Koalicioni, jofunksional

Aktuale April 03, 2018 - 07:49
Pas daljes së Listës Serbe nga institucionet qendrore dhe pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm nga radhët e AKR-së, Flamur Sefaj, vlerësohet se koalicioni qeverisës është jofunksional, shkruan sot Gazeta ''Zëri''

Mezi i pati siguruar 62 vota në Kuvend për t’i formuar institucionet, ndërkohë që sot koalicionit qeverisës i kanë mbetur vetëm 53 sosh. 

Pas daljes së Listës Serbe nga koalicioni Qeveria e Kosovës nuk është më funksionale, shkruan më tutje "Zëri".

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se Qeveria e tanishme nuk mund të quhet më as qeveri e pakicës.

Nga ana tjetër, përderisa nga ekzekutivi vlerësojnë se janë duke i kryer të gjitha detyrat plotësisht, nga PDK-ja (partia më e madhe e koalicionit qeverisës) konsiderojnë se Qeveria duhet të punojë që t’i sigurojë së paku 61 numra në rast se ka rrezik në këtë drejtim.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj para pak ditësh ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefajn, i cili vjen nga radhët e AKR-së.

Nga ky subjekt kanë bërë të ditur se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim sa i përket kësaj çështjeje, megjithatë kanë pohuar se ende vazhdojnë të jenë pjesë e Qeverisë pavarësisht kësaj situate.

Matoshi: AKR-ja është në Qeveri

Fatmir Matoshi, kryetar i Kuvendit të AKR-së, ka bërë të ditur për “Zërin” se ky subjekt do të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë pavarësisht zhvillimeve të fundit, ku kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi ministrin e MPB-së Flamur Sefajn.

“Ne kemi dhënë mundësinë që të ndërtohet Qeveria dhe sigurisht që ne jemi në Qeveri, por për çështjen e Flamur Sefajt nuk kemi folur. Nuk kemi ndonjë vendim të paktën deri nesër. Sefaj është duke punuar në drejtim të një raporti që përcakton përgjegjësitë dhe veprimet e tij si ministër për rastin në fjalë, po ashtu edhe në rastin e Gjuriqit”, ka deklaruar ai.

Ani pse AKR-ja gjatë ditës së djeshme ka pasur dy takime, Matoshi ka thënë se rasti i Sefajt nuk është diskutuar aty.

Megjithatë, ai është shprehur i vendosur se AKR-ja nuk do ta humbë Ministrinë e Brendshme ndonëse ministri Sefaj tashmë është shkarkuar nga kryeministri.

“Sigurisht që deri tash s’kemi pasur këso tendencash, kjo nuk është etike e as në kuadër të marrëveshjes”, ka shtuar ai.

Ndërkaq nënkryetari Agim Bahtiri ka deklaruar gjatë së dielës se AKR-ja nuk e ka pranuar shkarkimin e ministrit Sefaj.

“Nuk është e vërtetë se AKR-ja ka pranuar shkarkimin e ministrit Flamur Sefaj. AKR-ja ditëve në vazhdim do të marrë qëndrim përfundimtar për çështjen e ministrit Flamur Sefaj”, ka thënë ai.

Haliti: Viktima e vetme në këtë katrahurë është ministri Sefaj

E deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka vlerësuar se Sefaj është viktima e vetme e tërë këtij rasti.

“Në gjithë këtë katrahurë ai është viktima e vetme e kësaj situate. Viktima e vetme pra është ministri i Brendshëm, të tjerët janë në rregull”, ka nënvizuar ai.

Duke folur rreth funksionimit të koalicionit, Haliti ka thënë se Qeveria mund të bjerë në rast se nuk arrin të punojë sipas ligjeve dhe Kushtetutës.

“Rregullat janë për funksionimin ose jo të koalicioneve, nëse koalicioni nuk i plotëson normat e përcaktuara me ligj dhe me Kushtetutë domethënë që Qeveria është në rënie. Nëse ka rrezik, atëherë i takon Qeverisë që të bisedojë me të tjerët për ta arritur numrin e votave që i duhet për ta mbajtur koalicionin, në të kundërtën dihet rezultati”, ka deklaruar ai.

Haliti gjatë bisedës për “Zërin” nuk ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Në politikë asgjë asnjëherë nuk është e pamundshme, gjithçka është e mundshme”, ka thënë shkurt ai i pyetur rreth kësaj çështjeje.  

Kurse këshilltari politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka thënë se Qeveria është duke i kryer të gjitha detyrat.

“Qeveria e Kosovës është duke i kryer të gjitha detyrat dhe agjendën shtetërore sipas ligjeve dhe Kushtetutës”, ka potencuar ai.  

Baraliu: Qeveria nuk mund të funksionojë

Pavarësisht tij, njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka konsideruar se Qeveria e ka të pamundur të funksionojë pas zhvillimeve të fundit.

“Gjendja faktike është e tillë që kjo qeveri nuk mund të funksionojë. Ishte qeveri e pakicës, por tash nuk është as e pakicës. Nuk është qeveri që mund të funksionojë as me këmbë të qelqta. Do të duhej që koalicioni qeverisës të ulej edhe me partitë opozitare, me LVV-në, LDK-në dhe me partitë e tjera të diskutonin për mundësinë e një marrëveshjeje konsesuale parimore për ta krijuar një qeveri teknike”, ka deklaruar Baraliu.

Qeveria teknike sipas tij do të mundë të funksiononte deri në një afat të caktuar (qoftë për gjashtë muaj apo një vit) dhe pastaj të caktoheshin zgjedhjet e parakohshme.

Ndërkohë, edhe po që se AKR-ja vendos të largohet nga koalicioni, sipas tij, nuk paraqet ndonjë ndikim për rrethanat e tanishme.

“AKR-ja nuk paraqet asnjë forcë politike me ndikim të madh dhe dalja e saj nuk do të thotë shumë nëse ka disponim nga LDK-ja apo LVV-ja për t’iu bashkuar Qeverisë. AKR-ja nuk është kurrfarë force, i ka dy deputetë”, ka shtuar ai.

Haxholli: Largimi i LS-së komplikon funksionimin e koalicionit

Kurse Fatmir Haxholli, analist politik, ka vlerësuar se Lista Serbe ia ka komplikuar dukshëm punën koalicionit. 

“Largimi deklarativ i Listës Serbe nga koalicioni i komplikon paksa çështjet në lidhje me qeverisjen e koalicionit. Sidoqoftë, ajo po vazhdon të jetë pjesë e jetës institucionale. Ne kemi parë që Lista Serbe edhe duke mos deklaruar këtë largim nuk është se ka përkrahur sa e si duhet Qeverinë, me fjalë të tjera ajo nuk ka qenë lojale. Ta zëmë në çështjen e demarkacionit kjo Listë doli të jetë kundër parimeve të partneritetit që kërkohen nga një koalicion”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, sa i përket AKR-së Haxholli është shprehur optimist se do të reflektojë dhe nuk do ta braktisë Qeverinë pavarësisht shkarkimit të ministrit të MPB-së, i cili vjen nga kjo parti politike.