Premtimi që s’u realizua kurrë i katër ministrave të Shëndetësisë

Aktuale April 05, 2018 - 08:35
Ja cili premtim nuk u realizua kurrë

Katër ministra të Shëndetësisë nuk kanë arritur t’i mbajnë premtimet e dhëna se brenda mandatit të tyre do të fillojë aplikimi i sigurimit shëndetësor për qytetarët, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ish-ministrat e Shëndetësisë, Alush Gashi, Ferid Agani dhe Imet Rrahmi, ishin zotuar se brenda mandatit të tyre do ta funksionalizonin Ligjin për Sigurime Shëndetësore.

Ndonëse çdo vit premtuan se ligji do të implementohet, kosovarët tashmë 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë ende nuk kanë sigurime shëndetësore.

Për më shumë, edhe ministri i  Shëndetësisë Uran Ismaili ka deklaruar se së shpejti do të implementohet ky ligj.

LEXO EDHE: Kuvendi formoi komision hetimor për deportimin e gylenistëve

Ismaili ka shtuar se është detyrë e tij t’i mbrojë qytetarët nga varfërimi për shkak të shpenzimeve shëndetësore.

Në anën tjetër anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë se deri më tani nuk ka pasur koordinim të mirë dhe monitorim të mjaftueshëm për mjetet e ndara për sigurimet shëndetësore.

Sipas saj, Komisioni do të vazhdojë të bëjë presione për implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

Ndërsa anëtarja tjetër e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku, ka theksuar se qytetarëve u është bërë padrejtësi në mosimplementimin e këtij ligji.

Ligji për Sigurimet Shëndetësore fillimisht ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2007, megjithatë atë nuk e kishte nënshkruar shefi i misionit të atëhershëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Rucker.

Kuvendi i Kosovës në muajin prill të vitit 2014 kishte miratuar një Ligj të ri për Sigurimet Shëndetësore.

Ismaili: Qytetarët së shpejti me sigurime shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili të mërkurën në raportimin e tij para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi ka thënë se së shpejti qytetarët e Kosovës do të bëhen me sigurime shëndetësore.

“Sigurimi shëndetësor nuk ndodh nëse nuk ka sistem informativ të fondit. Sistemi informativ i fondit është ajo pa të cilën nuk mundemi të punojmë. Ka një rreze shprese se së shpejti kemi mundësi të arrijmë sigurimet shëndetësore. Në sigurime shëndetësore nuk kemi arsye të ngadalohemi", ka theksuar ai.

Në lidhje me këtë çështje Ismaili muajin e kaluar përmes një shkrimi në rrjetin e tij social “Facebook” kishte thënë se deri më 12 mars 2018 do të dërgojë në Qeveri për miratim emrat e anëtarëve të Bordit për Fondin e Sigurimeve.

“Në kuadër të angazhimit tim, që sa më parë ta funksionalizoj Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, sot edhe zyrtarisht u kam dërguar kërkesë të gjithë akterëve të përcaktuar me ligj për të propozuar emrat e tyre që do të jenë pjesë e Bordit të këtij Fondi. Porsa të marr propozimet, më së largu më 12 mars, unë do t’i dërgoj emrat për miratim në Qeveri. Bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si organi më i lartë vendimmarrës, do të jetë përgjegjës të mbikëqyrë veprimtarinë dhe ligjshmërinë e punëve të Fondit”, ka theksuar ai.

Sipas Ismailit, është detyrë e tij t’i mbrojë qytetarët nga varfërimi për shkak të shpenzimeve shëndetësore.

“Është detyrë imja si ministër që të mbrojë qytetarët nga varfërimi për shkak të shpenzimeve në shërbime shëndetësore, andaj themelimi i këtij Bordi na ofron një hap më shumë drejt arritjes së këtij qëllimi. Brenda dy vjetësh të këtij mandati edhe qytetarët e Kosovës do të jenë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore”, ka shtuar ai.

Mirëpo, ndonëse ministri Ismaili kishte thënë se deri më 12 mars do t’i dërgojë emrat e anëtarëve të Bordit për miratim në Qeveri, tashmë gati pas një muaji zyrtarë për Informim në Zyrën e Kryeministrit kanë deklaruar për “Zërin” se ende nuk kanë pranuar asnjë emër për anëtarët e Bordit.

Sipas zyrtarëve për Informim në Zyrën e Kryeministrit, Ligji për Sigurime, i cili tashmë një kohë është në Qeveri, ka implikime të mëdha financiare.

Rrahmani: Punët tona po i paraqesin si rezultate të tyre

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka deklaruar se Fondi i Sigurimeve Shëndetësore do të funksionalizohet edhe pa Sistemin e Informimit, por që këtë gjë gjatë kohës kur ai ishte në krye të Ministrisë e kishin kundërshtuar deputetë të partisë së ministrit Ismaili (PDK).

“Me dhjetëra herë e kam mbrojtur në Kuvend qëndrimin tim sa isha ministër se Sistemi i Informimit të Fondit mund të funksionojë edhe pa u funksionalizuar SISH-i në tërësi. Dhe gjithmonë edhe deputetë nga partia e z. Ismailit kanë kundërshtuar këtë mundësi. Tash, si po del puna, i kemi humbur disa muaj për ta kuptuar se kjo është e mundur. Edhe sa muaj duhet të humben që të kuptohet se Sistemi i Informimit të Fondit ka qenë i gatshëm për të filluar me popullimin me të dhëna nga ARC-ja, ATK-ja, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë ai.

Rrahmani ka thënë për “Zërin” se janë duke u përsëritur punët e Ministrisë në mandatin paraprak, të cilat po paraqiten si suksese të Ministrisë së tashme.

Kadrijaj: Moskoordinimi, shkaktar i ngecjes

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se Komisioni për Shëndetësi ka bërë presione që të përgatitet infrastruktura ligjore për implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

“Edhe para këtij mandati kemi bërë presion te ministri që të përgatitet infrastruktura ligjore dhe të filloj të implementohet Ligji për Sigurime Shëndetësore. Ka qenë obligim edhe i Qeverisë së kaluar, edhe i ministrit që të fillojë të bëjë këtë infrastrukturë, por kemi ngecur, nuk kemi as sistem të informimit shëndetësor".