Qëndrimi i Haradinajt për taksën e 'Rrugës së Kombit'

Aktuale April 06, 2018 - 08:29
Lexo detajet

Fakti që një oligark shqiptar e ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e autostradës së Shqipërisë, e për të cilën duhet paguar 5 euro, ka shkaktuar dyshime edhe për Ramush Haradinajn.

Ai ka thënë për Top Channel se po të ishte në pyetje vetëm mirëmbajtja, edhe Qeveria e Kosovës do të paguante.

Haradinaj e ka konsideruar mjaft të lartë taksën dhe ka deklaruar se Kosova do të ishte e gatshme të paguante nga buxheti i shtetit për të dhënë kontribut për mirëmbajtjen e kësaj rruge, në mënyrë që të mos ngarkohen qytetarët shqiptarë dhe kosovarë me këtë tarifë kaq të lartë.

“Nëse do të ishte në pyetje, kostoja e mirëmbajtjes së kësaj rruge, ne kishim mundur të dakordësojmë për të paguar dhe ne një kosto nga buxheti jonë i Kosovës, që të mos vendoset një taksë kaq e lartë. Është diçka që bëhet në raste të caktuara”, ka thënë Haradinaj në Top Channel.

“Përshembull të reduktohet taksa njëherë atje, kostoja e mirëmbajtjes mund të jetë e lartë, kishim mundur ta diskutojmë mundësinë që dhe për disa vjet të marrim pjesë me një buxhet të caktuar. Pra të shkarkohen qytetarët, të mos ngarkohen, jemi në ato periudhat që kemi nevojë ende për shkëmbime, për rritje të shkëmbimeve, rritje të komunikimeve, kemi nevojë dhe për zgjidhje alternative besoj”, u shpreh Haradinaj.

I pyetur nëse Kosova po mendon vendosjen e një takse në pjesën tjetër të rrugës, Haradinaj u përgjigj se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në mandatin e tij si kryeministër, por mund të ndodhë në të ardhmen.

“Nuk do të vendoset në këtë mandatin tim një taksë në rrugë, ne jemi ende në proces të përmbylljes së autorrugëve. Po përmbyllim autorrugën për në Shkup këtë vit. Do fillojmë autorrugën e Dukagjinit nga Istogu në Prizren, nëpër Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren. Jemi drejt përmbylljes po ashtu Prishtinë-Pejë, po përmbyllim Prishtinë-Mitrovicë. Pra ne diku prej tre vitesh përmbyllim gjithë infrastrukturën e Kosovës”, ka thënë ai.