Sejdiu: Kosova, ''e zaptuar'' nga personat e korruptuar

Aktuale April 12, 2018 - 08:40
Flet për 'Zërin' deputeti Korab Sejdiu

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës Korab Sejdiu, duke e quajtur Qeverinë aktuale të vendit si tejet të dëmshme, ka thënë se vendi duhet sa më parë të shkojë në zgjedhje

Korab Sejdiu në një intervistë ekskluzive për Zërinka thënë se është pro rrëzimit të qeverisë “Haradinaj”, duke shtuar se nevojitet konsistencë mes opozitës së vendit, duke lënë anash edhe inatet personale me qëllim që kësaj Qeverie t’i jepet fund.

Sipas Sejdiut, Qeveria aktuale është një grupim i klaneve të cilët po punojnë për interesa të tyre dhe jo për interesa të Kosovës.

LEXO EDHE: Haradinaj në pritje të emrave për shef të AKI-së dhe të MPB-së

Sejdiu gjatë kësaj interviste ka folur edhe për arrestimin e shtetasve turq, për të cilin konsideron që është një nga proceset më të dëmshme për vendin, pasi është shkelje e të drejtave të njeriut.

Sejdiu ka dhënë edhe instruksione se si duhet të zhvillohet faza përfundimtare e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e që sipas tij do të duhej të përfundonte sa më parë, pasi po udhëhiqet nga njerëz jokompetentë dhe pa mandat, siç është presidenti Thaçi.

Zëri: Z. Sejdiu, raportet në mes të Kosovës dhe të Serbisë janë tensionuar pas arrestimit të politikanit serb Marko Gjuriq. Si po i shihni deklaratat si të krerëve të shtetit serb, ashtu edhe të atyre kosovarë lidhur me marrëdhëniet mes dy shteteve?

Sejdiu:
Deklaratat zakonisht po vijnë prej dy burimeve, një nga ana e presidentit Thaçi dhe e dyta nga ana e serbëve nga presidenti Vuçiq, të cilët me gjasë këto deklarata përveçqë i kanë të koordinuara mes vete më shumë i kanë për ta ushqyer atë popullzimin vendor sesa  kanë ndonjë efekt ose ndonjë përmbajtjeje. Po flasim për personat të cilët janë treguar jashtëzakonisht të papërngjeshëm veçanërisht në anën tonë dhe kjo është një fatkeqësi e madhe duke e pasur parasysh se çfarë rëndësie ka raporti ynë me Serbinë për të ardhmen e Kosovës. Po aq më me rëndësi është çështja se si ne vendosim tutje ta trajtojmë çështjen e dialogut me Serbinë, e kemi parë që e kemi një ekip i cili është bërë vetëm sa për të thënë që e kemi një ekip për dialog, ndërsa në anën tjetër presidenti Thaçi shkon edhe mban takime sekrete dhe vetëm ai e di se çka bisedon dhe çka negocion.

Zëri: Në Bruksel muajin e kaluar u zhvillua një takim mes delegacionit serb dhe atij kosovar dhe po ashtu një takim mes dy presidentëve të të dyja vendeve. Por sipas zyrtarëve që morën pjesë në këto takime, pala serbe ishte treguar jobashkëpunuese duke kërkuar me ngulm formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Si mund të bëhet ky Asociacion dhe a munden serbët ta formojnë atë në mënyrë të njëanshme, ashtu siç kanë paralajmëruar?

Sejdiu:
Pikërisht këtu është fatkeqësia. Kjo është shenja kryesore e dialogut të dobët që është bërë nga ana e Kosovës, ku kemi një mori marrëveshjesh të cilat janë bërë kryesisht nga presidenti Thaçi dhe pothuajse asnjë prej tyre nuk zbatohet nga Serbia. I vetmi zotim i Kosovës që është vonuar dhe jo për arsye që nuk kemi dashur ta bëjmë, por për arsye se ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe ata e kanë vlerësuar këtë tentativë, pra vetëm kjo nuk është zbatuar deri në fund dhe tani edhe Serbia, edhe Brukseli nuk fokusohen në numrin e madh të marrëveshjeve që nuk po i zbaton Serbia, por për shkak se ne po kemi negociatorë jashtëzakonisht të dobët, negociatorë të cilët për arsye dhe për rrethana personale nuk mund të ngulin këmbë sa i përket zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Kosovës. Ata fokusohen në atë të vetmen marrëveshje që ne jemi vonuar në zbatim. Kjo është një padrejtësi e madhe, por nuk është padrejtësi që vjen vetëm nga Serbia apo nga Brukseli, por edhe sepse ne kemi një person që shkon e negocion në Bruksel pa mandat fare, i cili mendon që mund të sillet në Kosovë dhe jashtë Kosovës sikur të jetë Kosova e tij dhe kjo duhet të ndalohet sa më shpejt që është e mundur.

Dëbimi i shtetasve turq, proces tejet i dëmshëm për Kosovën 

Zëri: A e përkrahni ju si deputet formimin e Asociacionit të Komunave Serbe?

