Rrëzimi i Qeverisë, mision i vështirë

Aktuale April 12, 2018 - 08:08
Mësojeni se kush thotë kështu

Rrëzimi i Qeverisë vlerësohet të jetë mision shumë i vështirë për LDK-në dhe për LVV-në që së bashku kanë 46 deputetë, ndërsa 12 deputetët e GDP-së shprehen të rezervuar sa i përket kësaj ideje. Analistët thonë se vështirë që do të ketë zgjedhje para vjeshtës së këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ani pse koalicioni qeverisës tashmë është duke funksionuar me vetëm 53 deputetë në Kuvendin e Kosovës rrëzimi i Qeverisë nuk do të jetë mision i lehtë për t’u realizuar.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se për rrëzimin e Qeverisë nuk janë të interesuara të gjitha subjektet opozitare.

LEXO EDHE: Lista Serbe edhe në pushtet, edhe në opozitë!

Ani pse lëvizja “Vetëvendosje” është deklaruar pro mocionit dhe zgjedhjeve të parakohshme analistët vlerësojnë se kësaj partie dhe as Grupit të Pavarur të Deputetëve nuk u konvenojnë zgjedhjet në rrethanat e tanishme, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës sërish ka paralajmëruar ngritjen e mocionit në qoftë se partitë politike nuk bien në ujdi për caktimin e një date për zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë nga koalicioni qeverisës shprehen të bindur se opozita nuk i ka numrat për ta realizuar synimin e saj.

Ndërkaq, përfaqësuesit e GDP-së gjatë ditës së djeshme kanë deklaruar se në situatën e tanishme nuk mund të flitet për zgjedhje të parakohshme.

Po ashtu duhet kujtuar faktin se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas daljes së Listës Serbe nga Qeveria ka thënë se ky subjekt nuk voton rrëzimin e Qeverisë.

Deliu-Kodra: Opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar Qeverinë

Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme për rrëzim të Qeverisë deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra ka konsideruar se aktualisht nuk ka kurrfarë situate emergjente që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Jemi duke funksionuar mirë njëherë, i kemi numrat. Nuk është kurrfarë faze emergjente, nuk besoj që Kosova e ka luksin për të organizuar zgjedhje pas një procesi maratonik që e kemi pasur në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. I kuptoj thirrjet e opozitës, e kuptoj edhe qasjen e tyre që kërkojnë zgjedhje”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Duke folur rreth kësaj Deliu-Kodra tutje është shprehur e bindur se opozita nuk i ka numrat e nevojshëm për ta rrëzuar Qeverinë.

“Realisht nuk i kanë numrat, proceduralisht e kanë të pamundshme. Vetëm nëse ky mocion ka përkrahje pak më të gjerë, përndryshe nuk janë të mjaftueshme vetëm LDK-ja e LVV-ja për ta kërkuar rrëzimin e Qeverisë”, ka theksuar ajo.

Avdyli: Qeveria “Haradinaj” tashmë ka rënë

Pavarësisht kësaj, deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli ka vlerësuar se Qeveria aktuale tashmë është rrëzuar, pasi ka humbur shumicën parlamentare.

“Tani me rënien e kësaj shumice nën 60 numra kjo Qeveri thuajse është e rënë. Ky koalicion me çdo kusht po dëshiron të udhëheqë, por duhet kuptuar që asnjë hap përpara nuk bëhet me një pakicë”, ka deklaruar ai.

Andaj, sipas Avdylit, zgjidhja më e mirë për të dalë nga kriza janë zgjedhjet, megjithatë ai nuk ka treguar ndonjë afat se kur do të realizohet mocioni apo kur planifikohet të shkohet në zgjedhje.

“Duhet të ulemi, të shikojmë kur dhe sa kohë i nevojitet Kosovës për përgatitje për zgjedhje të reja. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë, ndërsa tendencat tjera ne nuk i parapëlqejmë, por do të detyrohemi që të fillojmë t’i ndërmarrim edhe ato. Por ne jemi në favor të një marrëveshjeje për zgjedhje të reja dhe ajo marrëveshje të ketë konsensus të të gjitha partive, të ulemi ta caktojmë datën dhe të vazhdojmë tutje”, ka theksuar ai.

