Faza përfundimtare e dialogut, e papërcaktuar

Aktuale April 11, 2018 - 07:44
Lexo detajet

Ende nuk dihet se kur do të fillojë faza përfundimtare e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e cila është paralajmëruar të përfundojë me një marrëveshje ligjore të detyrueshme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Nuk dihet se kur të do të nisë faza përfundimtare e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që është paralajmëruar të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm apo eventualisht në fund të këtij viti.

Kurse sa i përket nivelit teknik, pala kosovare thotë se mund të ketë takime vetëm sa për të diskutuar rreth implementimit të marrëveshjeve të deritanishme.

LEXO EDHE: LDK-ja e LVV-ja, të gatshme për rrëzimin e Qeverisë

Ndërsa deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe analistët thonë se faza finale duhet të arrihet nga konsensusi politik në vend dhe se duhet të krijohet një platformë për vazhdimin e dialogut.

Shef i delegacionit kosovar në Bruksel Avni Arifi ka bërë të ditur për “Zërin” se ende nuk është caktuar ndonjë afat zyrtar se kur do të fillojë faza e radhës e dialogut Kosovë - Serbi.

“Ende nuk është caktuar asnjë datë se kur do të zhvillohet takimi i radhës mes të dyja vendeve. Në takimet e ardhshme nuk ka çka tjetër të bisedohet përveçse implementimi i marrëveshjeve të paimplementuara, vetëm pala serbe ka për të implementuar, ne nuk kemi asnjë implementim me vetë faktin që ne kemi dhënë urdhër ekipit menaxherial që të hartojë draftin e Asociacionit të Komunave Serbe. Pra, sa i përket kësaj marrëveshjeje ne jemi në rrugëtim e sipër”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, shteti serb nuk ka bërë asnjë lëvizje në implementimin e asnjërës marrëveshje.

“Në temat tjera dhe në çështjet tjera Serbia nuk ka bërë asnjë lëvizje dhe nuk ka kuptim vazhdimi i dialogut në rast se Serbia do të ketë këtë qasje në implementim”, ka potencuar ai.

I pyetur se çfarë ka ndërmarrë ekipi, të cilin e udhëheq ai, me qëllim që të implementohen këto marrëveshje Arifi ka thënë se do të presin edhe këtë javë për të dalë me hapa konkretë.

“Këtë javë ne do të shikojmë si do të shkojë puna dhe pastaj do të vijmë me hapa konkretë, sepse është i pakuptimtë një dialog ku pala serbe asnjë hap nuk e bën drejt implementimit të marrëveshjeve të arritura. Në rast se Serbia nuk bashkëpunon, atëherë i humb kuptimi edhe dialogut”, ka thënë shefi i delegacionit kosovar në Bruksel.

Të përgatitet platforma për dialogun

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Zafir Berisha e ka kritikuar formën e deritanishme të dialogut duke thënë se dialogu është udhëhequr nga njerëz jo të duhur dhe të papërgjegjshëm.

“Para se të hyjmë në bisedime duhet të krijohet një platformë kombëtare e subjekteve parlamentare që të bisedojë edhe pala kosovare në Bruksel. Shkuarja në bisedime me ‘duar në gjepa’ siç thoshte Isa Mustafa, do të thotë ta bësh shtetin jofunksional. Marrëveshjet që janë arritur deri më tani në Bruksel kanë simptoma të bërjes së shtetit me një pushtet të tretë, i cili Kosovën asnjëherë nuk e njeh si të pavarur, por si shtet i dirigjuar nga Serbia”, ka thënë Berisha.

Berisha mes tjerash ka thënë edhe se qasja e shtetit serb ngjan sikur të jetë e koordinuar nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës Time Kadriaj, nga AAK-ja, konsideron se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të vazhdojë pa u implementuar marrëveshjet e arritura deri më tani.

Sipas saj, marrëveshjen përfundimtare mes dy shteteve po e pamundëson shteti serb që po organizon skenarë të ndryshëm në Kosovë.

“Kur ka filluar dialogu është menduar që ky dialog do të bëjë përafrimin e dy vendeve. Pas konfliktit që ka ndodhur në mes të dyja vendeve dhe ky rezultat duhet të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia po e bën këtë gjë të vështirë duke përgatitur edhe skenarë në mënyrë që të fitojë pikë në Bruksel”, ka theksuar ajo.

Beqaj: Ekipi i dialogut të miratohet nga Kuvendi

Në anën tjetër politologu Behlul Beqaj për “Zërin” ka thënë që duhet të analizohen të metat e dialogut të deritanishëm me qëllim që të vazhdohet përpara. “Do të bënim gabim nëse dialogun e vazhdojmë pa i analizuar dobësitë, pengesat dhe të arriturat e diskutueshme. Këtë duhet të bëjë një ekipi i ri konsensual dhe profesional i propozuar nga Qeveria, ndërsa platforma e këtij ekipi duhet të miratohet në Parlamentin e Kosovës dhe të njëjtën duhet të përfaqësojë i autorizuari konsensual, eventualisht presidenti i Kosovës”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, sfidë kryesore e këtij dialogu është mosbesimi i ndërsjellë mes dy shteteve.

“Sfida kryesore është mosbesimi i ndërsjellë. Kjo ndikon në forma të ndryshme në të gjitha raportet dhe proceset politike, por kjo nuk ka të bëjë vetëm me raportin serbo-shqiptar, por edhe brendakombëtar. Duhet të krijohet një kualitet i ri i raporteve të ndërsjella, të cilat nuk është në gjendje t’i bëjë lidershipi aktual”, ka thënë Beqaj.

Krasniqi: Njohja reciproke, normalizim i marrëdhënieve

Ndërsa Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se faza përfundimtare e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të bëhej mbi bazën e një konsensusi të brendshëm politik, ku do të bëhej e qartë ajo që Kosova pret nga ky proces.

“Faza përmbyllëse e dialogut duhet të zhvillohet mbi bazën e një konsensusi të brendshëm politik dhe konsultim shoqëror mbi bazën e platformës shtetërore të Kosovës që del si produkt i këtij konsensusi duke përcaktuar qartë se çfarë pret Kosova në këtë proces, çfarë temash do të diskutojë dhe cili është epilogu i tij. Me afate kohore të qarta dhe me garanci nga ana e BE-së dhe të SHBA-së”, ka thënë Krasniqi për “Zërin”.

Sipas saj, duhet që Kuvendi të diskutojë mbi një platformën shtetërore rreth vazhdimit të dialogut.

“Presidenti i vendit duhet t’i ftojë liderët politikë në tryezë për të ndërtuar konsensusin politik, Qeveria e Kosovës të prezantojë para Kuvendit platformën shtetërore të Kosovës rreth vazhdimit të procesit të dialogut, Kuvendi i Kosovës të diskutojë mbi këtë platformë dhe të legjitimojë fazën e re të këtij procesi me anë të një rezolute duke e përcaktuar ekipin negociues, temat e diskutimit, vijat e kuqe të Kosovës dhe mbi të gjitha rolin e Kuvendit në këtë proces”, ka thekuar ajo.

Krasniqi ka thënë gjithashtu se për të arritur normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve ky dialog duhet të përfundojë me njohje reciproke.