Zvarritet themelimi i komisionit hetimor për gylenistët

Aktuale April 09, 2018 - 08:20
Flasin për ''Zërin'' përfaqësuesit politik

Grupet parlamentare ende nuk i kanë dërguar në Kryesinë e Kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në komisionin hetimor për deportimin e gjashtë gylenistëve në Turqi. Pritet që ky komision të formohet gjatë kësaj jave, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës (e mbajtur më 4 prill) është vendosur të formohet komisioni hetimor parlamentar për ndriçimin e rastit të deportimit të gjashtë shtetasve turq (më datë 29 mars 2018), ky komision akoma nuk është formuar.

LEXO EDHE: LDK-ja këtë javë nis ''rrëzimin'' e Qeverisë

Kuvendi i Kosovës pati kërkuar nga grupet parlamentare që brenda tri ditësh t’i dërgojnë në Kryesinë e Kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë komision në përputhje me Ligjin për Hetime Parlamentare, mirëpo deri më tani asnjëri nga grupet parlamentare nuk kanë dorëzuar emrat për anëtarë të këtij komisioni.

LEXO EDHE: Gjuriq: Serbia do ta mbrojë popullin e vet në Kosovë

Kështu ka njoftuar sekretari i Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi, i cili në një prononcim për gazetën Zëri tha se Kuvendi ka pritur emrat e anëtarëve për komisionin hetimor, por asnjë parti nuk i është përmbajtur afatit treditor.

Haliti: Jam skeptik për funksionalizimin e komisionit hetimor

Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se partitë politike nuk e kanë respektuar afatin treditor për dorëzimin e emrave të anëtarëve të këtij komisioni hetimor parlamentar.

Ai madje ka thënë se deri më tani nuk është arritur të mbahet asnjë mbledhje për themelimin e këtij komisioni.

“Së pari duhet të them që ka qenë afati tri ditë për t’i dorëzuar emrat për anëtarë të komisionit, por në mungesë të kryetarit të Kuvendit i kam thirrur dy mbledhje të Kryesisë dhe në një mënyrë apo në një tjetër disa anëtarë të Kryesisë nuk kanë ardhur, arsyet nuk i di, por deri më tani ne as që kemi mbajtur mbledhje të Grupit Parlamentar për të vendosur për anëtarin e komisionit”, tha ai.

Haliti tha se deri më tani asnjë grup parlamentar nuk ka dorëzuar emrat për anëtarët e komisionit hetimor.

“Unë deri më tash nuk kam ndonjë informacion që i ka dorëzuar dikush në Kryesinë e Kuvendit anëtarët e komisionit, të cilët i propozon grupi parlamentar përkatës, as Partia Demokratike”, ka thënë ai. 

Nënkryetari i Kuvendit më tej ka thënë se të martën do të fillojnë konsultimet për themelimin e komisionit hetimor dhe ta fillojë punën, në qoftë se jo, atëherë ai ka thënë se kjo është një praktikë e keqe se si zgjidhen komisionet hetimore në Kuvendin e Kosovës, pasi prejse është themeluar Kuvendi vetëm një komision hetimor ka punuar, të tjerët nuk kanë pasur mundësi të funksionalizohen deri më sot.

I pyetur nëse gjatë kësaj jave mund të funksionalizohet ky komision, Haliti është shprehur skeptik për formimin e tij.

“Jam skeptik se mund të funksionalizohet ky komision dhe mund ta kryejë detyrën e tij, sepse rregullat për komisione janë formale dhe përmes komisioneve të Parlamentit të Kosovës të bazuar në rregullat që janë unë nuk besoj që ka ndonjë çështje që mund të zgjidhet”, ka thënë Haliti.

Muharrem Nitaj, i propozuari i AAK-së për komisionin hetimor

Ndërkaq deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu ka deklaruar për “Zërin” se AAK-ja ka vendosur që ta dërgojë deputetin Muharrem Nitajn si përfaqësues në komisionin hetimor Parlamentar, por Haxhiu nuk ka treguar nëse ky emër i është dërguar Kryesisë së Kuvendit.

“Mesa unë kam informata është propozuar Muharrem Nitaj. Në fund të seancës e kam kuptuar se kush është përfaqësuesi ynë, por nuk e di nëse emri i është dërguar Kryesisë së Kuvendit”, ka deklaruar Haxhiu.  

Kurteshi: Presim të merren hapat e nevojshëm për shkelësit e procedurave

Ndërkohë Ismajl Kurteshi, nga lëvizja “Vetëvendosje”, ka deklaruar se “Vetëvendosja” akoma nuk e ka propozuar emrin e anëtarit nga kjo parti për komisionin hetimor për arrestimin dhe depërtimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Kurteshi megjithatë ka thënë se presin që shumë shpejt ky komision të funksionalizohet dhe të merren masa për te gjithë ata që kanë bërë shkeljen e procedurave. 

“Sipas informatave që i kam, nuk kemi propozuar ende askënd, por natyrisht që jemi të interesuar që të funksionalizohet, të fillojnë hetimet dhe të zbulohet iniciuesi i dëbimit të turqve në mënyrën si janë dëbuar dhe shkeljen e procedurave nga ai që i ka shkelur, edhe pse ka shumë argumente që këtu është i përfshirë presidenti i vendit. Ne po presim të kemi argumente dhe pastaj do t’i ndërmarrim hapat e tjerë të nevojshëm”, ka deklaruar Kurteshi për “Zërin”.

Demhasaj: Kuvendi, joserioz për komisionin hetimor

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka thënë se zvarritja e themelimit të këtij komisioni tregon se sa seriozisht është marrë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për këtë çështje.

“Vonesa për propozimin e anëtarëve për këtë komision po tregon se sa seriozisht e kanë pasur deputetët në seancën e jashtëzakonshme këtë çështje për vetë faktin që vetë kanë kërkuar fillimisht që të ketë një komision parlamentar që pajtohem se do të ishte dashur të kishte një komision të tillë, por në anën tjetër përderisa asnjë parti politike nuk i ka dërguar në Kryesi emrat e anëtarëve për këtë komision tregon seriozitetin e deputetëve për këtë çështje”, ka thënë ai. 

Demhasaj tha se ky komision brenda një kohe shumë të shkurtër duhet të dalë me versionin e tij dhe me fajtorët për rastin në fjalë.

“Kjo është një çështje që ka ndodhur tani dhe nuk duhet të presim me muaj të krijohet ky komision për hetimin e kësaj çështjeje. Ndoshta për një ose dy javë do të ishte dashur që ky komision të vinte me një version për krejt ngjarjen dhe me fajtorët e kësaj çështjeje”, ka thënë ai.