Bahtiri tregon arsyet pse pranuan dorëheqjen e ministrit Sefaj!

Aktuale April 03, 2018 - 18:38
DETAJET

Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i është përgjigjur Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, në kërkesën për lirimin e detyrës, që i është drejtuar para disa ditësh.

Largimin e Sefajt e ka komentuar nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri.

“Ne e kemi pranuar dorëheqjen e Sefajt për shkak se dëshirojmë që proceset të shkojnë përpara”, ka thënë Bahtiri në një lidhje direkte në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Edhe ashtu kemi shumë probleme në vend – paraqitja e Listës Serbe, e cila dëshiron ta shfrytëzojë këtë paralizë institucionale, në bëri që ta pranojmë dorëheqjen e Sefajt”.

“Ne çdoherë kemi qenë bashkëpunues dhe i kemi çuar proceset përpara në të mirë të qytetarëve”.

“Çdokush që nuk e respekton Ligjin duhet të shkojë në shtëpi. Sefaj nuk e ka lajmëruar Haradinajn për këtë aksion, ndonëse e ka pasur për obligim – ai ka menduar që këtë lajmërim e ka bërë Agjencia Kosovare e Inteligjencës”.

“Për shkak të moslajmërimit, ne e kemi marrë këtë përgjegjësi – sepse ne çdoherë e kemi respektuar Ligjin”.

Bahtiri ka treguar që edhe ministri i ardhshëm i Punëve të Brendshme do të jetë nga radhët e AKR-së.

Nënkryetari i AKR-së dhe kryetar i Mitrovicës Jugore ka thënë se duhet të ulen gjakrat ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, pasi ky shtet gjithmonë i ka ndihmuar Kosovës.