Dekada e shkeljeve kushtetuese

Aktuale April 09, 2018 - 08:41
Ja cilat janë shkeljet më të rënda të kësaj dekade

Më 9 prill 2008 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Kushtetutën e Republikës, të shpallur dy muaj më herët. Në dekadën e parë të kësaj kushtetute vlerësohet se janë bërë disa shkelje të rënda nga zyrtarët e lartë, institucionet e madje se ka pasur edhe interpretime jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në dekadën e parë Kushtetuta e Republikës së Kosovës përveçqë nuk është respektuar në lokalitetet me shumicë serbe, është sfiduar e madje është shkelur në disa raste edhe nga vetë krerët shtetërorë apo nga institucionet e vendit.

LEXO EDHE: Zvarritet themelimi i komisionit hetimor për gylenistët

Madje vlerësohet se Kushtetuta në disa raste është nëpërkëmbur apo nuk është respektuar as nga vetë gardiani i saj - Gjykata Kushtetuese përmes disa interpretimeve të cilat sipas ekspertëve të çështjeve kushtetuese nuk kanë qenë të bazuara në Kushtetutë dhe kanë qenë kontradiktore, shkruan më tutje "Zëri".

Në mesin e shkeljeve më të rënda vlerësohen: Marrëveshja e vitit 2015 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe; shkelja nga presidenti Fatmir Fejdiu; shkelja në rastin e presidenti Behgjet Pacolli; deportimi i gjashtë gylenistëve në Turqi; si dhe interpretimi i vitit 2014 i Gjykatës Kushtetuese, kur ua pati mohuar shumicës parlamentare formimin e qeverisë me arsyetimin se mandatari për formimin e saj mund të propozohet vetëm nga partia fituese.

Berisha: Dokumenti kushtetues, me një varg mungesash

Njohësi i çështjeve kushtetuese Durim Berisha në 10-vjetorin e ditës së Kushtetutës ka thënë për gazetën “Zëri” se akti më i lartë juridik në vend ka një varg të metash. Sipas tij, në Kushtetutën e Kosovës ka kundërthënie e mungesë të qartësisë në formulim.

“Dokumenti kushtetues të cilin pa të drejtë e kemi emërtuar Kushtetutë (sepse nuk mund të quhet e tillë përderisa nuk është aprovuar drejtpërdrejt nga populli i Kosovës), pavarësisht që është hartuar në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, ka një varg të metash, duke filluar nga struktura e saj, kundërthëniet, zbrazëtitë dhe mungesa e qartësisë në formulim”, ka deklaruar Berisha.

Ai më tej ka thënë se Kushtetuta në këto 10 vjet nuk ka gjetur zbatim në tërë territorin e Kosovës.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk ka gjetur zbatim në tërë territorin e Kosovës. Por, shqetësues në të njëjtën kohë mbetet edhe dështimi i autoriteteve publike, me theks të veçantë organet administrative dhe gjyqësore, për ta garantuar një standard minimal të zbatimit të lirive dhe të drejtave themelore. Viktimë e këtyre veprimeve mbetet qytetari i Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar Berisha.

Përpos dështimit për ta garantuar një minimum të zbatimit të lirive dhe të drejtave themelore, sipas tij, është evidente se shkeljet kushtetuese nga organet kushtetuese (por që disa nuk janë referuar në Gjykatën Kushtetuese) kanë të bëjnë me konfliktin për kompetencë mes organeve shtetërore dhe tejkalimin e autorizimeve kushtetuese nga bartësit e organeve kushtetuese.

“Ndonëse kemi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese për mospërputhjen e ushtrimit të funksionit të presidentit (Fatmir Sejdiu), zgjedhjen e tij (Behgjet Pacolli) apo edhe çështjen e asociacionit të komunave serbe, ende nuk është kuptuar pesha që kanë shkeljet kushtetuese dhe goditja që ato ia japin sistemit kushtetues”, ka shtuar Berisha.

Smaka: Kushtetutës i janë bërë shtatë apo tetë shkelje të rënda

Ish-anëtari i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, Riza Smaka, vlerëson se akti më i lartë juridik u shkel shumë herë në dekadën e parë të saj.

Madje, sipas tij, nga vetë institucionet më të larta, por edhe nga mekanizmat që u formuan për ta mbrojtur e që s’e mbrojtën.

“Në këtë periudhë Kushtetuta nuk është përfillur kryesisht nga personat me autorizime publike të thirrur për përfilljen, zbatimin dhe materializimin e Kushtetutës. Po ashtu edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila disa herë ka dhënë shpjegime, qëndrime e pikëpamje që kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën, por në favor të politikave ditore. Në këtë periudhë janë bërë 7 apo 8 shkelje të mëdha të Kushtetutës”, ka vlerësuar Smaka.

Sipas tij, së fundi Kushtetuta është shkelur me rastin e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Smaka ka thënë se deputetët nuk janë lënë të lirë të votojnë sipas bindjes së tyre, por u është bërë presion.

“Përfaqësuesit shtetërorë bënë çmos për ta ratifikuar atë marrëveshje, madje bënë edhe presione, joshje e shantazhe te deputetët për ta votuar Marrëveshjen. Kjo është shkelje flagrante e dispozitës së Nenit 70 të Kushtetutës, sipas së cilës deputeti duhet të votojë sipas bindjes së lirshme. Por këtu deputetët kanë deklaruar se janë të bindur se nuk duhet të votohet Marrëveshja, por kanë thënë se qëndrimi i partisë është pro Marrëveshjes”, ka shtuar Smaka.

