Vetëvendosje: KQZ-ja pa mandat nga 27 marsi, Thaçi fajtori kryesor

Aktuale April 04, 2018 - 11:27
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kritikuar presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, se po i ik obligimeve kushtetuese për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Sipas Kurteshit, Thaçi po përpiqet të ik nga kjo temë duke u marrë edhe me shpifje.

“Synimi i Thaçit është privatizimi i çdo sektori, që ka mbetur u kapur nga ai, duke përfshirë edhe KQZ-në në këtë rast. Ai po i ik obligimeve të tij Kushtetuese. Ai e ka ngulfatur sistemin e drejtësisë. Sot ne nuk kemi asnjë prokuror që është në gjendje me e kapë atë e me e fut ne burg, sidomos pas shpifjeve të fundit në media. Këto veprime të Thaçit janë për të ikur nga temat e fundit, që janë si falja e territorit Malit të Zi. Nga këto tema përpiqet të ik pasi që ka gisht ose është faktorë i drejtpërdrejtë. Zvarritja e emërimeve e përfaqësueseve të partive politike në Komisionin Qendror Zgjedhor”, ka deklaruar Kurteshi, shkruan Periskopi.

Ndërkohë anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së do të duhej të kishte përfunduar në shtator të vitit të kaluar.

Rrustemi ka thënë se me vendimin për mos emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së, presidenca po e mban peng këtë institucion.

Ai ka thënë se si pasojë e mos emërimit të anëtarëve të rinj, KQZ-ja është pa mandat që nga 27 marsi i këtij viti.

“Përbërja e KQZ-së do të duhej të ndryshonte në shtatorin e vitit të kaluar. Është dashur që të emërohen anëtarët e rinj pas zgjedhjeve lokale. Nga 27 marsi i këtij viti KQZ-ja është pa mandat. Presidenca po e mban peng këtë institucion”, ka deklaruar Rrustemi në një konferencë të organizuar për media nga Lëvizja Vetëvendosje.