Diplomacia kosovare, në defanzivë

Aktuale April 14, 2018 - 07:53
Detajet

Përderisa diplomacia serbe po vazhdon të lobojë te shtetet e ndryshme nëpër botë që t’i tërheqin njohjet e tyre ndaj Kosovës, diplomacia kosovare ka mbetur në defanzivë, duke mos arritur t’i ruajë raportet me vendet që tashmë kanë njohur Kosovën dhe duke mos bërë përpjekje për njohje të reja, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përderisa diplomacia serbe po vazhdon të lobojë te shtetet e ndryshme nëpër botë që t’i tërheqin njohjet e tyre ndaj Kosovës, diplomacia kosovare ka mbetur në defanzivë, duke mos arritur t’i ruajë raportet me vendet që tashmë kanë njohur Kosovën dhe duke mos bërë përpjekje për njohje të reja.

Para pak ditësh ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka njoftuar se Burundi e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, megjithatë nga MPJ-ja në Kosovë kanë thënë se Ministria nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar që do ta dëshmonte një gjë të tillë. Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se deklaratat e vazhdueshme për tërheqje të njohjeve i sjellin pasoja të konsiderueshme shtetit të Kosovës.

Andaj, sipas tyre, institucionet e vendit duhet të angazhohen intensivisht që të mos e lënë Serbinë të kundërlobojë për Kosovën, kjo pasi duke vazhduar me këtë temp Kosova vetëm sa i keqëson raportet ndërkombëtare me vendet që e kanë njohur atë. Në anën tjetër, edhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme si nga pozita, ashtu edhe nga opozita, thonë se diplomacia kosovare duhet të punojë më shumë në këtë drejtim.

Tërheqja e njohjes nga Burundi

Para pak ditësh ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, takoi homologun e tij nga Burundi Alain Aime Nyamitwe, me ç’rast siç raportuan mediet serbe, ai u njoftua për tërheqjen e njohjes ndaj Kosovës. Ndërkaq ministri i Jashtëm i Burundit citohet të ketë thënë se deri te tërheqja e njohjes erdhi pasi vendimi në fjalë kishte qenë kundër parimeve të politikës së këtij shteti.

“Shqetësimi ynë qëndronte në vendimin për njohjen ose jo të Kosovës. Por pse duhet ta bëjmë një gjë të tillë nëse kjo është kundër parimeve tona të politikës së jashtme?”, është shprehur Nyamitwe. Të kontaktuar nga “Zëri” lidhur me këtë çështje, nga MPJ-ja nuk kanë dhënë detaje shtesë, pos asaj që është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate.

“Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga Republika e Burundit që do të mundë të konsiderohej në kundërshtim me Notën Verbale për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga ana e Republikës së Burundit, më datën 16 tetor 2012”, thuhet në këtë njoftim.

Ujkani: Tërheqja e njohjeve ndikon negativisht në raportet ndërkombëtare

Duke folur rreth kësaj Emrush Ujkani, profesor i së drejtës evropiane, ka vlerësuar se tërheqjet e njohjeve rezultojnë me efekte tejet negative në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare. “Ajo çka është vërtet shqetësuese është ndikimi në marrëdhëniet ndërkombëtare, në imazhin e Kosovës, kjo është ajo që duhet të na shqetësojë. Andaj, duhet të jemi të kujdesshëm në veprimet e mëtutjeshme”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Pas këtyre rrethanave sipas Ujkanit, shteti i Kosovës duhet që të krijojë marrëdhënie diplomatike me të gjitha shtetet, edhe me ato që s’e kanë njohur Republikën e Kosovës. Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të investojnë më shumë që ta parandalojnë ofensivën e Serbisë. “Të bëhen më shumë vizita në shtetet që kanë njohur Kosovën dhe të mbahen kontakte të rregullta diplomatike, që të ndalet kjo ofensivë që është vërtet e paparashikueshme, e cila do të sjellë pasoja për Kosovën”, ka theksuar ai.