Me të njohësi i çështjeve kushtetuese ka kujtuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 sa i përket mandatarit për formimin e Qeverisë, kur u ishte pamundësuar subjekteve humbëse të zgjedhjeve që ta formojnë Qeverinë.

Smaka ka thënë se në atë kohë në 17 vende demokratike qeveritë kanë qenë të formuara nga partitë që nuk i kanë fituar zgjedhjet, por që pas zgjedhjeve kanë bërë koalicione dhe kanë siguruar shumicën në kuvende.

“Natyrisht se shkelje e Kushtetutës është bërë edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese në vitin 2014, kur ia mohoi të drejtën shumicës për ta formuar Qeverinë pasi thoshte se mandatari për formimin e saj duhet patjetër të propozohet nga partia fituese. Në atë kohë në 17 vende perëndimore janë formuar qeveri nga partitë që nuk i kanë fituar zgjedhjet. Por te ne Gjykata tha vetëm i pari dhe pikë”, ka deklaruar ai.

Në fund Smaka ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka vepruar mirë kur pati konstatuar që ka shpërfillje të Kushtetutës në Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo sipas tij Kushtetuesja nuk i pati përfshirë të gjitha shkeljet që janë bërë me atë marrëveshje.

Madje Smaka ka thënë se pas këtij interpretimi të Gjykatës kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa është dashur të japë dorëheqje.

“Shkelje ose mospërfillje e Kushtetutës ka qenë edhe mosdorëheqja ose mosshkarkimi i kryeministrit të atëhershëm nga ana e Kuvendit, pasi që e ka nënshkruar Marrëveshjen për Asociacionin e e cila u dëshmua se ishte në kundërshtim me Kushtetutën e vendit”, ka përfunduar Smaka.

Baraliu: Kushtetuta është shkelur edhe nga vetë shteti

Ndërsa profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu ka thënë se për një dekadë Kushtetuta është shkelur shumë herë, madje edhe nga vetë shteti.

“Kjo Kushtetutë ka kaluar nëpër shumë sfida, ashtu sikurse edhe populli i Kosovës dhe shteti i Kosovës dhe në ato sfida nuk ka qenë e lehtë për askënd dhe fatkeqësisht Kushtetuta është shkelur shumë herë, për të mos thënë për çdo ditë jo vetëm nga segmentet institucionale, por edhe nga vetë shteti, gjegjësisht hera-herës edhe institucionet relevante të tij”, ka vlerësuar Baraliu.

Përveç shkeljeve që i janë bërë Kushtetutës nga institucionet apo nga zyrtarët shtetërorë, sipas Baraliut, edhe Gjykata Kushtetuese ka dhënë interpretime jo të bazuara në Kushtetutë.

“Vetë institucionet që është dashur ta mbrojnë nuk e kanë bërë këtë, prandaj edhe ajo është shkelur. Pastaj edhe nga Gjykata Kushtetuese, që është i vetmi institucion organ i drejtësisë kushtetuese i cili nuk ka instanca, por vendimet e kësaj gjykate janë të shkallës së parë dhe të paapelueshme e të zbatueshme nga çdokush. Megjithatë, edhe aty ka pasur mendime, qëndrime, vendime hera-herës kontradiktore, hera-herës jo të bazuara në Kushtetutë”, ka thënë Baraliu.

Në fund ai e ka veçuar rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq në Republikën e Turqisë.

“Për ta veçuar rastin më flagrant, ky i fundit i kidnapimit në mënyrë totalisht antikushtetuese të një grupi të mësimdhënësve të një kolegji privat në Kosovë”, ka theksuar Baraliu.

Ilir Deda: Deportimi i gylenistëve, 5 shkelje të Kushtetutës

Edhe deputeti i Alternativës Ilir Deda ka thënë se me rastin e deportimit të gjashtë gylenistëve në Turqi janë shkelur së paku pesë nene të Kushtetutës.

“29 marsi ishte triumf i paligjshmërisë dhe shembje e sistemi kushtetues juridik në Republikën e Kosovës. E qartë ka qenë për të gjithë që atë ditë janë shkelur së paku pesë nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka edhe më shumë, por këto më janë dukur më të rëndat”, ka thënë Deda në seancën ku është diskutuar lidhur me deportimin e gjashtë personave të kërkuar nga shteti turk.

“Është shkelur Neni 3, që ka të bëjë me ndarjen e pushteteve në mënyrë flagrante dhe Neni 22, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që është pjesë përbërëse e Kushtetutës sonë. Neni 24, që ka të bëjë me barazinë para ligjit, është shkelur njëjtë. Neni 29, që ka të bëjë me privim nga liria pa urdhër të gjykatës, ku ata të cilët janë të privuar kanë të drejtë të ankohen. Neni 32, ku thuhet se çdo qytetari në Kosovë i garantohet përdorimi i mjeteve juridike kundër vendimit të gjykatës. Neni 29, pika 4 e që ka të bëjë me AKI-në, ku shefi i AKI-së informacionet e njëjta ua jep presidentit dhe kryeministrit”, ka deklaruar Deda.

Ai madje ka thënë se në atë ditë është suspenduar rendi kushtetues e juridik i Kosovës. Ndërsa përgjegjës e ka lënë kreun e shtetit Hashim Thaçin.

“Çka kemi parë më 29 deri më 31 mars? Suspendim i plotë i rendit kushtues juridik prej një vendimi i cili është marrë nga një njeri... E dyta, ka pasur tejkalim të kompetencave. Nga kush? Nga kryetari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”, ka shtuar Deda.