Erdoganit i shkon përgjigja e Haradinajt

Aktuale April 03, 2018 - 11:25
Debati mes Recep Tayyip Erdoganit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj po merr vëmendjen e mediave botërore

Debati mes Recep Tayyip Erdoganit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj po merr vëmendjen e mediave botërore, ndërsa mediat turke janë përkujdesur të transmetojnë mesazhin që Haradinaj dje i dërgoi Erdoganit nga Prishtina.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan - pasi Kosova ia dorëzoi gjashtë gylenistë, drejtues dhe profesorë të Kolegjit Mehmet Akif, - ka falëndëruar përzemërsisht presidentin Hashim Thaçi, ndërsa tha se kryeministrit Ramush Haradinaj duhet t’i vijë turp që shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI’së për shkak të deportimit të gylenistëve.

Haradinaj vendosi që pas dy ditëve, në një organizim për Seknderbeun, të çonte mesazhin e tij te Erdogani. Presidentit turk i tha se Kosova i kryen vetë punët e saj, pa intereferimin e Turqisë nga jashtë.

“Kryeministri Haradinaj ka zgjedhur ceremoninë e nderimit të heroit që i rezistoi Perandorisë Osmane gjatë shekullit të 15 për t’iu përgjigjur kritikave të presidentit Erdogan të bëra më 31 mars”, shkruan versioni anglisht i medias turke, Hurriyet, transmeton Express.

Ndërsa për kritikat e Erdoganit dhe reagimin e Haradinajt i kanë transmetuar edhe medie të fuqishme botërore. Washington Post përcjellë po ashtu mesazhin e Haradinajt nga evenimenti për nder të 550 vjetorit të heroit Skenderbeut.