Kurti: Të rrëzohet kjo qeveri

Aktuale April 06, 2018 - 12:28
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i është bashkuar kërkesës së LDK-së për rrëzim të qeverisë Haradinaj.

Albin Kurti, përmes një reagimi në rrjetin social "Facebook", ka numëruar arsyet pse kjo qeveri duhet të ndërrohet, transmeton "Zëri.info". 

Ai aty ka përmendur kryesisht ngecjen ekonomike të vendit.

POstimi i plotë i Kurtit:

Në Kosovë nuk është e vërtetë se ndërrohen qeveritë.

Buxheti i Kosovës është tejet i ngjashëm nga viti në vit: gati gjysma paga e mëditje dhe mallra e shërbime, çereku shpenzime kapitale (3/4 aty në asfalt) si dhe po aq subvencionet e transferet.

Të hyrat vetanake të komunave të Kosovës (gjysma prej të cilave tatim në pronë) nuk janë as 50 milionë euro në vit. 30 herë më shumë janë të hyrat tatimore e të cilat përbëjnë mbi 2/3 e të hyrave buxhetore (me ç’rast afër 90% të tyre janë tatimet indirekte: TVSh, dogana dhe akcizë).

Në vitin 2017 nuk pati fare të hyra nga fitimet e nxjerra nga korporatat përmes dividentave. Ndërkaq, tatimi në të ardhurat e korporatave ishte 75 milionë euro apo vetëm 5% e të hyrave tatimore.

Zhvillim ekonomik? Rrugëtim evropian? E pamundur me këtë strukturë dhe me këso shifrash.

Është e vërtetë se në Kosovë duhet të ndërrojë qeveria.

Sepse, duhet të ndryshojë buxheti: të hyrat dhe shpenzimet, planifikimi dhe realizimi i këtyre, gjithnjë në dritën e një vizioni zhvillimor socio-ekonomik për të ardhmen, e jo nën hijen e një administrimi dembel për mbijetesë në tashmen.