Sejdiu: S’kemi situatë për të cilën mund të flasim për zgjedhje

Në anën tjetër, i pyetur nëse Grupi i Deputetëve të Pavarur do ta mbështesë mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë shefi i Grupit Parlamentar të GDP-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se nuk mund të flitet rreth kësaj përderisa nuk ka asgjë konkrete.

“Në fakt, konteksti i krijuar në Republikën e Kosovës pas arrestimit të Gjuriqit është kontekst, i cili vjen si pasojë e kërcënimit të Listës Serbe për tërheqje nga Qeveria. Edhe në fillim kur është themeluar kjo Qeveri u kemi thënë që nëse e formoni me Listën Serbe atëherë jeni peng i LS-së dhe i Vuçiqit. Nëse kemi qenë kundër që të formohet Qeveria me LS-në, atëherë duhet ta aplikojmë të njëjtin parim edhe sa i përket Qeverisë. Derisa LDK-ja apo kushdo tjetër nuk ndërmerr ndonjë hap konkret, për mua çdo përgjigje është hipotetike”, ka deklaruar ai.  

Sipas Sejdiut, aktualisht nuk ka një situate të atillë ku mund të flitet për zgjedhje të parakohshme.

“Momentalisht nuk kemi situatë për të cilën mund të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse nuk ka ndonjë iniciativë konkrete, përveç situatave hipotetike”, është shprehur ai.  

Maliqi: Nuk pres zgjedhje, së paku deri në vjeshtë

Ndërkaq Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike, ka konsideruar se nisma për rrëzimin e Qeverisë nuk është aq e fuqishme siç po proklamohet, kjo pasi partitë politike momentalisht kanë probleme të brendshme me të cilat po ballafaqohen.

“Krijohet përshtypja se momentumi për rrëzimin e Qeverisë nuk është edhe aq i fortë sepse partitë realisht nuk janë gati dhe nuk duan të futen në garë për arsye të ndryshme. Arsyeja e parë janë telashet e brendshme në LDK dhe në LVV, por edhe moskonsolidimi i duhur i GDP-së në strukturë të re”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, arsyeja e dytë sipas Maliqit ka të bëjë me Listën Serbe, pozicioni i së cilës mbetet i dyshimtë dhe i paqartë. Andaj, gjatë analizës së tij Maliqi ka vlerësuar se zgjedhje nuk do të ketë së paku deri në vjeshtë.

“Pa votat e saj Qeveria vështirë mund të bjerë, sepse bashkë me votat e opozitës kërkohet që edhe dikush prej shqiptarëve në Qeveri të votojë për rrëzimin e saj. Në këtë kontekst, kërkesa për zgjedhje të reja akoma duket se nuk e ka të qartë formulën, por është në nivelin e kërcënimeve retorike. Natyrisht opozita të paktën deklarativisht duhet të deklarohet se është për zgjedhje sepse ndryshe nuk do të ishte opozitë. Por unë nuk pres zgjedhje, të paktën jo deri në vjeshtë”, ka nënvizuar ai.

Murati: Mosgatishmëria për zgjedhje mund ta shtyjë rrëzimin e Qeverisë

Kurse Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka deklaruar se pos LDK-së pjesa tjetër e opozitës nuk është e gatshme që të ballafaqohet me një proces të ri zgjedhor.

“Rrëzimi i Qeverisë në masë të madhe varet edhe prej subjekteve politike në opozitë, të LVV-së e të Grupit të Deputetëve të Pavarur, se sa do të jenë të gatshëm për të shkuar në zgjedhje. Në situatën aktuale nuk mendoj që këto dy grupe janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje dhe kjo mund ta shtyjë sadopak rrëzimin e Qeverisë, pavarësisht faktit që LDK-ja është e gatshme”, ka theksuar ai.

Andaj, Murati është shprehur skeptik nëse mocioni do të realizohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

“Duke e parë klimën politike në vend, sidomos me subjektet opozitare, nuk e di nëse kjo do të mundë të bëhej në një kohë kaq të shkurtër, për faktin që GDP-ja ende nuk është konsoliduar si duhet, në anën tjetër LVV-ja është duke u marrë me plagët dhe me pasojat që ia ka lënë largimi i deputetëve”, ka përfunduar ai.