Abdixhiku: Kosova jep më shumë para për veteranët fallco se për ushtri

Aktuale April 10, 2018 - 21:05
Lexo detajet

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë që Kosova duhet të pastrojë listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu siç ka kërkuar sot një grup i veteranëve të cilët protestuan para qeverisë.

Në një postim në rrjetin social "Facebook", Abdixhiku ka thënë që për shkak të këtyre falsifikimeve, në Kosovë sot janë regjistruar më se 50 mijë veteranë që i kushtojnë shtetit 100 milionë euro në vit.

Tutje, deputeti ka thënë që Kosova praktikisht jep më shumë para për veteranët që në fakt nuk kanë qenë fare në UÇK se sa për ushtrinë që dëshiron ta krijojë.

Postimi i plotë i Abdixhikut: 

Sot disa ushtarë të UÇK-së kanë protestuar dhe kërkuar – me plot të drejtë – pastrimin e listave fallce të veteranëve. Të njëjtit duhet përkrahur nga të gjithë. Kjo betejë s’është veçse e tyre. Është e gjithë shoqërisë.

Kur kisha ngritur muaj më parë këtë temë në Parlament, isha sulmuar nga kapësit me argat gulçues si tradhëtar e urryes i UÇK-së; veçse kërkoja pastrim listash. Sot, vet ushtarët e saj, ata që ja dojnë njëmend të mirën trashëgimisë së UÇK-së, kërkojnë vet një gjë të tillë. Çfarë kanë për t’u thënë të tillëve tash?

Sa për dijeni, për shkak të falsifikimit të listave, për shkak të shitjes së certifikatave, për të gjithë manipulimet e bëra e të pranuara publikisht, Kosova ka sot mbi 50,000 veteranë. Këta falsifikues prodhojnë një kosto buxhetore prej 100 milionë eurove në vit – për secilin vit. Praktikisht ne japim dyfish më shumë për veteranë të rremë se sa që japim për ushtri.

Me largimin e falcifikatorëve, ne jo vetëm që u japim meritë luftëtarëve njëmend, por edhe mund të dyfishojmë kontributet për të njëjtit. Sot ata marrin veçse lëmoshë. Marrin lëmoshë sepse në listë me ta ka dhe të tillë që gjatë luftës ishin vetëm 3 vjeç.