Presidenti Thaçi dhe drejtori Palmer flasin për rëndësinë e dialogut

Aktuale April 06, 2018 - 16:07
Lajmet

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore të SHBA-së, Matthew Palmer gjatë ditës së sotme raporton “Zëri.info”.

Përmes një komunikate për media, presidenca ka njoftuar se Presidenti Thaçi në këtë takim ka thënë se Kosova është e përkushtuar për paqe të qëndrueshme në rajon.

"Kosova është e gatshme për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë dhe është e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhje të përhershme që forcon paqen në rajon dhe në tërë kontinentin e Evropës", është shprehur presidenti Thaçi. Ndërsa, Matthew Palmer, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore i SHBA-së, rikonfirmoi edhe një herë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugëtimin evropian të Kosovës. Presidenti Thaçi dhe drejtori Palmer vlerësuan se vetëm dialogu çon drejt stabilitetit rajonal dhe paqes afatgjate, si dhe mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve në rajonin tonë./ZËRI