19 vjet nga rënia e Imer Shala-Rrapinit

Aktuale April 07, 2018 - 16:26

Familjarë dhe qytetarë të shumtë kanë nderuar veprën e dëshmorit, Imer Shala i njohur si Rrapini, në shënimin e 19 vjetorit të rënies heroike të tij.

Për nder të veprës dhe sakrificës së tij, në fshatin Miradi e Epërme nga vjen Imeri,me 28 nëntor 2011 është zbuluar edhe busti i dëshmorit dhe kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha,  pati premtuar gjatë fushatës elektorale se shkolla fillore e fshatit ku lindi ‘Rrapini’ do ta merr emrin e tij, por ky premtim akoma nuk është realizuar dhe familjarët e Imer Shalës ndihen të indinjuar nga kjo komunë.

Imeri gjatë gjithë jetës së tij është veçuar për atdhedashurinë, pasi që nga 1996 kur kthehet nga Sllovenia, ai akuzohet nga UDB-ja se gjoja ka djegur kurorat e varrezave serbe në fshatin Miradi dhe ka vuajtur dënim në burgun e Prishtinës dhe Smerkovnicë.
Më pas, në fillim të vitit 1998, ai së bashku me vëllain Xhaferin kthehen në Kosovë nga Maqedonia dhe në pranverën e këtij viti Rrapini i bashkohet UÇK-së në Terpezë dhe Novoselë të Malishevës në njësitin e komandant ‘Çelikut’, duke sistemuar në Shtabin lokal të Kleçkës në muajin qershor.

Imer Shala më pas kalon në pikën e Fushticës së Ulët dhe në muajin korrik kthehet në Grykën e Llapushnikut për ta mbrojtur atë nga sunduesit serb.

Në të njëjtin vit, në muajin shtator, Rrapini kalon në Zonën Operative të Llapit dhe deri në shkurt të vitit 1999 merr pjesë në gjitha luftimet që u zhvilluan në këtë zonë.
Pas kësaj periudhe, Imer Shala rikthehet në Drenicë dhe inkuadrohet në radhën e Brigadës 111 ‘Adem Jashari’ dhe së bashku me shokët e kësaj Brigade bie heroikisht në fshatin Abri.

Rënia e tij u bë edhe më heroike kur ai u përpoq që ta tërhiqte trupin e pajetë të shokut të tij, Xhevat Demaku, por që fatkeqësisht pëson të njëjtin fat sikurse miku i tij.
Po ashtu, në këtë përkujtim të 19-të u mbajt edhe një turnir futbolli./Lajmi.net/