Sejdiu:
Po, natyrisht unë nuk e shoh ndonjë problem që komunat të formojnë lidhje mes tyre, qoftë ato me shumicë shqiptare, qoftë ato me shumicë serbe. Gjithmonë brenda kornizave kushtetuese dhe ligjore duke mos lejuar në asnjë mënyrë të formohet ndonjë lloj qeverisjeje e mesme mes asaj lokale dhe qendrore, e natyrisht nuk guxon në asnjë mënyrë një grupim i komunave të ketë ndonjë kompetencë ekzekutive. Unë jam për liberalizim të veprimtarisë së Komunave dhe ndërlidhjes së tyre për t’i koordinuar veprimet e tyre qoftë ekonomike, apo të ndonjë natyre tjetër, por në asnjë mënyrë që ajo të shndërrohet në një mundësi që të organizohet Kosova në mënyra etnike ku ajo pastaj do të ishte një lloj parathënie për ndarje ose kantonizim të Kosovës apo edhe për të krijuar ndonjë qeveri të mesme, që nuk është e paraparë as me Kushtetutë e as me ligj.

Zëri: Dëbimi i 6 shtetasve turq është një ndër temat që ka ngjallur më së shumti debat kohëve të fundit. Si e keni parë ju këtë aksion dhe a jeni i kënaqur me dorëheqjet e kërkuara nga kryeministri Haradinaj?

Sejdiu:
Kjo ka qenë momenti më i vështirë dhe më i dëmshëm për Kosovën, ndoshta që nga koha e pasluftës. Edhe pse kemi shumë persona e politikanë që e cenojnë Kushtetutën në baza ditore dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht nga institucionet publike, por kjo ka qenë në një nivel krejt tjetër. Deri më tani ne kemi marrë informata të kufizuara ose nga mediet, ose nga burime tjera joformale dhe është mirë që Parlamenti është në proces të formimit të një komisioni hetimor për këtë çështje, sepse ne po synojmë që të jemi vend perëndimor, si një vend që e ka demokracinë rregull të shoqërisë dhe i kemi disa instrumente vendore si Kushtetuta, por edhe tjera ndërkombëtare që i kemi bërë pjesë të Kushtetutës sonë që garantojnë të drejtat e njeriut dhe rrëmbimi i qytetarëve pa asnjë procedurë bie ndesh me këtë, veçanërisht kur po ka indikacione se këto shkelje janë bërë me urdhër të presidentit të vendit, i cili nuk ka kompetenca të ndërhyjë në zinxhirin komandues, as të AKI-së, ka vetëm kompetenca për të marrë informata. Kjo nuk ka të bëjë fare me Turqinë duhet ta kuptojmë këtë, ata mund të kenë qenë edhe qytetarë të Amerikës, të Francës apo qytetarë të Kosovës, por në asnjë mënyrë ne nuk guxojmë të lejojmë që qytetarët të cilët qëndrojnë në Kosovë t’i nënshtrohen një rrëmbimi të tillë, një cenim të të drejtave të tyre pa asnjë procedurë, kjo nuk guxon të ndodhë në Kosovë.

Zëri: Z. Sejdiu, me kalimin e Demarkacionit me Malin e Zi ne e kemi plotësuar njërin nga kushtet e BE-së për liberalizim, por si kusht të dytë e kemi edhe luftimin e korrupsionit. Sa mendoni që Kosova është në rrugën e duhur për ta plotësuar këtë kriter?

Sejdiu:
Nuk jemi në rrugë të mbarë. Korrupsioni në Kosovë është në nivel të lartë dhe bëhet nga niveli i lartë, pra nga klasa politike. Me klasën politike aktuale dhe me pushtetarët aktualë ne nuk mund të themi që po e luftojmë korrupsionin, sepse kjo nënkupton që ata duhet ta luftojnë vetveten. Nuk mund të presim që dikush ta luftojë vetveten, kur vetë është i korruptuar dhe nuk e kupton që është i korruptuar. Kjo nënkupton që atij i është hequr parimi moral, i cili i tregon se çka është mirë dhe çka është keq. Ne mundemi t’i vendosim në letër ato kritere me qëllim që të përmbushet një kriter formal sa i përket liberalizmit të vizave, mirëpo realiteti në Kosovë nuk është diçka që duhet të na tregojë Brukseli. Ne jetojmë këtu, e dimë se çka është mirë këtu dhe çka është keq. E kuptojmë shumë mirë që pothuajse çdo institucion publik është i ngufatur nga persona të cilët e kanë privatizuar shtetin dhe e kanë vënë tërë shtetin e institucionet e vendit në shërbim të tyre privat. Përderisa këta persona qëndrojnë në politikë ne nuk mund të themi që e kemi luftuar korrupsionin e aq më pak që e kemi mundur atë. Ne jemi një vend që e ardhmja jonë është duke u sakrifikuar nga disa persona, të cilët nuk po e kuptojnë që janë duke i bërë dëme vendit për interesa të pastra personale.

Sa më parë të rrëzohet qeveria “Haradinaj”

Zëri: Si e vlerësoni punën e deritanishme të qeverisë “Haradinaj”?

