Mbi 34 mijë veteranë në llupën e kryeprokurorit

Aktuale April 10, 2018 - 10:21
Flet për Zërin, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë për gazetën “Zëri” se Prokuroria do të kërkojë përgjegjësi penale për manipuluesit eventualë të listave të veteranëve të luftës. Në bazë të të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, thuhet se numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës, duke u bazuar në gjendjen e muajit dhjetor të vitit të kaluar, ishte 36 mijë e 32. Prej tyre 34 mijë e 529 veteranë të UÇK-së, ndërsa 1503 familje të veteranëve

Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Kosovës, ka konfirmuar për gazetën Zërise Prokuroria është duke e hetuar procesin e krijimit të listës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e ku, sipas tij, nëse vërehen shkelje manipuluesit do të përgjigjën para drejtësisë.

LEXO EDHE: Ish-luftëtarët e UÇK-së protestojnë sot

Kryeprokurori Lumezi nuk ka të dhëna për numrin e qytetarëve që tashmë janë në listën e veteranëve, mirëpo në bazë të të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, thuhet se numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës, duke u bazuar në gjendjen e muajit dhjetor të vitit të kaluar, ishte 36 mijë e 32. Prej tyre 34 mijë e 529 veteranë të UÇK-së, ndërsa 1503 familje të veteranëve.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një prononcim për gazetën Zëri ka bërë të ditur ecurinë e procesit të hetimit të veteranëve.

“Nuk e di sa është numri i personave të dyshuar, sepse ne jemi akoma në fazën e grumbullimit të informatave. Jemi duke i shqyrtuar këto dosje dhe madje në bazë të shqyrtimit të dosjeve dhe deklaratave të dëshmitarëve të dhomave të tjera prokurori vendos çka më tutje me këto raste të veteranëve”, ka bërë të ditur kryeprokurori Lumezi.

LEXO EDHE: Posta në prag të falimentimit

Ai më tutje ka thënë se Prokuroria momentalisht nuk ka ende shifra të sakta pasi që është në proces të hetimit.

“Shifra s’kemi. Ne do t’i hetojmë keqpërdoruesit e detyrës zyrtare aty, eventualisht prej këtyre komisioneve që janë për përfitimin e statusit të veteranëve të luftës edhe prej Komisionit të shkallës së dytë dhe prej këtyre zonave që i kanë dhënë dokumentet e falsifikimet”, ka thënë kryeprokurori i Shtetit.

Lumezi ka treguar se rëndësi më e madhe do t’i kushtohet përgjegjësisë penale, pra personave që kanë qenë në Komision, ku sipas tij do të verifikohet nëse ata i kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e parapara me ligj.

“Rastet individuale do t’i dërgojmë në Prokurorinë Themelore, nëse dikush ka bërë falsifikim të dokumentit ose legalizim të përmbajtjes së pavërtetë. Ne jemi duke e hetuar krejt procesin, njëherë përnjëherë do të verifikojmë nëse dikush ka përgjegjësi penale prej këtyre personave që kanë qenë në Komision”, ka thënë kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi për gazetën “Zëri”.

Por, në bazë të një publikimi të bërë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për Mirëqenien Sociale, thuhet se numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës, duke u bazuar në gjendjen e muajit dhjetor të vitit të kaluar, ishte 36 mijë e 32. Prej tyre 34 mijë e 529 veteranë të UÇK-së, ndërsa 1503 familje të veteranëve.

Veteranët, të painformuar për procesin e hetimit

Veteranët pretendojnë se nuk janë në dijeni për “ecurinë” e punës së hetimit të listave të “fryra” të përfituesve në krah të këtij statusi.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës Hysni Gucati në një prononcim për “Zërin” ka thënë se nga Prokuroria nuk u është kërkuar asgjë prej vitit të kaluar, veç pëlqimit për ta filluar procesin e hetimit.

