LDK-ja këmbëngul për zgjedhje

Aktuale April 07, 2018 - 08:05
Lajmet

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbeten opsioni i vetëm i koalicionit qeverisës, të cilët më nuk e kanë shumicën e votave në Kuvend. Partitë opozitare paralajmërojnë ngritje të mocionit për rrëzim të Qeverisë nëse këta të fundit nuk japin dorëheqje vetë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Të gjitha partitë opozitare të vendit pajtohen që koalicioni qeverisës nuk është më funksional dhe të gjithë dakordohen në një pikë, që nëse zgjedhjet e parakohshme janë interes i vendit ata do t’i përkrahin ato. E sa i përket kërkesës për zgjedhje të reja nga LDK-ja ka folur edhe kryeministri Haradinaj, i cili është shprehur se nëse LDK-ja e ka përnjëmend rrëzimin e Qeverisë, atëherë do t’i ketë edhe votat e AAK-së. Por deputetë nga koalicioni qeverisës konsiderojnë që vendi ka prioritete të tjera dhe zgjedhjet e parakohshme nuk do të ofronin një situatë më të mirë sesa situata aktuale. Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike të vendit thonë që është në dorë të Partisë Demokratike të Kosovës nëse dëshiron apo jo të rrëzojë Qeverinë. Kjo sepse, sipas tyre, as opozita nuk i ka votat të rrëzojë Qeverinë, por as koalicioni qeverisës nuk i ka numrat për të qëndruar në krye të saj.

LDK-ja paralajmëron mocion votëbesimi për Haradinajn

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, gjatë ditës së djeshme përsëriti kërkesën që vendi të shkojë në zgjedhje. “Vendi nuk mund të qeveriset më tutje nga kjo Qeveri e pakicës, si rezultat temat e mëdha nuk mund të adresohen nga kjo Qeveri e në veçanti dialogu me Serbinë, po flitet shumë për këtë marrëveshjen gjithëpërfshirëse përfundimtare me Serbinë, por kjo nuk mund të arrihet me këtë pakicë parlamentare, të keni parasysh që janë afër 350 mijë vota shqiptare që janë në opozitë, në krahasim me pak mbi 200 mijë vota që janë në pozitë”, ka thënë Hoti. Pikërisht për këtë arsye Hoti potencoi që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. “Si rezultat i këtyre zhvillimeve vendi detyrimisht duhet të shkojë në zgjedhje jo vetëm pse dëshiron LDK-ja, por sepse vendit i duhet një qeveri stabile me viziton të qartë. Ne kemi ofruar opsionin tonë për një tryezë të përbashkët të partive politike për ta dakorduar një datë të zgjedhjeve dhe vendimet që duhet të ndodhin në ndërkohë. Nëse kjo nuk ndodh ne jemi të obliguar që ta çojmë përpara mocionin e votëbesimit për Qeverinë”, ka thënë Hoti.

Hoti më tutje ka thënë se partitë duhet ta marrin seriozisht kërkesën e LDK-së për zgjedhje.


Selimi: “Vetëvendosja”, pro rënies së Qeverisë

Deputeti nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, për “Zërin” ka thënë që “Vetëvendosja” është pro zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “Ne jemi pro zgjedhjeve, jemi për rënien e Qeverisë, por këto tema nuk do të zhvendosen paraprakisht në televizion, këto tema do të duhej të diskutohen ndërmjet subjekteve politike opozitare paraprakisht. Ne kemi vendosmërinë të punojmë për rrëzimin e kësaj qeverie, e cila tashmë është jashtë funksionit”, ka thënë Selimi.

Ndërsa lidhur me kërkesën e LDK-së për zgjedhje, ai u shpreh që të rrëzojnë Qeverinë kjo parti duhet të ketë një qasje krejt tjetër nga ajo që e ka. “Pavarësisht retorikës politike, pavarësisht të folurit bukur në Parlament ose në studio, sa për LDK-në qeveritë nuk bien as kur vinë zgjedhjet, që ta rrëzosh një qeveri duhet të kesh një qasje tjetër përtej fjalëve të bukura në Parlament e në televizion”, ka theksuar Selimi.

