Nga kjo datë fillon greva në arsim me afat të pacaktuar

Aktuale April 10, 2018 - 13:26
DETAJET

Procesi mësimor nesër do të vazhdojë në mënyre të rregullt ndërkaq nga data 13 prill fillon greva në arsim më një afat të pacaktuar.

Këtë e ka konfirmuar për “Zëri.Info”, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) Rrahman Jashari.

Jashari ka thënë se janë në pritje dhe vazhdojnë të presin që Qeveria e Kosovës të debatojë dhe të japë dritën e gjelbër për ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip për vitet e 90-ta dhe ta dërgojë në Parlament.

“Për momentin nuk ka ndonjë lëvizje nga ana e Qeverisë e kjo na bën që ne të fillojmë tashmë përgatitjet intensive  për datën 13 prill. Situata tani fatkeqësisht do të thotë se arsimi në Kosovë do të shkojë në grevë në kohë të pa caktuar me datë 13 prill. Kemi  pritur dhe jemi në pritje që Qeveria më në fund  të reflektojë  me një mbledhje të Qeverisë dhe në të, të jetë në rend ditë projektligji për statutin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet 90-ta’ ka thënë Jashari./Zëri.Info