“Në intervistë nuk ka shkuar askush, nuk e di deri ku kanë shkuar hetimet, nuk kemi kurrfarë kontakti. As s’kemi kurrfarë informacionesh. Prej neve s’ka kërkuar Prokuroria asgjë”, ka deklaruar Gucati. Ndonëse është në krye të përfaqësimit të veteranëve, Gucati nuk e mohon faktin se është abuzuar me këto përfitime. Sipas tij, përgjegjësia kryesore do të jetë mbi personat që kanë qenë pjesë e Komisionit Verifikues.

“Unë nuk mundem të them përfitues të rrejshëm deri të dalë Prokuroria. Nëse ka shumë keq. Kurrë në jetë nuk besoj që është kaq i madh ky numër i veteranëve. Falë Zotit s’kam qenë në Komision, përgjegjësinë e mbajnë ata që kanë qenë në Komision”, ka përfunduar përfaqësuesi i veteranëve.

Por në anën tjetër, ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka treguar se ka shprehur gatishmërinë të bashkëpunojë me Prokurorinë e Shtetit, për të cilën shpreson se do t’i shkojë deri në fund këtij procesi.

“Kam pasur një komunikim me Prokurorinë për të filluar të merremi me hetimin e këtyre rasteve para dy-tri javësh. Jam shprehur i gatshëm të bashkëpunoj me ta. Po shpresoj që do t’i shkoj deri në fund këtij procesi. Janë interesuar se cila është mënyra më e lehtë për t’i zbardhur rastet, ekzistojnë arkivat prej përfundimit të pasluftës, arkiva e përgjithshme e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, arkiva e JOM-it, në bazë të asaj që e kam parë do të ketë sukses. Ka manipulime të mëdha”, i ka thënë “Zërit” Qeriqi.

FMN-ja kërkon riklasifikim sipas Ligjit të amendamentuar për Veteranët

Rreth 70 mijë persona llogaritet të kenë aplikuar për status të veteranit deri në fund të vitit 2017. Në bazë të të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, thuhet se rreth 46 mijë aplikues janë pajisur me certifikata të veteranëve. Prej tyre 36 mijë marrin pensione. Për rritjen e numrit të veteranëve është në dijeni edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ruud Vermeulen, në një intervistë për “Zërin” pati thënë se pa një riklasifikim, sipas Ligjit të amendamentuar për Veteranët e Luftës dhe pa verifikimin e përfituesve shpenzimet do të rriten dhe do t’i tejkalojnë alokimet buxhetore prej 20 milionë eurosh.

“Në të vërtetë numri i përfituesve të skemës së pensioneve të veteranëve të luftës vazhdon të rritet përtej çdo pritjeje. Tani flasim për 37.000 përfitues kundrejt vlerësimeve fillestare prej më pak se një e treta e asaj në vitin 2015. Kjo është pothuajse 9.000 më shumë se vetëm një vit më parë. Pa një riklasifikim, sipas Ligjit të amandamentuar për Veteranët e Luftës, si dhe pa verifikimin e përfituesve, shpenzimet do të rriten dhe do t’i tejkalojnë alokimet buxhetore prej së paku 20 milionë eurosh, duke sjellë shpenzime në 1,2 për qind të GDP-së ose ½ për qind mbi tavanin 0,7 për qind të GDP-së, që do të hyjë në fuqi sapo riklasifikimi të përfundojë”, ka thënë në një intervistë për “Zërin” Vermeulen.

Me plotësimin e reformave të pensioneve të veteranëve të luftës në përputhje me ligjin aktual do të krijohej një hapësirë në buxhet për shpenzime produktive në shumë fusha, duke përfshirë shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën e krijimin e vendeve të punës.

“Prandaj si më parë, ne mendojmë se plotësimi i reformave të pensioneve të veteranëve të luftës në përputhje me ligjin aktual është urgjentisht i nevojshëm për t’i sjellë shpenzimet në një nivel të qëndrueshëm dhe për të krijuar hapësirë në buxhet për shpenzime produktive në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe të infrastrukturës, për ta përkrahur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës”, thuhet më tutje në përgjigjen e FMN-së.