Aktuale

Sëmundjet në Kosovë diagnostikohen me aparatura të prodhuara para 30 vjetëve

Sëmundjet në Kosovë diagnostikohen me aparatura të prodhuara para 30 vjetëve
10 prill 2018 • 08 : 52 Foto: Laura Hasani

Edhe kjo ndodh në shëndetësinë kosovare

Sëmundjet në Kosovë diagnostifikohen me aparatura të cilat është dashur të dilnin jashtë funksionimit 23 vjet më parë. Derisa nevojat për aparatura të reja kapin shifrën afro 50 milionë euro, SHSKUK ka vetëm tre milionë,  shkruan sot Gazeta "Zëri"

Aparatura deri në 30 vjet të vjetra, të cilat do të duhej të dilnin jashtë përdorimit, përdoren në spitalet e Kosovës për diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme.

Sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), aparaturat të cilat janë më të vjetra se shtatë vjet duhet të dalin jashtë përdorimit.

Anëtari i Bordit të SHSKUK-së Shemsi Veseli ka thënë për gazetën Zërise shëndetësia ka nevojë për aparatura të reja, të cilat do të shërbenin për diagnostifikimin e sëmundjeve të ndryshme.

Derisa nevojat për pajisje mjekësore sipas Veselit kapin vlerën e afro 50 milionë eurove, zyrtarë për informim në QKUK kanë treguar se në total janë mbi tre milionë euro për pajisje për tërë SHSKUK-në.

LEXO EDHE: Vulin e Thaçi i ''shpallin'' luftë njëri-tjetrit

Në anën tjetër, për mungesën e aparaturave ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka deklaruar se janë duke blerë pajisje në mënyrë që të përmirësohet gjendja e shëndetësisë në vend.

Për më shumë, që një gjë e tillë të ndodhë anëtarë të Komisionit për Shëndetësi thonë se janë duke bërë presione që shërbimet të funksionalizohen.

Nevojiten 50 milionë euro, por SHSKUK-ja ka vetëm tre milionë

Anëtari i Bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka treguar se nevojat për pajisje mjekësore kapin shifrën afro 50 milionë euro.

Megjithatë, ndonëse kapin shifrën milionëshe këtë shumë të parave nuk e ka SHSKUK-ja.

Zyrtarë për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë thënë për gazetën “Zëri” se në total janë mbi tre milionë euro për pajisje mjekësore për SHSKUK-në.

“Në total për tërë SHSKUK-në janë mbi 3 milionë euro për pajisje mjekësore. QKUK-ja ka 1.9 milion euro. Nga MSH-ja 900 mijë euro janë dhënë për pajisje radiologjike, CT për Spitalin e Prizrenit dhe rezonanca magnetike për QKUK-në”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, janë nënshkruar edhe kontrata që në QKUK të vijnë pajisje si monitorë e shtretër.

“Duhet theksuar se mbi 300 mijë euro janë nënshkruar kontratat për emergjencë në QKUK. Së shpejti do të vijnë monitorë, respiratorë, shtretër dhe pajisjet e tjera të nevojshme për emergjencë sipas kërkesës së Klinikës. Mbi 1 milion euro do të ketë donacion nga Japonia, duke përfshirë pajisje, gastroskop, endoskop, laparaskop e të tjera”, thuhet në përgjigje.

Veseli: Po punohet me aparatura të dala jashtë përdorimit

Anëtari i Bordit të SHSKUK-së, Shemsi Veseli, ka thënë për “Zërin” se në spitale aparaturat për diagnostifikimin e sëmundjeve janë shumë të vjetruara.

Sipas tij, aparaturat e reja do të ndihmonin në zbulimin e sëmundjeve prej të cilave vuajnë qytetarët e Kosovës.

“Aparatura sa i përket diagnostikës, radiologjisë e biokimisë, ku zbulohen sëmundjet, është e stërvjetruar. Ne kemi nevojë jashtëzakonisht shumë për përkrahje në këtë drejtim. Unë mendoj se njëra prej thembrave të Akilit se shëndetësia nuk po shkon përpara është për shkak se ka nevojë për aparaturë dhe ajo aparaturë e sofistikuar që do të ishte do të shpëtonte edhe aspektin profesional, por edhe është në interes të pacientëve që të zbulohen sëmundjet”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova është shumë mbrapa vendeve të rajonit.

