Sefaj i bindet Haradinajt, por jo edhe Gashi

Aktuale April 04, 2018 - 07:30
Për dallim prej Sefajt, Gashi ende nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë

Ministri i Brendshëm Flamur Sefaj dje ka dhënë dorëheqje të paravekoueshme nga detyra pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Por, një kërkesë të tillë nuk e ka përfillur ende shefi i AKI-së Driton Gashi, të cilit i ka dalë në mbrojtje presidenti Thaçi. Deputetë të AAK-së në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së janë të bindur se edhe kryespiuni kosovar do të dorëhiqet.

Pavarësisht se gjatë së premtes së shkuar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kërkoi dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, si dhe të shefit të AKI-së Driton Gashit, një kërkesë të tillë deri më tash e ka pranuar vetëm Sefaj, i cili vjen nga radhët e AKR-së, shkruan tutje 'Zëri". 

Për dallim prej këtij të fundit, Gashi ende nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë. Kjo për faktin se shefit të AKI-së i ka dalë në mbrojtje presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke mos dhënë pëlqimin e tij për ta larguar atë nga pozita në të cilën ndodhet aktualisht.

E për të përfunduar i shkarkuar shefi i AKI-së, pos miratimit të kryetarit të Qeverisë, nevojitet patjetër edhe pëlqimi i kreut të shtetit. Megjithëkëtë, kryeministri ka theksuar sërish dje se të dy “kokat e sigurisë” tashmë janë të shkarkuara.

Ndonëse Thaçi tashmë i ka dalë në mbrojtje Gashit, përfaqësues të AAK-së brenda Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së janë shprehur të vendosur se Driton Gashi do të përfundojë sikurse Flamur Sefaj, duke u dorëhequr.

Reshitaj: Secili duhet të japë përgjegjësi për atë që ka ndodhur

Gjatë pasdites së djeshme AKR-ja ka dhënë njoftimin për dorëheqjen e ministrit të MPB-së Flamur Sefaj, me ç’rast ka bërë të ditur se ai ka njoftuar kreun e ekzekutivit mbi tërë atë që ka ndodhur të enjten e kaluar.

Më tutje në këtë njoftim thuhet se Sefaj nuk ka qenë personi kyç në vendimmarrje, porse ai sipas AKR-së vetëm e ka zbatuar ligjin, duke përfillur kërkesën e AKI-së.  

“Për hir të opinionit bëjmë me dije se ministri Sefaj nuk ka qenë faktor vendimmarrës dhe vetëm ka zbatuar ligjin përkitazi me kërkesën së AKI-së, institucion ky që sipas Kushtetutës ka vlerësuar se personat e lartcekur përbëjnë rrezik për sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, potencohet në këtë njoftim.

Por pavarësisht kësaj dhe disa deklaratave të bëra nga përfaqësues të AKR-së se ky subjekt do të dalë nga Qeveria nëse shkarkohet ministri Sefaj, nënkryetarja e këtij subjekti Albena Reshitaj ka thënë se çdo vendim që vjen në vijim do të merret brenda organeve të AKR-së.

“Aleanca Kosova e Re ka Kuvendin e Anëtarëve dhe organet e tjera partiake të përcaktuara me status të partisë. Çdo vendim do të merret në këto organe dhe çdo opinion tjetër individual nuk paraqet qëndrim zyrtar të partisë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ndërkohë, sa i përket përgjegjësisë për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq Reshitaj ka thënë se duhet të shqyrtohet në përpikëri ajo që ka ndodhur, në mënyrë që secili akter i përfshirë të japë përgjegjësi.

Beka: Gashi do të dorëhiqet sikurse Sefaj

Edhe pse presidenti ende nuk ka dhënë pëlqimin për ta shkarkuar shefin e AKI-së, nga Qeveria nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështjeje.

Megjithatë, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, të publikuar dje, Haradinaj ka thënë se Sefaj dhe Gashi tashmë janë të shkarkuar. Haradinaj me këtë rast ka njoftuar se tashmë është nisur edhe një hetim i gjithanshëm lidhur me rastin në fjalë.

Ndërkaq anëtari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Bekë Berisha (nga AAK-ja), është shprehur i bindur se edhe shefi i AKI-së Driton Gashi do ta ketë fatin e njëjtë sikurse ministri Flamur Sefaj.

“Kompetenca është përgjysmë edhe e kryeministrit, edhe e presidentit kur është fjala për shefin e AKI-së. Por besoj që sikurse ministri Sefaj edhe drejtori i AKI-së do të japë dorëheqje”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Kusari-Lila: Mosdorëheqja e Gashit vulos kapitullimin e Haradinajt

Deputetja e opozitës Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në rast se Driton Gashi mbetet në detyrë e Sefaj dorëhiqet, atëherë vuloset kapitullimi i rendit dhe shtetit ligjor, si dhe kapitullimi i kryeministrit Haradinaj.

Sipas saj, Gashi duhet të largohet vetë nga pozita e tanishme e jo të detyrohet të largohet.

“Shefi i AKI-së të largohet vetë me pak dinjitet (nëse i ka mbetur sadopak) sesa të nxirret jashtë nga aty i turpëruar së shpejti. Ata që ishin pjesë e deportimit të shtetasve turq do t'i pret përgjegjësia penale, jo vetëm institucionale”, ka theksuar ajo.

“Përgjegjësia do të duhej të niste qysh nga Thaçi”.

Në anën tjetër teksa ka folur rreth deportimit të shtetasve turq, Agron Halitaj, njohës i çështjeve politike, ka vlerësuar se përgjegjësi për tërë këtë nuk kanë vetëm Flamur Sefaj e Driton Gashi.

“Përgjegjësi ka edhe ministri i Drejtësisë, sikundër edhe drejtori i Policisë së Kosovës. Nuk mund të shkarkohen dy të parët e të amnistohen dy të fundit. Por para së gjithash rasti i gylenistëve ka implikime ndërshtetërore. Në të tilla raste përgjegjësia rëndon mbi kryeministrin dhe presidentin e shtetit”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se përgjegjësia për rastin e fundit (dëbimin e gjashtë shtetasve turq) duhet të nisë qysh nga i pari i shtetit, Hashim Thaçi.

“Gashi dhe ministri Sefaj janë bërë kurbane për atë që ka ndodhur, por përgjegjësia nuk është vetëm te këta. Duket se presidenti Thaçi ka qenë në njohuri për shkak se unë personalisht nuk e besoj se shefi i AKI-së do të mundë ta japë një urdhër të tillë pa konsultim me presidentin. Për këtë shkak besoj që ai ka qenë në dijeni. Përgjegjësia duhet të nisë që nga presidenti Thaçi”, ka deklaruar ai.

Ai më tej ka konsideruar se është dashur që të ketë edhe të tjera shkarkime. Megjithatë, është shprehur i bindur se vetëm Sefaj do të jetë ai që do të përfundojë i shkarkuar, por jo edhe shefi i AKI-së Driton Gashi.