Ymeri: Shesheli të dënohet edhe për krimet në Kosovë

Aktuale April 11, 2018 - 17:00
Visar Ymeri reagon pas vendimit nga Tribunali i Hagës për Vojislav Sheshelin

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Visar Ymeri, ka mirëpritur dënimin e Vojsllav Sheshelit.

“Dënimi i Vojislav Sheshelit nga Tribunali i Hagës është një lajm i mirë për viktimat, por i pamjaftueshëm”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Vojislav Sheshel dënohet me 10 vite burg nga Tribunali i Hagës

“Ky dënim ridëshmon përgjegjësinë e tij politike dhe të Serbisë shtetërore, në krimet kundër njerëzimit dhe në spastrimet etnike, në Ish-Jugosllavi. Paramilitarët çetnikë të Sheshelit me njësitet e tjera fashiste të së djathtës ekstreme të Serbisë ishin herë pjesë përbërëse dhe herë partnere të policisë dhe ushtrisë zyrtare serbe edhe për krimet, pastrimet dhe dëbimet në Kosovë; e jo vetëm në Kroaci, Bosnje dhe Vojvodinë”, ka shkruar ndër të tjera Ymeri në profilin e tij zyrtar në rrjetin social "Facebook".

Sipas Ymeri, Shesheli dhe frymëzuesit, urdhërdhënësit dhe kryerësit e krimeve kundër njerëzimit në hapësirat ish-jugosllave nga Serbia duhen të dënohen para së gjithash nga gjyqësori serb.

“Përballja me të kaluarën e Serbisë mbetet nevojë dhe domosdoshmëri. E vonuar, kjo përballje do ta mundësonte pajtimin e nevojshëm dhe bashkëpunimin e domosdoshëm rajonal”.