Krerët e shtetit urojnë për 10-vjetorin e Kushtetutës

Aktuale April 09, 2018 - 10:53
Ky është urimi i tyre

Me rastin e dhjetëvjetorit të hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi, kanë uruar qytetarët e Kosovës.

Në urimin e tij, Haradinaj ka shkruar se themelimi i Kushtetutës së vendit është ndër datat më të rëndësishme të kalendarit tonë shtetëror

” Një dekadë më parë, përmes këtij dokumenti, u vulos Kosova jonë si vend i pavarur, me qytetarë të lirë me të drejta të barabarta për secilin, në frymën e pakufizuar demokratike”, ka shkruar Haradinaj.

Urimi i plotë e kryeministrit Haradinaj:

Pas çlirimit të Kosovës, shpalljes së Pavarësisë, themelimi i Kushtetutës së vendit është ndër datat më të rëndësishme të kalendarit tonë shtetëror. Me 9 Prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet, duke e funksionalizuar aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e saj.

Një dekadë më parë, përmes këtij dokumenti, u vulos Kosova jonë si vend i pavarur, me qytetarë të lirë me të drejta të barabarta për secilin, në frymën e pakufizuar demokratike.

Dekada e parë e Kushtetutës së vendit, krahas qenësimit tonë si shtet juridik, ka përjetuar edhe sfidat e saj. Këto sfida, na tregojnë edhe vlerat tona demokratike si shoqëri kur ne kemi pranuar këto parime kushtetuese si parime udhëheqëse të Kosovës.

Sot, ky bazament ligjor shpërfaqë vlerat më të larta të demokracisë tonë.

Përvjetori i sivjem, i shtyllës kryesore ligjore të vendit, na gjen me plot detyra. Na gjen me punë, me suksese të numëruara por edhe sfida për t’i tejkaluar e që na bëjnë më të fortë. Por, mbi të gjitha, ky jubile na gjen më të sigurt se kurrë, për rrugën tonë Euro-atlantike dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të.

Urime 9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!

LEXO EDHE: Dekada e shkeljeve kushtetuese

Kurse presidenti Thaçi, ka shkruar se Kushtetuta pasqyron më së miri përpjekjet shekullore për liri, barazi e drejtësi dhe dëshmon vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në paqe të qëndrueshm.

Urimi i plotë i presidentit Thaçi:

Kushtetuta e Republikës së Kosovës sot shënon dekadën e parë. Si udhërrëfyes për krijimin dhe forcimin e shtetit, ajo pasqyron më së miri përpjekjet shekullore për liri, barazi e drejtësi dhe dëshmon vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në paqe të qëndrueshme. Asnjëherë nuk do të ndalemi së punuari për të forcuar shtetin, duke respektuar të drejtat e liritë e çdo qytetari dhe duke garantuar barazinë e tyre para ligjit.