Sejdiu:
Është një qeveri e skandaleve, e vendimeve të cilat nuk i kanë bërë nder as Kosovës, as vendit e as qytetarëve. Që nga fillimi unë kam qenë konsistent kur kam thënë që nuk duhet të formohet një qeveri e cila përbëhet prej pakicës së përfaqësuesve shqiptarë në Kuvend dhe e cila është peng i Listës Serbe që dirigjohet nga Beogradi. Kjo nuk është diçka që funksionon, aq më tepër kur ia shton asaj faktin që kemi njerëz të papërgjegjshëm aty. Është hera e parë që Kosova çdo post kryesor e ka të zaptuar nga njerëz të papërgjegjshëm, pra njerëz ku të vetmin vendim që e kanë është interesi i tyre personal dhe jo interesi i përgjithshëm i Kosovës. Kjo Qeveri i ka dhënë pikërisht ato rezultate që kanë qenë shumë të pritshme e të cilat janë negative, skandaloze dhe të dëmshme për vendin. Është një grupim i klaneve të cilat dita-ditës po punojnë për interesa të tyre dhe nuk është që punojnë për t’u koordinuar me qëllim të arrijnë një rezultat të caktuar për Kosovën. Kështu që pa e mohuar ndonjë rezultat eventual i cili mund të ketë qenë brenda ndonjë ministrie, në përgjithësi kjo Qeveri është shumë e dëmshme, prandaj sa më herët që i ndërpritet jeta dhe shkohet në zgjedhje, aq më mirë është për vendin.

Zëri: Z. Sejdiu, nëse opozita e vendit ngre mocionin e mosbesimit ndaj koalicionit aktual qeverisës ashtu siç kanë paralajmëruar, ju si deputet a do ta përkrahni këtë mocion?

Sejdiu:
Unë veproj në kuadër të Grupit Parlamentar të LDK-së, i cili edhe ka qenë më i zëshmi sa i përket rrëzimit të kësaj Qeverie dhe shkuarjes në zgjedhje. Qëndrimi im është i qartë, është nevoja që të ulemi dhe të bisedojmë, të caktojmë datën e zgjedhjeve, por nëse e shohim që kjo nuk ndodh atëherë duhet që menjëherë të shkohet me mocion. Besoj që jeta e kësaj Qeverie varet nga opozita, domethënë sa jemi ne si opozitë të koordinuar për t’i bërë numrat e nevojshëm për ta rrëzuar Qeverinë. Besoj që opozita duhet të konsolidohet dhe t’i lërë disa çështje problematike që mund t’i ketë mes vete, sepse e ardhmja e Kosovës është duke u rrezikuar në mënyrë të jashtëzakonshme edhe nga presidenti, por edhe nga kjo Qeveri. Sa ma herët që shkohet në zgjedhje dhe sa më herët që u jepet mundësi qytetarëve të ndërrojnë këtë klasë politike, aq më mirë është për vendin.

Në dialog me Serbinë ne jemi vetëm spektatorë

Zeri: Si duhet të zhvillohet sipas jush faza e fundit e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Sejdiu:
Po rikthehem prapë tek ajo që kam thënë shumë moti. I gjithë ky proces i dialogut me Serbinë është menaxhuar keq dhe gabimisht. Në vitin 2010 një përfaqësuese atëherë e Qeverisë, tash është ambasadore, shkoi në Bruksel për të marrë agjendën e negociuar nga znj. Ashton me presidentin e atëhershëm Tadiq, pra ne kemi qenë spektatorë në ndërtimin e agjendës së bisedimeve dhe kjo është një fatkeqësi e madhe sepse që nga fillimi ne kemi marrë pjesë në një lojë që është organizuar nga dikush tjetër. Tash që me gjasë po i afrohemi fundit është mirë që ne të ulemi dhe së pari të kemi njerëz që bisedojnë me Serbinë e që kanë mandat e jo siç ka ndodhur deri më tani. E dyta është që ne të përcaktojmë qartë se çka duam nga ky dialog. Duhet edhe të dimë se cilat janë vijat e kuqe sepse ne dëgjojmë që presidenti Thaçi po negocion për shkëmbim territoresh dhe për ndarje të Kosovës, e kjo është e palejueshme, kjo është çmenduri. Ne duhet të përcaktojmë edhe një afat përfundimtar sepse nuk mundemi në pafundësi të negociojmë me Serbinë. Po ashtu ne nuk guxojmë të negociojmë pa i zbatuar Serbia të gjitha marrëveshjet për të cilat është zotuar në të kaluarën dhe përfundimisht duhet të vijmë në një marrëveshje përfundimtare e cila garanton se edhe nëse Serbia nuk mund drejtpërdrejt ta njohë Kosovën, të paktën zotohet me garantimin e BE-së dhe të SHBA-së që ajo nuk do të jetë më pengesë për Kosovën në proceset integruese në anëtarësime nëpër organizata botërore. Qëllimi përfundimtar duhet të jetë që të na shkëpusin prej Serbisë, të mos kemi të bëjmë me ta dhe ta trajtojmë vetëm si një vend fqinj, siç e trajtojmë Malin e Zi apo Maqedoninë.