Kujt iu drejtua Mogherini në Beograd kur tha “kjo nuk guxon të përsëritet”?

Aktuale April 02, 2018 - 10:24
E Fundit

Goran Bogdanoviq, deputet në parlamentin serb, ish-ministër për Kosovë në Qeverinë serbe përgjigjet në disa pyetje të gazetës serbe Blic në lidhje me ngjarjet e fundit në Kosovë

Goran Bogdanoviq, duke folur për ngjarjet që ndodhën në veri me arrestimin e Gjuriqit, ka thënë se nuk u beson teorive konspirative.

“Ekzistojnë spekulime të ndryshme dhe teori konspirative, por unë nuk i besoj këtyre tregimeve dhe dua të besoj se nuk ishte në pyetje qëllimi i keq, para se gjithash i Beogradit, dhe në një mënyrë edhe i Prishtinës. Mund të thuhet se çështja ka qenë më tepër në nivelin personal. Dua ta përkujtoj deklaratën e Vuçiqit i cili të dielën në Bruksel ka thënë se kishte dashur të shohë se kush guxon ta ndalë Gjuriqin dhe Selakoviqin të shkojnë në Mitrovicë dhe në çfarë mënyre. Duke e ditur mentalitetin e shqiptarëve, se si mendojnë ata dhe për çfarë janë të gatshëm, një reagim i tillë ishte i pritur. Mua më brengos diçka tjetër. Para së gjithash pasiviteti i serbëve në Kosovë dhe pasiviteti i bashkësisë ndërkombëtare. Kjo nuk është hera e parë e hyrjes së njësitit ROSU në veri, por është hera e parë të hyjë në një vendbanim dhe të veprojë në mënyrë kaq brutale. Kjo është “fyerje” për popullin serb”.

LEXO EDHE: Daçiq: S’ka bisedime për njohje të Kosovës apo ulëse në OKB

Para disa ditësh Frederica Mogherini në mënyrë urgjente erdhi në Beograd dhe porositi se “kjo më nuk guxon të ndodhë”. Kujt i ishte drejtuar ajo me këtë rast?

“Këtë pyetje askush nuk e ka bërë. Pas vizitës së saj nuk kishte konferencë për shtyp por vetëm është dhënë një kumtesë me këtë fjali dhe ne nuk e dimë se çfarë do të thotë kjo por vetëm mund të supozojmë. Përse Mogherini nuk shkoi në Prishtinë nëse nuk pajtohej me atë se çfarë ndodhi në veri të Kosovës? Çfarë bëri ajo në Beograd, shprehu ngushëllime? Përse nuk shkoi te Thaçi dhe Haradinaj që atyre t’iu thotë se kjo më nuk guxon të përsëritet, e jo të vijë në Beograd dhe këtë fjali ta thotë këtu. Është e qartë se me çfarë qëllimi ajo kishte ardhur në Beograd edhe pse tentohet nga ana e pushtetit dhe medieve të afërta me të, të krijohet bindja se, ja, ajo ishte korrekte dhe kishte mirëkuptim. Për çfarë kishte mirëkuptim? Për atë se ROSU, përkundër pajtimit të serbëve, me leje të KFOR-it dhe EULEX-it, të hyjë në veri? Për atë se në sallën për mbledhje janë rrahur njerëzit, ndërsa zyrtari i lartë e shtetit serb u arrestua, u tërhoq zvarrë nëpër Prishtinë dhe në fund u dëbua?

AKS do të jetë diçka sikur organizatë joqeveritare?

LEXO EDHE: Jeremiq: Vuçiq ofroi shkëmbim territoresh me Kosovën

“Thaçi, Haradinaj dhe Veseli kanë marrë vendim të fillohet me krijimin e AKS, por unë nuk iu besoj atyre dhe frikohem se nuk ka asgjë prej kësaj. Edhe nëse AKS krijohet, do të jetë një asociacion i komunave pa kurrfarë kompetencash, një lloj organizate joqeveritare. As me marrëveshje të Brukselit nuk është diçka  më mirë. Nëse e lexoni me kujdes Marrëveshjen e Brukselit, do të shihni se “Bashkësia” e komunave serbe nuk ka asnjë juridiksion e as kompetenca ekzekutive, përveç që ka mbikëqyrje të arsimit, shëndetësisë, zhvillimit rural, planifikimit hapësinor, gjë që në esencë nuk do të thotë asgjë. Për këtë në vitin 2013 nuk desha ta votojë Marrëveshjen e Brukselit edhe pse partia ime e votoi.