“Vetëvendosja” inicion ligjin për referendum

Aktuale April 10, 2018 - 08:02
Ja çfarë thonë njohësit e çështjeve kushtetuese

Lëvizja “Vetëvendosje” ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës projektligjin për referendum, shkruan sot gazeta "Zëri".

Megjithatë vlerësohet se kjo iniciativë mund të dështojë pasi subjektet politike nuk do ta mbështesin.

Deputetja e “Vetëvendosjes” Albulena Haxhiu në një konferencë ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë asnjë qeveri nuk ka punuar për draftimin e ligjit për referendum.

“Ende nuk kemi parë asnjë iniciativë të asnjë qeverie për ta proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës projektligjin për referendum dhe duke qenë kështu ne si subjekt politik e kemi draftuar këtë projektligj dhe brenda kësaj jave do ta procedojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur deputetja Albulena Haxhiu.

LEXO EDHE: Rrëzimi i Qeverisë, në dorë të koalicionit

Ajo po ashtu ka treguar se çfarë përmban ky projektligj dhe cilat aspekte përfshihen.

“Ne e kemi përgatitur draftin dhe aty ka tri lloje të referendumit, ku dy prej tyre janë detyrues (organizimi i qytetarëve për kundërshtimin e çfarëdo gjëje), por edhe referendumi konsultativ (kur Kuvendi e pyet qytetarin për një çështje apo kur qytetarët refuzojnë një ligj që është miratuar në Kuvend)”, ka thënë ajo.

Haxhiu më tej ka thënë se në dekadën e parë të Kushtetutës nuk kanë se si të mos i theksojnë pengesat e vazhdueshme të Kushtetutës, që sipas saj është kompromis dhe jo shprehje e vullnetit publik.

“Janë edhe 10 vende të garantuara për përfaqësuesit serbë në Kuvend, që pamundësojnë çdo ndryshim pozitiv. Viteve të fundit është më rëndë se pjesë e Kuvendit është një subjekt politik që është dirigjim i Beogradit dhe po pamundëson zhvillimin e vendit. Kemi parë se ligje të ndryshme, ka qenë e pamundur të kalojnë pa bërë pazare me Listën Serbe dhe kanë mbetur të pamiratuara nga kundërshtimet e përfaqësuesve serbë”, është shprehur Haxhiu. 

Në anën tjetër, njohës të çështjeve kushtetuese thonë se kjo iniciativë mund të dështojë. 

Anton Recaj, njohësi i çështjeve kushtetuese, ka thënë se kjo iniciativë e “Vetëvendosjes” do të hidhet poshtë.

Kurse analisti Blerim Burjani për “Zërin” ka thënë se çdo parti politike ka të drejtë kushtetuese për të iniciuar ligje në Kuvendin e Kosovës.

“Deputetët kanë të drejtë për nisma qofshin ato legjislative apo edhe të formave të tjera”, ka thënë Burjani.

Në vazhdim ai ka përmendur arsyet pse ky ligj nuk është miratuar deri më tani.

Sipas tij, rreziku për organizim të referendumit nga serbë për bashkim të një pjese të Kosovës me Serbinë është njëra ndër arsyet pse edhe faktori ndërkombëtar nuk e mbështet miratimin e një ligji të tillë.

“Arsyeja e parë pse nuk ka qenë ky ligj deri më tani është që pakica serbe të mos marrë ndonjë hap deklarativ sa i përket bashkimit të komunave serbe e që ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ka pasur shumë reagime ndërkombëtare kur kanë tentuar edhe më herët dhe kur është përmendur ligji për referendumin”, ka përfunduar ai.