Veseli ka treguar se në spitale ka aparatura të cilat duhet të dilnin jashtë përdorimit pasi që janë të vjetra deri në 30 vjet.

“Sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një aparat quhet i vjetruar nëse punon pesë vjet, ndërsa nëse punon mbi shtatë vjet realisht ishte dashur të dilte prej përdorimit. Për fat të keq në trashëgojmë aparatura që kanë edhe 20 dhe 30 vjet, por ka edhe disa që kanë edhe 10 vjet. Nëse shikojmë në bazë të amortizimit që i parashohin standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ishte dashur që gati shumica, të mos them mbi 85% të ndërrohet aparatura”, ka theksuar ai.

Sipas tij, nevoja për aparatura kap shifrën e rreth 50 milionë eurove.

“Sipas një analize të bërë, kanë qenë nevojat diku afër 50 milionë euro, d.m.th. nëse flasim për aparatura të sofistikuara dhe aparatura që i plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe profesionale. Në mandatin e kaluar Qeveria ka marrë një vendim që të hyjnë në kredi të butë pra diku 50-milionëshe, që faktikisht do të furnizohen spitalet me aparaturën gjegjëse. Tani sipas të gjitha gjasave kanë filluar procedurat t’i mendojnë në atë drejtim. Tani vetëm 2 milionë e 900 mijë euro janë bërë disa nga kërkesat sa u përket aparaturave të SHSKUK-së”, ka thënë ai.

Veseli ka treguar për “Zërin” se prioritet sa i përket shëndetësisë është edhe Prizreni, i cili pritet të pajiset me disa aparatura.

“Prizreni është me më shumë prioritet, faktikisht që do të shkojë një rezonancë magnetike dhe një CT, e cila për herë të parë do të jetë në Kosovë. Ne po mendojmë t’ia japim shërbimin e karakterit tretësor Prizrenit, sepse spitalet janë shërbime dytësore, nuk janë tretësore. Nevojat janë të shumta. Unë besoj që kësaj radhe është më serioze mbështetja e Qeverisë dhe e Ministrisë për furnizim me aparatura, por se sa do të jetë dinamika për t’u furnizuar nuk e di”, ka thënë ai.

Ismaili: Jemi duke blerë pajisje të reja

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili në raportimin e tij para Komisionit për Shëndetësi ka thënë se janë duke blerë pajisje në mënyrë që të përmirësohet gjendja e shëndetësisë në Kosovë.

“Jemi duke blerë pajisje. Pres të ndërrohet gjendja në spitale sa u përket pajisjeve. Nuk është në rregull të shkojmë jashtë vendit për shkak se nuk ka pajisje. Për herë të parë menaxhmenti i QKUK-së ka shkuar dhe ka folur me secilin drejtor të klinikës dhe u ka thënë që të tregojnë se çfarë mungon në klinikë dhe t’i japin prioritetet e gjërave që u duhen”, ka thënë ai. Në anën tjetër, zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë treguar për “Zërin” se 12.589.017 euro janë shpenzuar për shërim jashtë vendit nga kjo ministri.

Sipas tyre, vetëm gjatë vitit 2017 në Ministri kanë qenë 1965 aplikacione për trajtim jashtë QKUK-së.

Komisioni për Shëndetësi, presion mbi ministrin

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se anëtarët e këtij komisioni kanë bërë presion që shërbimet të funksionalizohen.

“Kemi bërë presion për klinika që pritjet të mos të jenë të gjata, të funksionalizohen shërbimet që munden të funksionalizohen. Sa u përket aparaturave, ministri tha se në çdo klinikë janë caktuar prioritetet që kanë klinikat në mënyrë që të funksionalizohen dhe të pajisen me këto aparatura”, ka thënë ajo.

Sipas saj, me presionin e tyre është funksionalizuar edhe Kardiokirurgjia.

“Ne i kemi kërkuar dhe ka qenë presioni i deputetëve që është funksionalizuar Kardiokirurgjia. Ju e dini se mjete të mëdha janë shpenzuar për këtë sistem, sepse numri më i madh i rasteve që kanë kërkuar shërim jashtë vendit janë të sëmundjeve të kardiokirurgjisë, ndërsa tani Kardiokirurgjia po punon 24 orë. Me automatizëm kjo nënkupton se MSH-ja po kursen buxhet të mjaftueshëm në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

© zëri.info