Kuvendi formoi komision hetimor për deportimin e gylenistëve

Aktuale April 05, 2018 - 08:18
Lexoni më shumë detaje

Deputetët kanë kërkuar nga Qeveria të japë informata rreth arrestimit dhe deportimit të gjashtë gylenistëve në Turqi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Por, në seancën e së mërkurës nuk mori pjesë as kryeministri dhe as ministrat, me përjashtim të atij të Drejtësisë Abelard Tahirit dhe ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar.

Deputetët e opozitës kanë dhënë kritika për krerët e shtetit dhe kanë thënë se pikërisht liderët e vendit janë përgjegjës për arrestimin dhe deportimin e paligjshëm të turqve të kërkuar nga Turqia.

Opozitarët madje kanë thënë se kjo ngjarje do të ketë pasoja në të ardhmen e vendit.

LEXO EDHE: Katër deputetë po hetohen për korrupsion

Në seancë është propozuar një rezolutë, ku ndër të tjera është kërkuar të formohet një komision hetimor parlamentar për të zbardhur këtë skandal.

Po ashtu kërkohet që drejtori i Policisë, shefi i AKI-së, kryeprokurori, ministri i Jashtëm, i Brendshëm dhe ai i Drejtësisë ta informojnë këtë komision me shkrim për këtë skandal, shkruan më tutje "Zëri".

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë që Ministria që ai drejton nuk ka dhënë leje për këtë gjë.

Ai ka thënë edhe se Ministria e Drejtësisë ka pranuar nga Turqia kërkesën për ekstradim për shtatë persona.

Ai madje ka thënë se nuk ka kompetencë që të flasë lidhur me zbatimin apo jo të procedurave të parapara me ligj në aksionin e deportimit të shtetasve turq.

“Në raport me temën që është shtruar më lejoni të sqaroj që nuk kam asnjë përgjegjësi individuale. Në krejt këtë debat nuk kam kompetencë të flas nëse janë zbatuar procedurat e parapara me ligj për shkak se ato u janë adresuar institucioneve të tjera të përfshira në këtë rast”, ka thënë Tahiri.

Hoti: Kryeministrin nuk e pyet askush

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, duke e arsyetuar kërkesën e partisë së tij për këtë debat parlamentar, ka thënë se liderët shtetërorë vazhdimisht po e dërgojnë vendin në kriza.

“Bartësit e institucioneve çdo ditë po na dërgojnë nëpër kriza të reja e skandale të reja. Sot duhet të merremi me skandalin e radhës, duke lënë pas problemet e tjera. Ne u shtangëm më 26 mars me lajmin që 6 shtetasit turq ishin arrestuar në vend që të intervistoheshin nga organet e drejtësisë. Të shtangur kishin mbetur edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, si dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, por jo edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, e tërë kjo situatë dëshmon që kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn nuk e pyet askush për vendime të rëndësishme për vendin.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, e ka pranuar që deportimi i gjashtë shtetasve turq ishte jo i duhur dhe se janë shkelur të drejtave e njeriut.

“Ne si PDK e mirëpresim debatin e sotëm për shkak të paqartësive të shumta që janë shfaqur me aksionin e deportimit të 6 shtetasve turq. Është e domosdoshme që Kuvendi ta thotë edhe fjalën e vet për këtë çështje”, ka thënë Krasniqi.

Molliqaj e quan Thaçin dinak

Dardan Molliqaj, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, ka thënë se pas tërë kësaj qëndron presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili sipas tij me “dinakërinë” politike i ka bërë favor shtetit turk.

“Ajo që sot është e qartë plotësisht sa i përket deportimit të shtetasve turq është që Hashim Thaçi e ka pranuar që ka qenë në dijeni për arrestimin e tyre. Për mua është qartësuar që Hashim Thaçi është mbrapa këtij aksioni. Nuk kemi nevojë më të bëjmë pyetje, sepse ai e ka pranuar që vetë e ka bërë këtë gjë të tillë”, ka thënë Molliqaj.

Mirëpo sipas tij, presidenti Thaçi është treguar dinak dhe nuk ka bërë shkelje ligjore.

“Unë mendoj se presidenti Thaçi si një njeri dinak në politikë nuk ka bërë ndonjë shkelje, e ka përdorur ligjin e Kosovës, mirëpo ne kemi një njeri që nuk përton asnjëherë t’i shërbejë Erdoganit dhe për këtë ka bërë deportimin e këtyre personave duke u thirrur në një nen që e cenon lirinë kombëtare të shtetit të Kosovës”, është shprehur Molliqaj.