Prenkaj: Tërheqjet të shërbejnë si paralajmërim për Kosovën

Ndërkaq Adrian Prenkaj, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka konsideruar se përpjekjet e Serbisë për t’i tërhequr njohjet e Kosovës janë pjesë e strategjisë para fazës finale të dialogut për ta minuar konsolidimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

“Në këto përpjekje Serbia përkrahet prej aleatëve të saj që nuk e kanë agjendën në pajtueshmëri me Perëndimin. Qëllimi i tyre është për ta paraqitur pavarësinë e Kosovës si projekt të paqëndrueshëm. Duhet ta kemi parasysh që kjo po ndodh në kontekst të përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL”, ka deklaruar Prenkaj.

Gjatë analizës së tij Prenkaj ka vlerësuar se veprimet e tilla të shtetit serb duhet të merren si paralajmërime për Republikën e Kosovës. “Kjo duhet të shërbejë si paralajmërim për institucionet shtetërore të Kosovës, e në veçanti bartësve të politikës së jashtme të cilët nuk mund t’i kontrollojnë këto rrethana, por kanë mundësi të mobilizohen me një strategji të re agresive të komunikimit dhe të depërtimit te aleatët tanë tradicionalë”, ka nënvizuar ai.

Reçica: Çdo tërheqje e njohjes e dëmton Kosovën

Kurse Elmi Reçica, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme nga PDK-ja, ka vlerësuar se përpjekjet e Serbisë kanë qenë dhe do të jenë të vazhdueshme që ta pengojë Kosovën drejt rrugëtimit të saj si shtet i pavarur dhe sovran. Megjithatë, Reçica ka pohuar se të tilla raste nuk kalojnë pa e dëmtuar shtetin e Kosovës. “Pa diskutim që çdo tërheqje e njohjes e dëmton Kosovën, por ne do të bëjmë përpjekje që ato të mos ndodhin. Do të angazhohemi që të kemi njohje të reja dhe forcim të raporteve me shtetet që na kanë njohur deri më tash”, ka potencuar ai.

Gorani: Beogradi e shfrytëzoi dialogun duke propaganduar për imazh të Kosovës

Ndërkaq Dukagjin Gorani, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme nga GDP-ja, ka konsideruar se Ministria për Punë të Jashtme duhet ta sqarojë çështjen e tërheqjeve të njohjeve, për të cilat po raportohet në vazhdimësi. 

Gorani më tej ka vlerësuar se dialogu është përdorur nga pala serbe për të propaganduar me imazhin e Kosovës. “Mes tjerash, edhe politika e jashtme e Kosovës është peng i procesit të gabueshëm politik me Serbinë. Beogradi e shfrytëzoi pakuptimësinë e këtij dialogu shtatëvjeçar duke propaganduar për imazh të Kosovës si shtet i paqenë dhe shoqëri e ndarë. Deri sot bisedimet me Serbinë janë përdorur vetëm për ta fituar dhe për ta mbajtur pushtetin në Kosovë. Çmimin që e paguajmë për këtë është zvogëlimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, që shpërfaqet edhe përmes skandaleve si ky me Burundin”, ka theksuar ai.

Kadrijaj: Diplomacia kosovare të jetë më aktive

Kurse Time Kadrijaj, po ashtu anëtare e Komisionit të Jashtëm nga AAK-ja, ka vlerësuar se pala kosovare duhet të jetë më aktive sa i përket lobimit për njohje të reja ose për ruajtje të raporteve me shtetet që kanë njohur Kosovën. “Serbia në vazhdimësi bën kundërfushatë për Kosovën.

Por unë mendoj që diplomacia kosovare duhet të jetë më aktive në këtë drejtim, duhet të lobojë që ne të kemi njohje të reja, jo tërheqje të njohjeve. Duhet të jetë më aktive në lobim, qoftë Komisioni Parlamentar, qoftë diplomacia, duhet të jenë aktivë edhe ambasadorët që janë të akredituar në shtetet e botës, në mënyrë që të na sjellin njohje dhe jo të ndodhë e kundërta”, ka theksuar ajo.