit të BE-së për PSSP-në.

Benes: Nuk ka vonesë në punën e Dhomave të Specializuara

Në anën tjetër zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes, për “Zërin” ka bërë të ditur se nuk ka asnjë vonesë në punën e Dhomave të Specializuara, por që për zhvillimet lidhur me aktakuzat mund të vendosë vetëm Zyra e Prokurorit të Specializuar. “Për sa u përket Dhomave të Specializuara të Kosovës, dëshiroj t’ju kujtoj se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë filluar punën tashmë për njëfarë kohe dhe janë plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor që nga 5 korriku i vitit të kaluar, me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Duke filluar nga korriku i 2017-s i takon Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të ngrejë akuza”, ka thënë Benes. Duke thënë se Dhomat e Specializuara të Kosovës po vazhdojnë punën, ajo ka thënë edhe se nuk ka asnjë vonesë në punën e Dhomave të Specializuara, pasi këto Dhoma kanë qenë aktive në Kosovë në forma të ndryshme.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdojnë punën. Kohët e fundit Dhomat e Specializuara publikuan listat e mbrojtësve për të dyshuar, të akuzuar dhe viktima ose këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë qenë aktive edhe në kuadër të programit për komunikim dhe ndërgjegjësim. Krahas kontakteve të rregullta me organizatat e shoqërisë civile në rajon, kemi organizuar edhe aktivitete të tjera”, ka thënë Benes. Sipas saj, nuk ka asnjë vonesë në punën e Dhomave të Specializuara, por për zhvillimet lidhur me aktakuzat mund të vendosë vetëm Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Miftaraj: Skadimi i mandatit të kryeprokurorit lidhet me ngritjen e aktakuzave

Ndërsa Ehat Miftaraj, nga IKD-ja, për “Zërin” ka thënë që skadimi i mandatit të kryeprokurorit Schwendiman mund të ndërlidhet me ngritjen e aktakuzave, për shkak të rolit që ai ka pasur.

“Sigurisht se edhe skadimi i mandatit të kryeprokurorit aktual do të mundë të ndërlidhej në ngritjen e aktakuzave, duke marrë për bazë rolin e tij në menaxhimin dhe në koordinimin e veprimeve dhe të aktiviteteve që do të ketë me institucionet vendore në Kosovë dhe në sigurimin se institucionet në Kosovë edhe me mbështetje të EULEX-it do të zbatojnë urdhrat e Gjykatës Speciale lidhur me arrestimin e personave të akuzuar dhe dërgimin e tyre në Hagë për t’u përballur me proceset gjyqësore”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, deklaratat e përfaqësuesve të Prokurorisë Speciale se janë duke shqyrtuar materialin 70 mijë faqesh është proces që kërkon kohë. “Përfaqësues të Prokurorisë Speciale janë deklaruar për publikun se kjo Prokurori është duke shqyrtuar mbi 70 mijë faqe material të trashëguara nga ish-Task Forca Speciale për hetimin e pretendimeve të senatorit Dick Marty dhe të dosjeve e materialeve të dërguara nga Serbia në këtë institucion. Pa dyshim se trajtimi, analizimi dhe shqyrtimi i gjithë këtij materiali kërkon kohë që edhe ndikon drejtpërdrejt në prolongimin e ngritjes së aktakuzave”, ka thënë Miftaraj.