Pantina: Nëse zgjedhjet janë interes i qytetarëve ne do t’i mbështesim

Në anën tjetër edhe Shqipe Pantina, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, ka pranuar që vendi ka probleme serioze që kanë nevojë për zgjidhje, por nuk ka treguar nëse ata do të përkrahin mocionin për zgjedhje të parakohshme nëse opozita e propozon një të tillë.
“Kosova po përballet aktualisht me shumë probleme e për të cilat Qeveria duhet të ofrojë zgjidhje. Për fat të keq edhe kjo Qeveri, si ato të mëparshmet, më shumë ka shkaktuar kriza e probleme sesa i ka zgjidhur ato. Pra, ky vend ka nevojë për zgjidhje të problemeve dhe për një formë krejt tjetër të qeverisjes dhe deri më tani zgjedhjet të cilat në dekadën e fundit kanë qenë të parakohshme kanë ndërruar qeveritë, por jo formën e qeverisjes”, ka thënë Pantina për “Zërin”.

Pajaziti: PDK-ja nuk e ka shqyrtuar ende mundësinë për zgjedhje të reja

Por ndryshe mendon deputeti nga radhët e koalicionit qeverisës Zenun Pajaziti, i cili për “Zërin” ka thënë që në vend se të jenë prioritet zgjedhjet duhet të fokusohemi në sfidat që po e presin vendin. “Ne si parti nuk e kemi shqyrtuar asnjëherë mundësinë e zgjedhjeve të reja, unë si deputet mendoj që në agjendë të partive politike dhe të politikës kosovare duhet të jetë përballja me sfidat që i kemi përpara dhe që kanë të bëjnë me bisedimet me Serbinë, proceset integruese, etj.”, ka thënë Pajaziti. Madje, sipas tij, zgjedhjet e parakohshme nuk do të ofronin një situatë më të mirë sesa kjo aktuale.

Kadriaj: Nuk është koha për zgjedhje të reja

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që vendi nuk është në situatën më të favorshme për zgjedhje, por nëse shumica e partive e dëshirojnë një gjë të tillë, atëherë edhe AAK-ja është pro saj.
“Nëse punët në vend nuk janë aq mirë saqë vendi duhet të shkojë në zgjedhje normalisht që edhe ne e përkrahim, nëse e përkrahin të gjitha partitë edhe ne e përkrahim. Në zgjedhjet e fundit ne kemi dalë fituese në 7 komuna, kemi stabilitet në parti, nuk kemi ndonjë përçarje në parti, por unë nuk mendoj që është koha për zgjedhje, sepse Kosovën po e presin procese të mëdha, procese të rëndësishme”, ka thënë ajo. Ndërsa duke folur për stabilitetin e koalicionit qeverisës, ajo ka thënë se Haradinaj ka marrë përkrahje nga partitë opozitare me qëllim që vendi të ecën më tutje. “Haradinaj ka marrë përkrahje edhe nga opozita dhe të gjithë kanë shprehur gatishmërinë e përkrahjes së tij dhe do të jenë përkrahës të marrëveshjeve dhe të projektligjeve që do të vinë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kadriaj.

Tahiri: Rrëzimi i Qeverisë, në dorë të PDK-së

Në anën tjetër, politologu Ramush Tahiri ka thënë që Partia Demokratike e Kosovës e ka në dorë rrëzimin e Qeverisë njësoj sikur në zgjedhjet e kaluara.
“Kryeministri Haradinaj është deklaruar që nuk do të japë dorëheqje, por që dëshiron bashkëpunim konstruktiv që faktikisht mbetet në dorë të PDK-së, si herën e parë kur e ka rrëzuar Qeverinë e Isa Mustafës. Nëse vendos PDK-ja, atëherë kjo Qeveri bie, nëse nuk vendos kjo Qeveri mbahet kështu, sepse nuk ka vota për të qëndruar, por as për t’u rrëzuar. Është një pozicion ngërçi që nënkupton që koalicioni nuk është funksional, por mund të mbahet”, ka thënë Tahiri.