Ambasadorët që do të kthehen deri në qershor

Aktuale April 06, 2018 - 07:34
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Në qershor të këtij viti në Kosovë pritet të kthehen nëntë ambasadorë nga vendet ku kanë shërbyer deri më tani. Ministria e Jashtme tashmë ua ka dërguar dekretin për kthim. Opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile ankohen se ambasadat kosovare janë shndërruar në çerdhe për rehatimin e militantëve politikë, shkruan sot Gazeta 'Zëri". 

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ), e cila udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, e ka dërguar dekretin për kthimin e nëntë ambasadorëve kosovarë nga shtetet ku kanë shërbyer deri më tani, përderisa kthimi i tyre pritet të ndodhë në qershor të këtij viti.

Gazeta “Zëri” ka mësuar se dekreti për kthim në Kosovë tashmë u është dërguar: ambasadorit të Kosovës në Britaninë e Madhe Lirim Greiçevcit, Shpend Kallabës, ambasador në Bullgari, Sabri Kiqmarit, ambasador në Australi, Valdet Sadiku, diplomat në Serbi, Nexhmi Rexhepit, ambasador në Slloveni, Vjosa Dobrunës, ambasadore në Holandë, Avni Spahiut, ambasador në Turqi, Rexhep Bojës, ambasador në Arabinë Saudite, si dhe Edon Canës, konsull i Kosovës në Strazburg.

Pas kthimit të ambasadorëve zyrtarë për informim në MPJ thonë se postet vakante të diplomatëve kosovarë në këto shtete do të plotësohen, duke marrë parasysh legjislacionin aktual në fuqi dhe procedurat e përcaktuara në të.

Burime të “Zërit” po ashtu bëjnë të ditur se pas kthimit në Kosovë Lirim Greiçevci do të shkojë ambasador në Holandë, derisa për ambasador në Gjermani është propozuar publicisti Beqë Cufaj.

Opozita: Ambasadat po mbushen me militantë partiakë

Shqetësimet më të mëdha nga partitë opozitare dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile janë se shërbimi diplomatik i vendit është mbushur me të emëruar politikë, duke i anashkaluar kështu ambasadorët e karrierës.

Ligji për Shërbimin Diplomatik në Kosovë e përcakton që kuota për përfaqësuesit diplomatikë është 50% politikë dhe 50% të emëruar nga detyra në Shërbimin e Jashtëm, apo siç njihen ndryshe ambasadorë të karrierës, përderisa në Kosovë kjo kuotë është tejkaluar, duke bërë që gati 80% të përfaqësuesve diplomatikë në vendet e huaja të jenë të emëruar politikë.

Megjithatë, zyrtarë të MPJ-së thonë se e kanë në konsideratë përcaktimin ligjor, sipas të cilit të paktën 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe shefave të misioneve duhet të bëhen nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm.

“Në mbështetje të kësaj dhe në koordinim me institucionet kushtetuese që menaxhojnë me politikën e jashtme zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i ka marrë të gjitha masat dhe veprimet që të respektohet ky përcaktim ligjor, si dhe që të ruhet ekuilibri në mes ambasadorëve politikë dhe atyre të karrierës”, kanë thënë për “Zërin” zyrtarë të MPJ-së.

Në anën tjetër, deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje” Albulena Haxhiu ka thënë për “Zërin” se ambasadat kosovare janë shndërruar në vende pune për militantë të partive politike, duke mos respektuar kështu kuotën ligjore 50% emërime politike dhe 50% të karrierës. 

“Ajo çfarë ka qenë evidente në vazhdimësi është se një degradim i thellë i ambasadave për shkak të pazareve të subjekteve që kanë udhëhequr me vendin, fillimisht të PDK-së e pastaj të LDK-së dhe me udhëheqjen aktuale. Pra, ambasadat në vendet ku i kemi janë shndërruar si vende pune për militantët e tyre dhe për pazare me njëri- tjetrin. Ambasadat tona në përgjithësi lënë shumë për të dëshiruar pikërisht për shkak të këtyre problemeve”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka shtuar se me të njëjtin avaz po vazhdon edhe qeveria “Haradinaj”, ku sipas saj përfaqësimet diplomatike të Kosovës nuk po i mbrojnë interesat e shtetit.

LDK: Të rregullohet kuota 50/50

Kurse deputetë të partisë më të madhe opozitare (LDK) para pak ditësh kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, ku ishte paraparë intervistimi i një kandidati për ambasador (i propozuar nga qeveria “Haradinaj”) me pretendimin se po bëhen emërime politike.

“Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e konsideron këtë proces të paligjshëm dhe për këtë arsye kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, deputetja Vjosa Osmani dhe anëtarja e këtij komisioni, deputetja Doruntinë Maloku, kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë mbledhje dhe të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore”, thuhej në njoftimin e LDK-së.

Ata kanë kërkuar rregullimin e kuotës që 50% të shefave të misioneve të jenë politike dhe 50% të karrierës, ashtu siç edhe është e rregulluar me ligj.

Dështimet me përzgjedhjen e diplomatëve

Nezir Kraki, njohës i çështjeve ndërkombëtare, konsideron se të gjitha qeveritë kanë dështuar në emërimet e përfaqësuesve diplomatikë.

“Mendoj që të gjitha qeveritë deri tash kanë dështuar në emërimet dhe në zgjedhjen e përfaqësuesve diplomatikë të Kosovës, qoftë në nivel ambasadorësh apo edhe të stafit përcjellës”, ka thënë ai.

Megjithatë Kraki ka thënë se disa ambasadorë po përfaqësojnë me dinjitet vendin, ndonëse janë emëruar me përkrahje politike.

Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka thënë se edhe pozitat e shërbimit diplomatik po konsiderohen vetëm si vende pune dhe kjo sipas tij ka reflektuar edhe në dështimet e brendshme të shtetit.

“Diplomacia e Kosovës, ashtu si edhe segmentet e tjera të shtetndërtimit, karakterizohen nga deformime dhe me dështime serioze si pasojë e klientelizmit politik. Konceptimi i pozitave të shërbimit diplomatik thjesht si vende pune për t’i rehatuar njerëzit e partive jo vetëm që e ka dëmtuar cilësinë e këtij segmenti më rëndësi vitale për shtetin, por ka reflektuar edhe dështimet e brendshme të shtetit sa i përket avancimit profesional dhe respektimit të procedurave të rekrutimit”, ka thënë Fetoshi.

Ai ka shtuar se nëse nuk hiqet dorë nga modeli klientelist as që mund të shpresohet për një diplomaci efikase e produktive.