LDK-ja këtë javë nis ''rrëzimin'' e Qeverisë

Aktuale April 09, 2018 - 07:50
Zyrtarët e ''Vetëvendosjes'' thonë se nuk do ta mbështesin iniciativën e LDK-së

LDK-ja këtë javë do t’i fillojë procedurat për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Zyrtarët e kësaj partie kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se në ditët në vijim do ta fillojnë iniciativën zyrtare për ngritjen e mocionit ndaj Qeverisë. Zyrtarët e “Vetëvendosjes” thonë se nuk do ta mbështesin iniciativën e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila tash e një kohë është duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pritet që këtë javë t’i nisë zyrtarisht procedurat për ngritjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

Teksa kanë njoftuar për një gjë të tillë, përfaqësuesit e këtij subjekti kanë thënë për Zërinse zgjedhjet e parakohshme paraqesin zgjidhjen e vetme për daljen e vendit nga kriza.

Megjithatë, përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” kanë bërë të ditur se nuk do të bëhen pjesë e LDK-së në të tilla çështje.

Sipas tyre, iniciativa për rrëzimin e Qeverisë do të jetë nga LVV-ja e jo nga LDK-ja.

Kjo pasi që, ashtu siç janë shprehur ata, Lidhjes Demokratike nuk i intereson ndërrimi i qeverisjes, porse kryekëput marrja e pushtetit.

Pavarësisht këtyre, përfaqësuesit e PDK-së (partnerit më të madh të koalicionit qeverisës) kanë konsideruar se nuk ka seriozitet dhe vendosmëri të opozitës për t’i dhënë fund qeverisjes aktuale.

Megjithatë, ndonëse ata shprehen të bindur se këtë vit s’do të ketë zgjedhje, 2019-a sipas tyre mund të jetë vit i zgjedhjeve të parakohshme.

LDK-ja paralajmëron veprime konkrete që çojnë drejt zgjedhjeve

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ketë veprime konkrete për rrëzimin e Qeverisë.

“Unë besoj që në ditët në vijim, pra java e ardhshme do të karakterizohet me veprime konkrete të LDK-së. Java e ardhshme do të jetë fillimi i iniciativës zyrtare për ngritjen e mocionit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, kjo parti aktualisht është duke i pritur edhe pak partitë politike që të deklarohen rreth kërkesës së LDK-së për ta caktuar një datë të përbashkët për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ne u kemi ofruar mundësi partive politike që të shkojmë në zgjedhje dhe kemi kërkuar që të ketë një konsensus, të ulemi të bisedojmë dhe ta caktojmë një datë. Por, nuk janë përgjigjur pozitivisht deri tash. Mirëpo ajo që është e sigurt që nëse kjo kërkesë për bisedime dështon, atëherë ne fillojmë me ngritjen e mocionit në Kuvend të Kosovës. Edhe pak presim, por besoj shumë shpejt do të fillojmë me shfrytëzimin e instrumentit ligjor dhe kushtetues”, ka theksuar ai, duke shtuar se e vetmja zgjidhje e krizës institucionale janë zgjedhjet e parakohshme.

LVV: Iniciativën për rrëzimin e Qeverisë do ta marrim ne, jo LDK-ja

Mirëpo deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, ka bërë të ditur se LVV-ja nuk do të bëhet pjesë e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë.

Sipas tij, ky subjekt politik do ta marrë vetë iniciativën për një çështje të tillë.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka qëndrimet e saja politike dhe ne nuk e kemi ndërmend të bëhemi bisht i LDK-së ose i kujtdo qoftë. Ne do të iniciojmë qoftë mocion apo çfarëdo qoftë kur ne konsiderojmë se është koha për ta ngritur një mocion. Ne kemi deklaruar se nuk do të angazhohemi për ta rrëzuar Qeverinë për arsye që Policia ka shkuar dhe e ka arrestuar Gjuriqin për shkak se mendojmë që ai ka qenë veprim i drejtë. Kështu nuk mendon Lista Serbe, e cila ka dalë prej koalicionit dhe tash Qeveria nuk e ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve. Për arsyen që e ceka nuk mendojmë se duhet të bjerë Qeveria”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Kurteshi nuk ka treguar saktësisht se kur do të nisë iniciativa e LVV-së për rrëzimin e Qeverisë, porse është shprehur i vendosur se LDK-së i intereson vetëm marrja e pushtetit e jo ndërrimi i qeverisjes.

PDK-ja nuk përjashton mundësinë që zgjedhjet të mbahen më 2019-ën

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së Hajdar Beqa ka pranuar se koalicioni qeverisës nuk i ka numrat e nevojshëm për të funksionuar si duhet, porse i ka cilësuar si joserioze deklaratat e opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

“Opozita nuk e ka kërkesën serioze dhe nuk ka numra për ta rrëzuar Qeverinë. Konsideroj që qytetarët nuk e kanë komoditetin që të shkohet në zgjedhje çdo gjashtë muaj, ne kemi qenë në dy palë zgjedhje dhe ende nuk është bërë një vit që kanë kaluar dy proceset zgjedhore”, ka nënvizuar Beqa.

Megjithatë, ai ka thënë se PDK-së nuk i nevojiten më shumë se 30 ditë për të shkuar në zgjedhje po që se me të vërtetë opozita është e interesuar. Por pavarësisht kësaj Beqa ka bërë të ditur se PDK-ja aktualisht do të jetë e angazhuar me procesin e brendshëm zgjedhor.

E ndonëse, sipas tij, zgjedhje nuk do të ketë këtë vit, ai nuk ka përjashtuar edhe vitin e ardhshëm sa i takon kësaj çështjeje.

“Unë mendoj që Qeveria është duke kryer punën e vet. Por s’do të thotë që nuk do të ketë zgjedhje në vitin e ardhshëm. Zgjedhjet duhet të bëhen me konsensus të liderëve politikë që janë edhe në koalicion”, ka theksuar ai.

Opozita, e paorganizuar

Pavarësisht paralajmërimeve për rrëzim të Qeverisë nga dy partitë opozitare, Mazllum Baraliu, njohës i rrethanave politike, ka vlerësuar se opozita është krejtësisht e paorganizuar në këtë drejtim.  

“Opozita e tanishme është totalisht në amulli, e paorganizuar dhe madje hera-herës edhe kundërvepruese e njëra-tjetrës. Nuk janë të unifikuar dhe nuk kanë as kontakte, as komunikim të mirëfilltë, nuk kanë as strategji e as propozim të përbashkët që do të mundë ta çonte në mocion mosbesimi këtë qeveri dhe rrjedhimisht në shpërbërjen e Parlamentit”, është shprehur ai.

Baraliu më tutje ka thënë se Qeverisë po ia zgjasin jetën edhe problemet e brendshme që aktualisht kanë partitë politike.

“Subjektet politike opozitare, veçanërisht LDK-ja, ka probleme serioze përbrenda, ani pse po paraqitet me unitet. Kanë probleme sepse kanë pretendime për ta marrë timonin e partisë. ‘Vetëvendosja’ në anën tjetër është shpërndarë totalisht”, është shprehur ai, duke thënë se zgjedhje të parakohshme duhet të ketë detyrimisht.