Ministria e Shëndetësisë i lë specializantët gjysmë viti pa paga!

Aktuale April 13, 2018 - 09:21
Lexo detajet

Po bëhen katër muaj që nuk kanë marrë paga nga Ministria e Shëndetësisë, pavarësisht kontratave që i kanë nënshkruar me këtë të fundit.

Por, specializantët e shëndetësisë do të duhet të presin së paku edhe dy muaj tjerë për pagat e tyre, derisa në Kuvendin e Kosovës të bëhet rishikimi i buxhetit të shtetit për këtë vit.

Specializantët e performancës nuk kanë marrë pagë që nga dhjetori i vitit të kaluar, madje disa përmendin se ka raste se i kanë marrë vetëm pagat e nëntorit.

‘Me sa kemi dëgjuar nga kolegët tre specializantëve të performancës nuk u janë paguar pagat e dhjetorit 2017, pasi që gabimisht janë hequr nga lista e pagave, ndonëse vet Ministria e Shëndetësisë u ka vazhduar kontratat’, thotë për portalin ‘Infokusi’ njëri nga specializantët, duke shtuar se për disa specializantë ky është muaji i pestë pa paga për shkak të këtij gabimi për të cilin kanë bërë tashmë ankesë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Por, heqja nga lista e pagave të tre specializantëve nuk është gabimi i vetëm i Ministrisë së Shëndetësisë.

Por, mjetet e dedikuara për pagesë të specializantëve  janë vendosur në një linjë tjetër të shpenzimeve, e cila nuk është e dedikuar për pagesat e tyre, prandaj kjo çështje nuk do të rregullohet para korrikut të këtij viti, kur do të ndodhë rishikimi i buxhetit.

‘Ju kemi informuar se çështja e specializantëve do të zgjidhet më rishikim të buxhetit për shkak se me rastin e miratimit të Ligjit për buxhetin në Kuvendin e Kosovës, mjetet e dedikuara për pagesë të specializantëve janë vendosur në një linjë të shpenzimeve që nuk është e dedikuar për pagesa të specializantëve, prandaj kjo çështje do të rregullohet me rishikim të buxhetit dhe Ministrisë do t’i mundësohet të kryejë pagesën e tyre pa bërë ndonjë shkelje ligjore’, thuhet në përgjigjen e divizionit të komunikimit me publikun në Ministrinë e Shëndetësisë për portalin ‘Infokusi’.

Përndryshe, ky është rasti i parë që specializantët e shëndetësisë nuk marrin 6 muaj pagë, ndonëse punojnë vazhdimisht në klinikat e ndryshme të Shërbimit Spitalor dhe Universitar të Kosovës.

Për më tepër, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte premtuar në fillim të mandatit të tij se specializantët do të futen në listë të rregullt të pagave, por vetëm pak muaj pas marrjes së mandatit, për shkak të gabimit me linjën e shpenzimeve, specializantët kanë mbetur ta presin muajin korrik për t’i marrë pagat e tyre.

Për shkak të trajtimit jo të dinjitetshëm nga institucionet kosovare, shumë mjekë dhe infermierë kanë ikur nga Kosova dhe kanë shkuar për të punuar kryesisht në Gjermani.