Hoxhaj reagon për fletarrestet e lëshuara kundër shqiptarëve nga Serbia

Aktuale April 12, 2018 - 15:52
Lexo detajet

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dënuar veprimet më të fundit të Serbisë kundër liderëve të Kosovës, duke keqpërdorur organizatat ndërkombëtare.

Së fundmi, Serbia ka arritur që përsëri t’i kthejë në databazën e INTERPOL-it fletarrestet për Thaçin dhe Haradinajn.

Hoxhaj tha se ky keqpërdorim i institucioneve ndërkombëtare nga ana e Serbisë, po vazhdon duke përdorur akuza që tashmë janë dëshmuar të jenë të rrejshme.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj deklaroi se këto veprime nuk janë as në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, as në frymën e perspektivës evropiane, e aq më pak kjo nuk do të ndihmojë normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

LEXO EDHE: Rikthehen fletarrestet kundër shqiptarëve të Kosovës

“Serbia vazhdon të abuzojë me organizatat ndërkombëtare për ta dëmtuar Kosovën përmes fletarresteve të INTERPOL-it, me deklarata që tashmë janë dëshmuar të jenë të pavërteta. Kjo sjellje nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira as të perspektivës evropiane, aq më pak e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Ministri i Brendshëm serb ka deklaruar sot se INTERPOL-i i ka rikthyer fletarrestet për presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, të cilat ishin tërhequr nga databaza e kësaj organizate në dhjetor të vitit të kaluar.