Kush e vodhi projektligjin për referendum, vazhdon debati Topalli-Haxhiu

Aktuale April 11, 2018 - 17:15
Lexo detajet

Procedimi i Projektligjit për Referendum ka shkaktuar kundërshtim në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupit të Pavarur të Deputetëve, të dalë nga kjo lëvizje.

Faton Topalli, nga GDP, ka njoftuar sot se ky grup kanë proceduar sot Projektligjin për Referendum, çka ka bërë që të reagojë Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, duke thënë se kjo iniciativë është vjedhur prej tyre.

LEXO EDHE: Vetëvendosje akuzon GPD-në se ua vodhi një projektligj

Lëvizja Vetëvendosje në Ditën e Kushtetutës ka paralajmëruar se brenda ditësh do të procedonte këtë projektligj. Por më të shpejt janë treguar Topalli dhe deputetët tjerë të GDP-së.

Topalli në një kundërpërgjigje pas deklarimeve të Haxhiut, ka thënë se ligjet nuk kanë autorësi, s'janë personale dhe as partiake, njofton Klan Kosova.

“Mos u shqetsoni kot, ligjet nuk kanë autorësi as personale as partiake. Zvicra është njëri prej vendeve e cila më së shumti e përdor referendumin për t’i dhënë mundësi sovranit ta thotë fjalën e fundit. Për shkak që kam jetuar gjatë në këtë vende, sigurisht që ndjehem i ndikuar dhe i frymëzuar nga kjo formë e demokracisë direkte”.

“Jam angazhuar edhe personalisht që ky Projektligj të dërgohet në Kuvend dhe lidhur me këtë kam edhe prononcimi publike të cilat mund t’i gjeni në ueb. Mendoj që ligji është shumë i nevojshëm dhe në interes të përgjithshëm të vendit. Ky duhet të jetë edhe interes i Lëvizjes Vetëvendose. Ne deri më tani i kemi mbështetur të gjitha iniciativat e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend”, ka shkruar Topalli në Facebook.

“Nuk ka asnjë arsye që në procedurën e ndryshimit të ligjit dhe përgatitjes për votim të bashkëpunojmë me të gjithë ata që janë të interesuar për demokracinë direkte. Ligjet nuk kanë autorësi as personale e as partiake. Kush ka kohë le të merret me meritat, ne do të merremi me ligjin”.