Zëvendësdrejtori i AKI-së s'shkon për të raportuar para Komisionit për gylenistët

Aktuale April 13, 2018 - 10:59
Lexo detajet

Zëvendësdrejtori i AKI-së, Latif Merovci, nuk ka shkuar për të raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Merovci pritej të raportonte pas largimit të drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, i cili më herët nuk i ishte përgjigjur ftesës së këtij komisioni për raportim, njofton Klan Kosova.

“Po ju shkruaj në lidhje me ftesën e dërguar, me mirësjellje na lejoni që t’iu njoftojmë që për shkak të angazhimeve është e pamundur që të jemi në mbledhjen e Komisionit. Po ashtu kërkojmë që raportimi të shtyhet deri në qartësimin e pozicionit”, shkruante në letrën e dërguar para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Zëvendëskryetarja e këtij Komisioni, Ganimete Musliu, ka thënë se sot e vetmja pikë e rendit të ditës në mbledhjen e Komisionit ka qenë raportimi nga ana e zëvendësdrejtorit të AKI-së për gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Ajo ka thënë se pasi Driton Gashi nuk është më në krye të kësaj Agjencie, raportimin para Komisionit obligohet ta kryejë zëvendësdrejtori, Latif Merovci.

“Ligji për AKI-në e sqaron më së miri situatën që jemi tani. Jemi duke vepruar në bazë të ligjit”, ka thënë ajo.

Zëvendëskryetarja e Komisionit tha se pavarësishtse çfarë po ndodh, AKI e ka obligim që të raportojë për gjendjen në Kosovë para Komisionit për mbikëqyrjen e kësaj Agjencie.