Delawie: Këtë vit epilogu i dialogut

Aktuale April 06, 2018 - 07:41
Lexo detajet

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të ketë epilog këtë vit. Diplomati amerikan të enjten ka thënë se dialogu me Serbinë ka sjellë përfitime të mëdha për Kosovën dhe si i tillë nuk ka alternativë pos dialogut mes dy shteteve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ai këto komente i bëri në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe nga Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), e cila është fillimi i një dialogu të brendshëm lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ku po diskutohet për marrëveshjen finale mes dy shteteve.

LEXO EDHE: Ambasadorët që do të kthehen deri në qershor

“Dialogu ka sjellë përfitime në Kosovë, siç është integrimi i drejtësisë në veri, integrimi i Policisë.

Kemi një lloj lodhjeje nga dialogu viteve të fundit... Nuk ka alternativë përveç dialogut. SHBA-ja mbështet aspiratat e Kosovës dhe të Serbisë për t’iu bashkuar BE-së. Këtë vit duhet të bëhet përparim në dialog. Sa i përket finales së madhe, ky studim është kontribut i çmueshëm”, ka thënë ai.

Thaçi: Duhet të jemi të bashkuar për dialogun me Serbinë

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi në këtë konferencë ka thënë se Kosova është e përkushtuar që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, por që kjo e fundit nuk është shprehur e gatshme.

“Në të gjitha delegacionet Kosova ka qenë e gatshme për bisedime me Serbinë, por në mungesë të udhëheqjes së Serbisë për t’i dhënë fund kësaj çështjeje kjo gatishmëri ka munguar në Serbi, sidoqoftë sot jemi këtu për të folur për raportet e ardhshme mes dy shteteve”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, duhet të përfundojë sa më parë kjo mosmarrëveshje mes dy shteteve.

“Duhet të kryhen punët e papërfunduara me Serbinë dhe duhet të arrihet marrëveshja ligjërisht obligative mes dy shteteve. Kjo është interes nacional i Kosovës dhe në këtë proces ne duhet të jeni të bashkuar për t’i hapur rrugë Kosovës për të qenë e barabartë me shtetet e tjera evropiane”, ka thënë Thaçi.

Ai duke folur për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbinë ka theksuar se BE-ja dhe SHBA-ja do të duhej të jenë garantues të kësaj marrëveshjeje finale.

“Bisedimet me Serbinë siç i kemi bërë bashkë deri tani do të duhej të na bashkonin tani edhe në finalen e Brukselit. Ky unitet politik është i domosdoshëm për arritjen e një marrëveshjeje finale. Ky do të jetë një proces shumë i vështirë, por nuk ka alternativë”, ka thënë presidenti i vendit.

Haradinaj e quan BE-në të dobët dhe të ngadalshme për negociata

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ndryshe nga parafolësit e tij është treguar i ashpër me Brukselin për veprimet e tyre ndaj Kosovës.

Haradinaj aty ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të tregojë që nëse nuk ka kapacitet për t’i ardhur në ndihmë Kosovës, atëherë duhet të kërkojë ndihmë, derisa ka shtuar se Kosova “do t’u grahë punëve ashtu siç di vetë”.

“Nëse s'keni kapacitet lypni ndihmë ose nëse prapë s'doni të lypni ndihmë le të na tregojë neve dhe ne shkojmë në drejtimin tonë si në të kaluarën, që u kemi grahur punëve tona. Këtu shihet përfshirja e Brukselit, pra ata lejojnë që të ndodhin plot veprime joligjore në veri dhe rreth Kosovës dhe s'e ka një fuqi t’i thotë Beogradit që s'ke të drejtë ta bësh një veprim të tillë”, është shprehur Haradinaj.

Ndërsa ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka përsëritur edhe një herë kërkesën e tij sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

“Prishtina dhe ana e Beogradit duhet t’i angazhojë jo më shumë se dy vëzhgues, që do të jetë dëshmitarë të bisedimeve në Bruksel. Këta përfaqësues apo dëshmitarë duhet të jenë plotësisht apolitikë, që neve të tjerëve dhe serbëve të Kosovës të na transmetojnë se çka po ndodh”, ka thënë Rashiq.