Zyrtarja e BE-së sjellë ultimatume dhe kritika për Kosovën

Aktuale April 05, 2018 - 12:59
Angelina Eichhorst deklaratë të fuqishme për Kosovën

Angelina Eichhorst, drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë dhe zëvendësdrejtoreshë Menaxhuese në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), ishte në një vizitë dyditore në Prishtinë për të adresuar zhvillimet e fundit dhe hapat e ardhshëm urgjent.

Bashkë me udhëheqësit politik të Kosovës, përfaqësuesit e shoqërisë dhe të sigurisë, Eichhorst diskutoi agjendën e integrimit evropian të Kosovës pas miratimit të Strategjisë së re të Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe në kuptimin e raporteve të ardhshme vjetore të Komisionit Evropian, përfshi edhe për Kosovën, që do të publikohet më 17 prill.

“Populli i Kosovës në raport do të ketë mundësinë të lexoj një vlerësim nga dora e parë lidhur me përparimin e Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendën e Reformave Evropiane. Çështjet e mbështetjes së legjislacionit ndërkombëtar, sundimit të ligjit, drejtësisë, transparencës, procesit të rregullt ligjor dhe gjykimit të drejtë, si dhe luftës kundër krimit të organizuar janë elemente të rëndësishme kundrejt të cilave do të matet progresi. Duke mbetur e përkushtuar ndaj agjendës së BE-së, si orientim i saj strategjik, Kosova mund të presë bashkëpunimin konstruktiv, efektiv dhe të frytshëm me BE-në dhe rajonin në tërësi”, tha Eichhorst.

Ajo përmendi rëndësinë e votimit të suksesshëm në Kuvend, me të cilin u ratifikua marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, një hap i pritur gjatë dhe i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave. Ajo gjithashtu mirëpriti punën pozitive lidhur me legjislacionin e fundit të miratuar në Kuvend.

“Sinjali i funksionimit të institucioneve solide është shumë i nevojshëm, në raste kur ka pyetje, gjithashtu në mesin e popullatës këtu dhe jo vetëm në Bruksel, dhe kur mençuria, besimi dhe lidershipi janë thelbësore”.

Theks i veçantë i është dhënë dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ngjarjeve të fundit në Mitrovicë, me të cilat ishte vënë në rrezik siguria e kryenegociatorit të Serbisë dhe e shumë njerëzve që jetojnë dhe punojnë në veri.

Eichhorst nënvizoi se çfarëdo mosmarrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të adresohet dhe zgjidhet në mënyrë paqësore në dhe përmes Dialogut dhe theksoi nevojën urgjente për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Kosova duhet të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin / Bashkësinë e komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme”, tha ajo.